Fevzo bën lëmsh organizatorët e Panairit

Siç e ka zakon, para çdo panairi Fevzo shpall rekordet e tij për shitjet e librave. Për shembull, vitin e kaluar tha se për 2 orë u shitën 5 mijë libra. Siç dihet, dy orë janë 120 minuta. Për të dhënë një autograf duhet minimumi një minutë kohë, dhe nëse librat ja mbajnë në dorë 120 veta, Fevzo nuk ka pas mundësi të hidhte 120 firma për dy orë. Por, kjo nuk e pengoi që ta bëjë shifrën 5 mijë.

Sivjet theu një rekord tjetër. Ditën e parë të panairit TV Klani u hap me lajmin se libri i Fevzos u shit dhjetë mijë kopje ditën e parë. Në fakt, përveçse stenda e Fevzos është bosh dhe nuk ja blen njeri librin, organizatorët e panairit nxorrën dhe një lajm të trishtuar, që ky panair është shumë i varfër dhe ditën e tretë mendohet se e kanë vizituar gjithësej 5 mijë vetë.

Të futur në këtë telash, një prej organizatorëve, vendosi t’i tërheqë vërejtje Fevzos të mos bëjë deklarata të tilla, pasi fut në telashe gjithë panairin.

E thirri tek stenda ku Fevzo po priste të jepte autografe dhe Fevzo mori menjëherë një libër, nxorri stilolapsin, dhe filloi të shkruante.

-Si e ke emrin, i tha?

-Nuk kam ardh të blej librin, se jam i panairit, i tha organzitori. Desha të të them, kur jep intervista, kujdes me këto shifrat, se i kemi tatimet tek dera. Na thonë, “keni shit dhjetë mijë libra, ne akoma s’kemi shit si panair 1 mijë libra”.

-Më vjen keq, i tha Fevzo. Ju keni shifrat tuaja, unë kam të miat. Unë u qëndroj shifrave të mija.

-Po po, por tatimet dëgjonë TV Klanin, mbajnë shënim dhe vijnë na kërkojnë taksat. Si t’i themi ne, gënjen TV Klani?

-Thuajini si të doni, tha Fevzo, ç’punë kam unë!

-Jo, ti s’ke punë, por mos jep intervista, se pastaj na fut të gjithëve në telashe. Biles do futësh në telashe dhe botuesin, se do t’i kërkojnë taksat mbi tirazhin që deklaron ti.

-Po pse, sipas teje sa kopje duhet të shes unë, i tha Fevzo?

-Shit sa të duash mo burrë, por po ja kalon dhe votave të partisë së Zogut me këto që po thua. Hajt për Enverin po të besojmë që ke shit ca më shumë, se ka plot enveristë, po zogistët janë ca më pak.

-Ky është problemi juaj, tha Fevzo, nuk më hyn në punë. Unë kam shit dhejtë mijë kopje që ditën e parë.

-Po aman mo zoti Fevzo, se 5 mijë vizitorë kemi gjithësej deri më sot, nga na i bëre dhjetë mijë?!

 

Leave a Reply