Helmohen 15 nxënës gjatë një ekskursioni në Tiranë

Plot 15 fëmijë që kishin mbërritur në Tiranë për një ekskursion, një natë e dy ditë, janë helmuar, pasi kanë darkuar në një restorant në Rrugën e Kavajës. Bëhet fjalë për fëmijë të grup moshës 13-17 vjeç, të cilët janë paraqitur në restorant në orën 20.00 të mbrëmjes së dy netëve më parë, ndërsa kanë përfunduar dhe i janë drejtuar hotelit ku edhe do të flinin. Mirëpo me të mbërritur në hotel mësohet se nxënësit kanë filluar të ndiejnë shqetësime shëndetësore, si: dhembje koke dhe barku, simptoma që janë bërë shkak për dërgimin e menjëhershëm të tyre në pediatrinë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, për të marrë ndihmën e parë. Burime zyrtare nga QSUT bëjnë me dije se fëmijët janë paraqitur pranë urgjencës së pediatrisë në orën 00:00. Pas kësaj të gjithë ata kanë bërë serum, ndërsa një orë më vonë, pasi mjekët kanë parë se gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar i kanë lënë të largohen. Të njëjtat burime sqarojnë se 15 fëmijët kishin të njëjtat simptoma, dhimbje barku dhe koke.

“Ata kanë ardhur në qendrën tonë, përkatësisht në shërbimin e urgjencës së pediatrisë rreth orës 00.00 të natës. Fëmijët kishin ngrënë darkë në një lokal te Rruga e Kavajës në orën 20:00 dhe në momentin që i janë drejtuar QSUT-së kishin dhimbje të forta barku dhe koke. U është bërë një serum nga mjekët e shërbimit në spitalin tonë. Gjendja e tyre ka qenë më e mirë dhe për këtë arsye mjekët e kanë quajtur të arsyeshme që nuk duhet të qëndrojnë më në spital”, shpjegojnë burime zyrtare në drejtorinë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Mësohet se fëmijët e helmuar kishin ardhur për një ekskursion në kryeqytet dhe menjëherë pasi kanë ngrënë darkën në një prej restoranteve në Rrugën e Kavajës në kryeqytet, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, gjendja e tyre shëndetësore ka ardhur duke u përkeqësuar. Zyrtarisht mësohet se Instituti i Shëndetit Publik ka marrë mostrat e nevojshme të ushqimeve në lokalin, ku kanë ngrënë fëmijët, për të kryer të gjitha analizat deri në daljen e një konkluzioni të qartë, për të kuptuar se nga se ndodhi helmimi. Ekspertët e ISHP-së kanë nisur analizimin e mostrave për të mësuar se cili nga produktet ushqimore të konsumuara në atë lokal mund të jetë bërë shkak për helmimin e tyre. Burime zyrtare nga ISHP sqarojnë se pas daljes së përgjigjeve në lidhje me cilësinë e ushqimit që kanë ngrënë, ato do t’i jepen menjëherë Ministrisë së Shëndetësisë. “Ne kemi marrë mostrat nga ushqimi dhe pritet që shumë shpejt të dalin edhe rezultatet e tyre.

Për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për helmim nga ushqimi i restorantit”, pohojnë burime zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik. Fëmijët kishin ardhur në Tiranë në një ekskursion për të marrë pjesë në një aktivitet artistik, mirëpo me sa duket fati këtë herë nuk ka qenë me ta, duke alarmuar jo vetëm organizatorët, por duke rrezikuar edhe jetën e të miturve. Raste të tilla helmimi janë ndeshur disa herë në vendin tonë. Disa muaj më parë, dy fëmijë janë helmuar në një fast food në qytetin e Pogradecit. Ndërkohë një ngjarje tjetër edhe më e rëndë është ajo e helmimit në një çerdhe fëmijësh. Dy vite më parë, janë helmuar 10 fëmijë në një çerdhe në qytetin e Lezhës, ku gjendja e tyre ka qenë vërtet e rëndë.

Leave a Reply