Kanadaja hap dyert për një numër rekord emigrantësh

Kanadaja thyen rekordet në pranimin e emigrantëve. Vetëm vitin e ardhshëm, shteti amerikano-verior do të pranojë nga 260 mijë deri në 285 mijë emigrantë, një numër rekord në historinë e këtij vendi.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë ministri i Shtetit dhe Emigracionit, Chris Alexander, gjatë prezantimit të planit të imigracionit për vitin 2015.

“Qëllimi i planit të ri të imigracionit përforcon fokusin e qeverisë sonë në rritjen afatgjatë ekonomike si dhe mirëqenien e të gjithë kanadezëve. Ky plan mirëpret një numër rekord të njerëzve, të cilët do të kontribuojnë në ekonominë dhe në tregun e punës”, tha Alexander.

Ai shtoi se në vitin 2015, Kanadaja do t’i bashkojë shumë familje emigrantësh dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për qytetarët më të rrezikuar të botës. Shumica e imigrantëve të rinj, përkatësisht 65 për qind prej tyre, do të vijnë nga kategoria e emigrantëve ekonomikë, ndërsa 35 përqindëshi i mbetur do të përbëhet nga anëtarët e familjeve të emigrantëve, të cilët tashmë ndodhen në Kanada dhe duan të vazhdojnë të jetojnë në këtë vend.

Aplikuesit për punë dhe lëvizje, të cilët kanë një ofertë të vlefshme pune në Kanada, apo do t’u përshtaten programeve ekonomike të provincave përkatëse, shumë shpejt do të ftohen që të aplikojnë për statusin e banorit të përhershëm. Çdo vit, qeveria e Kanadasë, në konsultim me qeveritë e 10 provincave dhe tre territoreve, përcaktojnë numrin e përgjithshëm të emigrantëve, që do të pranohen si banorë të rinj të përhershëm.

Leave a Reply