Conchita pranon ftesën për në festivalin e RTSH-së

Conchita Wurst, këngëtari nga Austria, fitues i çmimit të parë në festivalin Eurosong 2014, e ka pranuar ftesën e Radio Televizionit Shqiptar, për të qenë i ftuari VIP, në festivalin e fundvitit.

Lajmi është konfirmuar nga Bledi Strakosha në emisionin “Mirë se vjen”. Conchita është përzgjedhur për të kënduar në natën finale të festivalit qe do të mbahet në 28 dhjetor. Ai gjithashtu do të shpërndajë çmimin e fituesit.

Conchita ka qenë në dilemë për të ardhur në Shqipëri, për shkak të reagimeve homofobike. Por mesa duket ai e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

26-vjeçari nga Austria, emri i vërtetë i të cilit është Thomas Neuwirth, triumfoi natën finale të Eurosong-ut me këngën e tij “Rise like a phoenix”. Ai ngriti polemika më mbarë Evropën, si dhe reagime të shumta të komunitetit LGBT për të drejtat e tyre.

Ai ka deklaruar qartë se nuk është një transeksual, por gay, dhe emri femëror që ka zgjedhur i referohet identitetit të dytë të tij, me anë të të cilit kërkon të dëshmojë se pavarësisht pamjes, ai mund të arrijë gjithçka.

Leave a Reply