ISIS-i humbet Palmirën

Forcat qeveritare siriane, të ndihmuara nga milicitë shiite dhe të mbështetura nga avionët rusë, kanë rimarrë “kontrollin e plotë” të Palmirës, qytetit që prej majit 2015 ndodhej në duart e ISIS-it dhe ku ndodhet zona arkeologjike e epokës romake, prej vitesh pasuri e UNESKO-s. Televizioni shtetëror sirian bëri të ditur rizotërimin e qytetit, duke iu referuar burimeve ushtarake. Lajmi u konfirmua edhe nga aktivistët e Observatorit për të Drejtat e Njeriut, të cilët folën edhe për shumë të vrarë midis ekstremistëve. Bashar Al-Asad e komentoi menjëherë këtë zhvillim të ri në frontin e luftës, duke thënë: “Kjo dëshmon suksesin e strategjisë së ndjekur nga ushtria siriane dhe aleatët e saj në luftën kundër terrorizmit”.

Beteja për të rimarrë Palmirën zgjati gjatë gjithë fundjavës, u shprehën burime ushtarake të cituara nga media ndërkombëtare. Ato siguruan se forcat e Bashar Al-Asad janë kthyer në zotërim, “si të zonës arkeologjike, edhe të lagjeve rezidenciale”. Forcat e Shtetit Islamik gjatë tërheqjes së tyre raportohet se janë strehuar në zonat e Suknah dhe Deir Ezor. Palmira ishte marrë nga ndjekësit e Kalifatit në maj të vitit 2015 dhe prej atëherë bota ishte frikësuar për shkatërrimin e saj, të nisur nga ISIS-i duke hedhur në erë dy tempuj që ndodheshin në zonën arkeologjike, një hark dhe dhjetëra varre antikë.

Megjithatë gjesti më i egër dhe brutal i lidhur me këtë qytet të famshëm, përveç shkatërrimit të tempujve, si ai Baalshamin dhe Bel, ishte ekzekutimi i Kaled Asad, 82-vjeçarit studies i antikitetit dhe shef i zonës arkeologjike të Palmirës për më tepër se 50 vjet. Ai kishte fshehur qindra statuja për të penguar ushtarët e Shtetit Islamik t’i shkatërronin apo t’i merrnin. Në gusht të vitit të shkuar, Asad u vra gjatë një ekzekutimi publik dhe trupi i tij u var në një kolonë romake të zonës arkeologjike. Marrja e Palmirës nga forcat qeveritare erdhi pas një fushate të drejtuar nga ushtria e rregullt siriane dhe   aleatët e saj në terren, me mbështetjen ajrore të aviacionit ushtarak rus.

Avionët e Moskës bombarduan në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme forcat e Kalifatit për të lehtësuar përparimin në terren në ushtarëve të presidentit Asad. Forcat qeveritare pretendojnë se pikërisht vendimi i presidentit rus Vladimir Putin, i cili shtatorin e shkuar vendosi të përfshihet në luftën civile që ka ndezur Sirinë prej 5 vitesh, për të mbështetur presidentin Asad, u ka dhënë një kthesë zhvillimeve. Megjithë njoftimin për tërheqjen e trupave ruse, mjetet ajrore (helikopterë dhe avionë) kanë vijuar të zhvillojnë çdo ditë veprime luftarake në territor.

Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur dje se avionët rusë kanë realizuar 40 fluturime pranë Palmirës në harkun e 24 orëve, duke goditur 158 objekte dhe vrarë më tepër se 100 luftëtarë. Dhe përshëndetjet e Moskës nuk vonuan për këtë zhvillim të rëndësishëm në fushën ushtarake. Presidenti rus, Vladimir Putin, uroi Asadin për fitoren, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, të cilit i referohej agjencia e lajmeve “Tass”. “Asadi e vlerësoi shumë ndihmën që forcat ajrore ruse kanë dhënë dhe nënvizoi se ky sukses në rimarrjen e Palmirës do të ishte i pamundur pa ndihmën e Rusisë”, shtoi zëdhënësi.

Sipas të dhënave të publikuara nga drejtori i Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdulrahman, rreth 400 ushtarë të ISIS-it kanë mbetur të vrarë në këtë betejë, ndërsa humbjet midis luftëtarëve të Damaskut dhe aleatëve të tyre arrijnë në rreth 180 forca. Për Komandën e lartë të Ushtrisë Siriane, rimarrja e Palmirës “është një goditje e rëndë për Shtetin Islamik dhe shënon fillimin e kolapsit të tij”. Nga ana e tij, ministri sirian i Kulturës, Isam Kalil, e cilësoi rimarrjen e qytetit të Palmirës dhe zonës arkeologjike si “një fitore për njerëzimin”.

Të dhëna  

22 % është territori i humbur nga ISIS-i në Siri dhe Irak, e barabartë me 20-24 mijë km katror

19-25 mijë vlerësohet të jetë numri i luftëtarëve të ISIS-it

Më parë ata vlerësoheshin në 32 mijë. 120 është numri i vendeve nga vijnë ata që cilësohen si “luftëtarë të huaj” në konfliktin sirian

28 mijë vlerësohet numri i të vrarëve në radhët e Shtetit Islamik prej fillimit të luftimeve

40 % janë pakësuar të ardhurat e Kalifatit nga tregtia e naftës, burim kryesor i financimit

10 mijë fluturime ajrore janë realizuar nga koalicioni i drejtuar prej Shteteve të Bashkuara

130 USD në muaj është pagesa për luftëtarët irakianë dhe sirianë, 200 USD për të huajt.

Historia e vjetër dhe e re e Palmirës

Trupat e regjimit sirian rimorën plotësisht qytetin antik të Palmirës nga kontrolli i ISIS-it. Ushtria siriane mori kontrollin e Palmirës, që ishte në duart e ISIS-it që prej një viti. Më poshtë vijojnë një seri faktesh për këtë qytet, i konsideruar si perla e shkretëtirës siriane: Palmira, që ndodhet në qendër të Sirisë, daton prej 2.000 vjetësh dhe është regjistruar nga UNESKO-ja si pjesë e trashëgimisë botërore. Para fillimit të konfliktit në Siri, në vitin 2011, mbi 150 mijë turistë vizitonin çdo vit këtë oaz të shkretëtirës, 210 kilometra në verilindje të Damaskut, ku gjenden rreth 1.000 kolona si edhe një nekropol gjigand me 500 varre.

Në gjysmën e parë të shekullit I, Palmira bëhet pjesë e provincës romake të Sirisë. Me kalimin e viteve Palmira bëhet një qytet i pasur falë pozicionit gjeografik si pikë tranziti e rrugëve nga Persia, India dhe Kina drejt Perandorisë Romake dhe tregtisë së erëzave, parfumeve, mëndafshit dhe fildishit nga këto vende. Në vitin 129, Palmira u shpall qytet i lirë nga perandori romak, Hadrian dhe përjetoi më pas epokën e saj të artë në shekullin II. “Qyteti u ndërtua sipas një strukture perëndimore, kishte një agora, rrugë të gjera, teatro, tempuj dhe mund të krahasohej me Romën”, thotë Marielle Pik, shefe e Departamentit të Antikiteteve të Orientit në Muzeun e Luvrit.

Fuqia e qytetit kulmoi në shekullin III në kohën e mbretëreshës Zenobia, e cila sfidoi edhe Perandorinë Romake. Në vitin 267, guvernatori arab i Palmirës, Odeinat vdiq në mënyrë misterioze. Bashkëshortja e tij, Zenobia mori pushtetin në vitin 270, pushtoi Egjiptin dhe dërgoi trupat në Bosfor, përpara se të rrëzohej nga froni, në vitin 272, nga perandori Aurelian. Në kohën e Hafez Al-Asadit, babait të presidentit aktual Bashar Al-Asad, Palmira njihet si vendi i masakrës kundër qindra të burgosurve, gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar. ISIS-i që kishte kontrolli prej një viti, ka shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të qytetit antik.