Athinë, identifikohet shqiptari që plagosi 15 persona në lokalin e natës

Publikohet emri i shqiptarit që dyshohet se ka plagosur 15 persona në një lokal nate në Athinë. Policia helene thotë se Arben Glodiani, 35 vjeç është personi që shkaktoi masakrën, duke qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të klientëve. Mediat fqinje kanë shpërndarë fotografinë e shqiptarit, i cili thuhet se është person i rrezikshëm dhe me precedentë të mëparshëm kriminal.

Policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa që dyshohet se mund të jetë strehuar shqiptari, por nuk ka mundur që ta lokalizojë. Dosja i ka kaluar sot Prokurorisë së Pireut dhe ndaj Glodianit rëndojnë akuza të rënda, duke rrezikuar shumë vite burg.

Ndërkaq policia thotë se 35 -vjeçari mund të jetë autori i grabitjes së ndodhur në një dyqan në Metaxourghio, por edhe për dy sulme të ngjashme, një në 6 nëntor në kafe Saint Panteleimon dhe një në lokalin Mihalakopoulou muajin e kaluar. Sipas dëshmitarëve okularë, autori i plagosjes së shumëfishtë ka hyrë në lokalin e natës i armatosur me kallash dhe përpara se të qëllonte ka thënë shprehjen :-“ Sot do të derdhet gjak. Do të vdesin të gjithë”.

Si pasojë e të shtënave kanë mbetur të plagosur 15 persona, 9 prej të cilëve në gjendje të rëndë, ndërsa 6 të tjerët u larguan nga spitali. Sipas dëshmitarëve autori i plagosjes në momentet e sulmit ishte i shoqëruar nga një vajzë.

Leave a Reply