Blushi: Shqiptarët nuk po ikin nga malaria, fajtore është keqqeverisja

Deputeti socialist, Ben Blushi, shton kritikat ndaj qeverisë në të cilën bën pjesë, duke e bërë përgjegjës kabinetin që drejtohet nga Rama për eksodin masiv të shqiptarëve drejt vendeve të Perëndimit. Keqqeverisja, kjo është arsyeja që Blushi jep në Kuvend, duke bërë përgjegjës Ramën. Ky është kontestimi i parë që bëhet nga aula e Parlamentit ndaj Kryeministrit Rama, i cili më tepër u mundua të kontestonte opozitën për akuzat për eksodin masiv, duke ‘lënë’ në harresë oponentët brenda partisë së tij. Disa ditë më parë, Blushi pati shkruar një artikull duke e titulluar “Varrimi i Rilindjes”, duke kontestuar filozofinë e qeverisjes së majtës, ndërsa kriticizmi kaloi përmasat, pasi ai u bë në mënyrë direkte nga salla e Parlamentit. “Sot bëmë garë kush ka zbuar më shumë nga Shqipëria, e majta apo e djathta. Në 25 vjet, kemi humbur 1/3 e popullsisë. Më gjeni një vend në Europë, jashtë Europe, në Afrikë po të doni?? Ka luftë gjysma e Afrikës. Lindja e Mesme, ka luftë në Palestinë, përditë vriten, Nigeri… po nuk kanë humbur popullsinë. Kemi 1.7 milionë banorë kur mbaroi Lufta e Dyte Botërore. Katër milionë në 1991. Komunizmi rend shumë i poshtër, i padrejtë, por na la 4 milionë banorë, sot jemi 2.8 milionë, kemi humbur 1/3 e popullsisë në 25 vjet. A e dini pse? Mendoni se nuk ka diell këtu, nuk ka bukë për të gjithë, ka ndonjë malarie këtu? Jo nuk ka. Ka vetëm një arsye, qeverisemi shumë keq. Nëse doni të shikoni si e kemi qeverisur vendin në 25 vjet, shikoni shifrat e emigrimit”, deklaroi Blushi. Ai madje rriti dozën e kritikës, duke theksuar se kjo që po i ndodh Shqipërisë, nuk i janë shkaktuar as në luftëra ndër shekuj. “Sot ka arsye për të vënë alarmin, kjo është një emergjencë kombëtare, është emergjencë kombëtare fakti që Shqipëria po shpopullohet, Shqipëria po përgjysmohet. Shqiptarët ikin sepse qeverisen keq. Pesimizmi është arsyeja pse ikin shqiptarët ndaj të përpiqemi t’i mbajmë këtu të varfrit dhe të mos i diskriminojmë”- tha Blushi. Ai shtoi se asnjë luftë nuk e ka tretur siç është tretur Shqipëria në këto 25 vjet. Më pas, deputeti socialist tha se duhen ndarë kostot, pasi kjo është emergjencë kombëtare, sepse Shqipëria po shpopullohet. “Ky Parlament është një arsye se edhe sot (dje) nuk u fol për ato, edhe sot bëmë garë kush ka zbuar më shumë nga Shqipëria, PD apo PS. Në 25 vjet kemi humbur 1/3 e popullsisë. Nëse braktisja vazhdon dhe lindjet ulen, do përgjysmohemi. Ka një arsye, qeverisemi shumë keq. Një milion banorë kanë ikur. Vetëm një arsye, jetojnë keq”, u shpreh Blushi. Në fjalën e tij në Parlament, Blushi tha se ne duhet të bëjmë të pamundur që të gjithë t’i mbajmë në Shqipëri, madje edhe të varfrit, duke u dhënë mundësi atyre këtu. Dhe kura, sipas tij, është më shumë solidaritet përmes rritjes së pagave dhe pensioneve. “Duhet që këtë kosto ta përballojmë sot. Një i varfër duhet mbajtur këtu, por jo duke ia bllokuar pasaportën, ky është një diskriminim më vete. Çdo i varfër që bllokohet në kufi për këto arsye mendon se të pasurit mund të largohen nga Shqipëria. Ka nevojë për solidaritet. Kjo nuk është një shoqëri solidare. E dini pse ikën ata që kanë kalamaj? Kanë frikë se fëmija do t’i ngjaja dhe nuk ka dhimbje më të madhe për prindërit që nëse beson se djali i tij do jetë po aq i varfër sa ai. Çdo njeri dëshiron t’i ngjajë fëmija. Vetëm të varfrit kanë frikë t’i ngjajnë, sepse varfëria e trashëguar është fatale, është e dhimbshme…Nëse një i varfër beson se babai i tij është i varfër, fëmija i tij do jetë i varfër, kjo është arsyeja pse ikin sot. Unë besoj se ka mundësi, megjithëse nuk jam shumë optimist, që diçka të ndryshojë. Nëse diçka nuk ndryshon të jeni të bindur se të varfrit, përpara se të ikin, do vijnë në këtë Parlament dhe do na nxjerrin të gjithëve jashtë”- tha Blushi. Sipas tij, ky eksod nuk ka të bëjë me faktin se është një qeveri e mirë pas 23 qershorit, është më e mirë padyshim, por siç tha ai, shqiptarët janë pesimistë dhe kjo është fatalitet. Kritikave të Blushit, i është bashkuar dhe deputeti i PS-së, Pandeli Majko. “Ju me të drejtë mund të përdorni edhe metaforat e zotit Blushi, por keni harruar se çfarë jeni ju që bëni sehir ose sehirlistë. Njerëzit po ikin se nuk kanë shpresë, po nuk kanë shpresë edhe nga ju. Ata që po largohen janë të majtë e të djathtë. Arsyeja e largimit të tyre është se nuk po mbajmë premtimet që dhamë në fushatë dhe ndihen të zhgënjyer”, tha Majko. Më tej, ish-kryeministri u shpreh se ligjet në Shqipëri po vdesin, por po vdes edhe fjala, ndërsa shtoi se në vendin tonë, ligji ndryshe është shkruar dhe ndryshe po zbatohet. “Nuk është nevoja të fshihemi pas gishtit. Ka një disproporcion të madh midis asaj që duhet të ndodhte dhe asaj që po ndodh”, theksoi Majko. Dhe në vijim të këtyre qëndrimeve, deputeti tjetër i PS-së, Erjon Braçe, fajësoi të gjithë klasën politike për këtë eksod të ri të shqiptarëve, ndërsa theksoi se ajo nuk mund të përballet vetëm me solidaritet. Braçe u shpreh se të djathtët janë ende pjesë e ofertës së vjetër. “Varfëria është përgjegjësi e të gjithëve, politikës në radhë të parë. Varfëria nuk përballet vetëm me solidaritet. Varfëria kërkon drejtësi sociale. Polarizimi në të ardhura do vazhdojë të jetë i fortë, për sa kohë nuk do të adresohet. Të ardhurat nga kapitali kanë një normë më të madhe se ardhurat nga puna. Ju nuk keni kurajë ta adresoni këtë gjë. Ju vazhdoni të jeni pjesë e ofertës së vjetër. Privatizimin e keni bërë ju. Ne e kemi kundërshtuar, ju nuk donit të dëgjonit”- tha Braçe. Dhe pas këtyre fjalimeve, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, vendosi që ta “anulonte” përkohësisht fjalën që do të mbante në Kuvend, në mbështetje të deklaratave të deputetëve të majtëve, në lidhje me humbjen e shpresës së shqiptarëve. “Shqiptarët po ikin se kanë humbur shpresën. Sot po e tërheq fjalën dhe po bëhem jehonë e dy deputetëve socialistë, faleminderit”, – tha ironizoi nga vendi Paloka.

Pandeli Majko – “Ju me të drejtë mund të përdorni edhe metaforat e zotit Blushi, por keni harruar se çfarë jeni ju që bëni sehir ose sehirlistë. Njerëzit po ikin se nuk kanë shpresë, po nuk kanë shpresë edhe nga ju”

Gert Bogdani – “Pesimizmi i ka kapur shqiptarët, mungesa e shpresës. Nuk po ikin vetëm të varfrit por edhe ata që janë në punë, sepse nuk kanë shpresë për të ardhmen”

Erjon Braçe – “Varfëria është përgjegjësi e të gjithëve, politikës në radhë të parë. Varfëria nuk përballet vetëm me solidaritet. Varfëria kërkon drejtësi sociale”

Edi Paloka – “Shqiptarët po ikin se kanë humbur shpresën. Sot po e tërheq fjalën dhe po bëhem jehonë e tre deputetëve socialistë, faleminderit”, tha Paloka 

Kritikat – Krisje brenda mazhorancës për ikjen masive. Majko: Nuk po i mbajmë premtimet, as te PD nuk besojnë