Deputeti i PD-së ndërhyn për gjobën ndaj shoferit të furgonit

Policia: Furgoni me pasagjerë, mungesë dokumentacioni, iu vu gjobë e majme

Një deputet i PD-së, “përzihet” në punët e Policisë Rrugore, kur kjo e fundit kishte ndaluar një furgon pasagjerësh në rrugë, për t’i kontrolluar dokumentet. Lajmi është mësuar nga burimet zyrtare të Policisë së Lezhës, e cila njoftoi dje se teksa po kontrollohej një automjet për dokumentacionin, pranë këtij furgoni ka ardhur një person që ishte prezantuar si deputet i Partisë Demokratike, i cili ka kërkuar sqarime për shkakun e ndalimit të këtij mjeti. Pas marrjes së gjobës, për shkak të mungesës së dokumentacionit edhe deputeti është larguar, i bindur edhe nga pranimi i gjobës nga vetë drejtuesi i furgonit. Burime të policisë thanë se bëhet fjalë për një deputet demokrat të Burrelit, pa përmendur emrin, teksa në atë zonë rezultojnë si deputetë Bedri Hoxha, Përparim Spahiu dhe Shrefedin Shehu. Policia e Lezhës tha se ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:10, kur shërbimet e policisë rrugore, të dislokuara në Fushë-Mamurras, Kurbin, gjatë përmbushjes së detyra funksionale, kanë ushtruar kontroll në mjetin furgon tip “Ford”, me targa AA 152 CO, i cili ka rezultuar në shkelje të dispozitave të Kodit Rrugor. Për këtë arsye i është tërhequr dokumentacioni i mjetit bazuar në nenin 77/1/3 të Kodit Rrugor, si dhe është marrë masë administrative gjobë. Në pikën 1 të nenit 77 të Kodit Rrugor thuhet se “Në aktet në zbatim përcaktohen karakteristikat konstruktive e funksionale dhe sistemet e pajisjeve që mund të modifikohen vetëm pas paraqitjes së dokumenteve. Janë përcaktuar, gjithashtu, mënyrat për kontrollin dhe azhurnimin e lejes së qarkullimit”. Ndërsa pika 3 sqaron se “Cilido që qarkullon me një mjet, të cilit i janë ndryshuar karakteristikat e treguara në certifikatën e homologimit dhe në lejen e qarkullimit, ose i është modifikuar shasia dhe nuk ka marrë pëlqimin pas kontrollit dhe provës ose cilido që qarkullon me një mjet që i është ndërruar shasia dhe që nuk ka marrë pëlqimin pas kontrollit të provës, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë”.

Leave a Reply