Kërcënohet me armë dhe tentohet grabitja e vajzës së ministrit Nasip Naço

Naco

Vajza e ministrit të Drejtesisë, Betina Naço, është kërcënuar pak ditë më parë me armë dhe është tentuar të grabitet.

Ngjarja e rëndë sipas ABC News ka ndodhur më 12 nëntor, por është mbajtur e fshehtë.

Ajo kthehej e vetme në shtëpinë e saj pasditen e 12 nëntorit, kur është tentuar të grabitet.

21 vjecarja, sipas kallëzimit të bërë në Policinë e Tiranës, kishte blerë ushqime së bashku me nënën e saj dhe ishte kthyer më herët në shtëpinë që ndodhet në zonën e ish- Bllokut.

Ndërsa ngjitej në shkallët e pallatit, Betina tha në polici, se kishte parë dy djem të qendronin ulur.

Fillimisht njëri prej tyre e pyeti 21- vjeçaren, se cilën nga dyert do të hapte, por ajo refuzoi t’i përgjigjet, ndërsa nxitoi të hynte në apartament.

Në këtë moment, njëri prej dy personave i mbylli gojën dhe i vendosi pistoletën në kokë, duke e ulur në gjunjë.

Personi tjetër i mori çelësat për të hapur derën e apartamentit.

Vajza e ministrit të Drejtësisë tha në polici se ajo mundi të çlirohet për pak nga personi që i mbante gojën mbyllur dhe filloi të bërtasë.

Në këtë kohë, të dy personat ende të paidentifikuar nga policia, hodhën çelësat dhe u larguan me vrap.

Sipas policisë, ngjarja u cilësua si grabitje me dhunë e mbetur në tentativë, por nuk përjashtohen shkaqet e një sulmi për shkak të detyres së ministrit Nasip Naço.

E gjithë historia u mbajt e fshehtë nga Komisariati nr. 2 dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila vetëm tre ditë më parë ka dorëzuar materialin në prokurori, raporton ABC News.

Gjithashtu, kjo ngjarje u mbajt e fshehtë edhe për median, pasi nuk u pasqyrua në asnjërin prej njoftimeve që policia i shpërndan mediave cdo ditë.

Që nga data 12 nëntor, tashmë familja e ministrit Naco mbahet nën mbikqyrje 24 orë nga efekivët e policisë./b.l

Leave a Reply