Buxheti 2015, Rama: Ja taksat që do të ulen

Ka nisur sot rreth orës 11:30, seanca plenare për diskutimin e Buxhetit të vitit 2015. Kryeministri Edi Rama deklaroi së fjalimi për buxhetin do të jetë me shifra, çka është e pashmangshme.

Kreu i qeverisë deklaroi se buxheti i vitit 2015 është është në funksion të njerëzve, dhe se është një tërësi shpresash për të sotshmen dhe ambiciesh për të nesërmen.

Për Ramën, buxheti është një përgjigje e nevojave dhe e një ndershmërie të re, në funksion  të një vizioni afatgjatë për vendin.

“Ne në këtë buxhet i jemi përmbajtur zgjedhjes më të rëndësishme evropiane, ajo e mbështetjes së rritjes pa masa shtrënguese. Jam krenar për këtë element cilësor të qasjes sonë. T’i japim frymëmarrje me afat të mesëm forcës sonë qeverisëse, në kuptimin e forcës qeverisëse në territor”, tha Rama.

Buxheti, instrument rritjeje, zhvillimi dhe punësimi

Rama theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm është në funksion të atyre njerëzve që duan të punojnë, dhe që nuk kërkojnë zgjedhje magjike por dhe që nuk janë të dorëzuar për mungesën e zgjidhjeve magjike.

Rama theksoi se tre janë pyetjet themelore të qeverisë për buxhetin:
– Si të krijojmë punësim
– si t’u japim njerëzve dijet e duhura për punësim
– dhe si të sigurohemi që rritja të përkthehet në punë dhe rritje të mirëqenies

“Buxheti parashikon rritjen e besimit të stabilitetin ekonomik të vendit. Ky buxhet është një buxhet me disa standarde të caktuara dhe zgjidhje realiste të një vendi ku potencialet janë të mjaftueshme për të arritur objektivin minimal. Jemi sot me një dokument që është një instrument rritjeje zhvillimi dhe punësimi”, tha kryeministri.

Taksat që do të ulen

Rama deklaroi se akuzat e opozitës për rritje taksash janë krejtësisht të pambështetura mbi të vërtetën.

Ky s’është gjë tjetër vetëm një reflektim i një pakete fiskale që ul 15 taksa dhe rrit vetëm tre. Ulja e taksave në fjalë lidhet me domosdoshmërinë për të nxitur punësimin e për t’u dhënë dorën atyre që jetojnë me sipërmarrje, dhe ideve të tyre.

Taksat që zerohen ose ulen, dhe përfituesit e drejtpërdrejtë, janë ata të cilët kanë lidhje të drejtpërdrejtë me këto sektorë:

– Sektori i sigurimeve, ku heqim TVSH-në e zbatojmë vetën një taksë 3 për qind.

– Ulja e taksës doganore të naftës bruto, zerimi në 10 për qind, që do të stimulojë një prodhim vendas, është një tjetër komponent që ndikon drejtpërdrejt mbi shëndetin e ekonomisë së vendit.

– Ulja e rentës për kromin e përpunuar, që do të japë kontribute për përpunimin e mineraleve në vend:
“Kemi qenë thjesht eksportues të lëndës së parë, dhe kemi përfituar minimumin, por tani besoj se kjo masë do të na sjellë më shume për ekonominë tonë”.

– Ulje të taksës për gomat e reja, ka lidhje të shumëfishta me mbrojtjen e drejtpërdrejtë të mjedisit dhe rritjen e standardeve të sigurisë rrugore, dhe shëndetin e ekonomisë sonë.

– Kemi zerim mbi akcizën e bitumit natyral, pasi stimulimi i përpunimit të tij është pjesë e filozofisë për të nxitur prodhimin e përpunimin.

– Rritje të incentivave për të investuar në fondet e pensioneve.

– Kemi rimbursimin e TVSH-së si lehtësim i mëtejshëm duke hequr kontrollin e detyrueshëm.

– Do të rrisim rentën minerare.

– Historia e subvencionit pa faturë do të përfundojë, dhe ne do të subvencionojmë naftën për fermerin, për të gjithë ata që do jenë pjesë e detyrimeve dhe angazhimeve ndaj buxhetit të shtetit.

– Përjashtimi nga TVSH-ja në import për kafshët e gjalla në majmëri është pjesë e investimeve në bujqësi.

Ja cilat janë tre taksat që do të rriten:

Rritja e akcizës së cigares nuk duhet të konsiderohet si një rritje takse, deklaroi kryeministri, por si një masë për t’i ardhur në ndihmë familjarëve që nuk duan që të humbin të afërmit e tyre nga duhanprija.

“Kësaj shumice askush s’duhet t’i llogarisë rritje takse,  rritjen e akcizës së cigares. Ne e konsiderojmë atë një rritje të fuqisë shtypëse, që shkatërron shëndetin dhe sjell vdekjen e njerëzve. Duam t’i vijmë në ndihmë familjeve që nuk kanë pse i humbin baballarët për shkak të këtij vesi. Jemi aleatë të familjeve që duan të heqin këtë ves”, tha Rama.

Së dyti taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoil, është një tjetër taksë e cila parashikon masën e qeverisë për të pasur nj vend më të pastër e më të mbrojtur:

“Kjo nuk është dëshirë e qeverisë për ata që përdorin makina, por kontribut për të pasur një vend më të mirë më të pasur e më të mbrojtur”.

Një tjetër vendim i qeverisë është barazimi i tatimit mbi të ardhurat personale dytësore, me tatimin për të ardhurat nga paga. Kryeministri deklaroi se ka pasur një disbalancim ku tatoheshin të ardhurat 15 % nga kompanitë, dhe të ardhurat dytësore 10 %.

“Kush ka të ardhura dytësore nuk ka pse të paguajë 10 % por 15%. Falënderoj deputetët për pranimin me dhimbje të kësaj mase, por kjo na bën të barabartë me të tjerët”, tha kryeministri.

Rritje e numrit të policëve të shkolluar

Kryeministri deklaroi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë pjesë e reformës që do të kryhet në Policinë e Shtetit. Përsa i përket kësaj të fundit, Rama tha se Shqipëria nuk krahasohet me asnjë vend të Ballkanit për numrin e ulët të policëve dhe arsimimin e tyre.

“Nuk krahasohemi as me Kosovën. Kemi numrin më të madh të policëve me arsim të mesën. Kemi policinë më pa shkollë në Evropë dhe në rajon, dhe për këtë arsye do të kemi një rritje të plotë të numrit të forcave të policisë”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se do të kemi një rritje të konsiderueshme të policëve të shkolluar të terrenit, dhe se shuma e financimit për Policinë e Shtetit,  ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve të policisë, përmes teknologjisë.

“Në katër vjet shifrat e kriminalitetit të mos kenë asnjë dallim nga shifrat e BE-së. Dhe jemi të bindur se këtë do ta realizojmë shumë mirë. Policia shqiptare duhet të figurojë në mesataren e BE-së”.

Leave a Reply