Arrestohet “Princesha Eva”, shqiptarja që merrej me kokainë dhe prostitucion

eva preka

E njohur si “Princesha Eva”, shtetasja nga Shqipëria Eva Preka është kapur në Milano, pasi ishte shpallur në kërkim për shitje të lëndëve narkotike dhe prostitucion.

Policia ka mundur të identifikojë shqiptaren, falë fotografive (selfie) të shumta që ajo kishte bërë gjatë Javës së Modës në Milano. Forcat ushtarake të Vivegano-s arritën të gjurmonin shqiptaren në apartamentin e saj elegant në zonën e quajtur Porta Venecia.

Gazeta lokale “La Provinaca Pavese”, shkruan se për Sanremon, emri i shqiptares, është tepër i njohur në botën e prostitucionit dhe drogës. Eva Preka 32 vjeç, ishte dënuar nga gjykata në Sanremo me tre vjet burg, pasi në 2011 në apartamentin e saj ishin gjetur plot 400 kilogramë heroinë të pastër, që ishte marrë nga Holanda dhe që synohej që të shpërndahej në Itali.

Më pas ajo ishte arratisur nga “arresti shtëpiak”, dhe ishte shpallur në kërkim  nga autoritetet italiane. Eva akuzohet edhe për shfrytëzimin e disa të rejave nga Rumania për prostitucion. Së bashku me Evën, u arrestua edhe partneri i saj, zyrtarisht banor në Hollandë, por që në fakt ushtronte aktivitete ilegale në Sanremo.

Si u fsheh shqiptarja nga policia

Që nga koha që ishte arratisur, ajo ishte fshehur në Milano me një identitet tjetër, të cilin e kishte përdorur për të rifilluar një aktivitet të klasit të lartë. Frekuentonte restorante dhe hotele luksoze, dhe shoqërohej me njerëz të pasur. Merrte pjesë si e ftuar në shfaqjet e Javës së Modës në Milano, ku dhe kishte bërë shumë fotografi.

Ishin pikërisht këto foto, që u mundësuan autoriteteve italiane ta gjurmonin atë. Gjatë kontrollit në apartamentin e saj në Milano, policia konstatoi se ajo nuk ishte shkëputur tërësisht nga lidhja e saj me kokainën, pasi u gjet një sasi e vogël droge aty.

Në fillim ajo u përpoq të fshihte identitetin, duke i dhënë policisë pasaportën e një bashkatdhetareje. Më pas mbeti shumë e habitur, kur mësoi se personi që e kërkoi, ishte në fakt një polic. “Princesha Eva” në fund e pranoi  identitetin e saj të vërtetë: “Unë jam ajo që ju po kërkoni”.

Leave a Reply