Haxhinasto: Mirëmbajtja e rrugës së Kombit do të jepet me koncension brenda vitit

haxhinasto

Shërbimi i mirëmbajtes së autostradës Durres-Morinë, e njohur si “Rruga e Kombit’, do të jepet me koncension brenda këtij viti. Duke folur për objektivat, ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto bëri të ditur se prioritet mbetet ndërtimi i transportit hekurudhor për linjën Tiranë – Durrës.

I pranishëm në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ku po diskutohet nen për nen buxheti per vitin 2015, Haxhinasto theksoi se buxheti në total për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës është 40.39 miliardë lekë, një rritje kjo prej 2.76 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin e një viti më parë. Kjo rritje reflektohet kryesisht në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, mirëmbajtjes në sektorin rrugor dhe investimit në infrastrukturës hekurudhore.

Ai përmendi objektiva konkrete të buxhetit të parashikuar për vitin 2015, teksa prioritetet do të jenë rritja e standardit të rrugëve. Siguria rrugore dhe mirëmbajtja e rrugëve do të mbështeten nëpërmjet shumës prej 4.4 miliardë lekë, krahasuar me 1.2 miliardë lekë në vitin 2014.

“Kjo është një përqasje e re financiare, pasi realizimi i këtyre shërbimeve do të ndalojë indeksin e lartë të amortizimit dhe do të rriste ndjeshëm cilësinë e përdorimit të rrugëve, për të çuar drejt uljes së aksidenteve, fakt ky i provuar gjatë vitit 2014 ku pamë një bilanc pozitiv në uljen e aksidenteve rrugore.

Ndër projektet e sigurisë rrugore, riveshjes me sinjalistikë dhe përmirësim të pikave të rrezikut, u veçuan superstrada Tiranë-Durrës apo segmenti Kashar-Rinas.

Prioritete të tjera në financimin e sektorit të rrugëve, që u paraqitën nga ministri Haxhinasto, ishin përmirësimi i rrjetit rrugor kombëtar, duke përfshirë arterie strategjike si, Korridori i Gjelbër, Autostrada Veri-Jug dhe Korridori i Kaltër; lidhjet me rrjetet rrugore të rajonit të Ballkanit, si dhe zhvillimin e mirëmbajtjes së rrugëve, duke shtuar fondet dhe përmirësimin e administrimit, si dhe për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes”.

Kreu i transporteve theksoi me rëndësi të veçantë vënien në efiçiencë të rrugëve që lidhin zonat turistike të vendit, ku ndër më kryesoret janë rrugët lidhëse me bregdetin Jug-Perëndimor (Llogara-Sarandë), Qafë Thanë-Lin-Pogradec-Tushemisht, Rruga e Valbonës, Gjinarit dhe Shishtavecit. Edhe akset e papërfunduara do vijojnë të marrin financime, ku u përmendën akset Fushë Krujë-Milot, By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, By Pass Perëndimor Shkodër, Kardhiq-Delvinë, Unaza e Re Tiranë etj. Edhe në zërin e sistemim- asfaltimit, Ministri Haxhinasto nënvizoi segmentet Kukës-Krumë; Korçë-Ersekë; Tri-Urat-Leskovik; Unaza e Qytetit Ersekë, etj.

Haxhinasto veçoi vënien në funksion të plotë të impianteve të pastrimit të ujërave të përdorura në Sarandë, Lezhë-Shëngjin dhe Velipojë që do të përmirësojë jetën e mbi 400 mijë banorëve.

Ai vuri në dukje se shpronësimet, por edhe problematika që në projekt, janë bërë shkak për vonesën e përfundimit të disa projekteve. /gj.k/

Leave a Reply