Dade apel opozitës: Ndërprisni bojkotin, ejani në seancat dëgjimore për Ambasadorët

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Jashtëm Arta Dade i ka drejtuar një apel opozitës për tu kthyer në Kuvend, duke u bërë pjesë e punimeve dhe diskutimeve në komisione.

Apeli i ligjvënëses socialiste u bë në fillim të mbledhjes së Komisionit të Jashtëm ku u zhvillua seanca dëgjimore me dy kandidatë për ambasadorë, Kastriot Robo në Mbretërinë e Danimarkës dhe Ilir Tepelena në Republikën e Rumanisë.

Dy kandidatët paraqitën prioritetet që do të kenë në misionet e ardhshme diplomatike.

Kandidati Robo vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira Shqipëri-Danimarkë, ndërsa theksoi mbështetjen që pala daneze i ka dhënë vendit tonë në procesin e anëtarësimit në NATO dhe integrimin në Bashkimin Europian.

Robo tha se Danimarka është një nga vendet e para që ka mbështetur luftën kundër ISIS. Ai vuri në dukje rritjen e shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve, si dhe mbështetjen që qeveria daneze ka dhënë për institucionin e Avokatit të Popullit.

Kandidati për ambasador në Rumani, Ilir Tepelena, tha se në punën e tij do të ketë prioritet njohjen e Kosovës. Sipas tij, qeveria dhe parlamenti rumun e mbështesin njohjen e Kosovës nga Rumania, por kjo kundërshtohet nga presidenti Basescu.

“Sfida ime është intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe konsolidimi i dialogut politik”, u shpreh Tepelena./gj.k/

 

Leave a Reply