Koço Kokëdhima: Lamë fshatrat pa punë, të legalizohet hashashi për përdorim mjekësor

Deputeti socialist, Koço Kokëdhima ka kërkuar nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti i pranishëm në mbledhjen e sotme të komisionit e ekonomisë që të ndërmerrte një nismë ligjore për legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor.

“Kjo veprimtari ilegale në Shqipëri prodhoi një markë kanabisi shqiptar, që kishte karakteristikat dhe vlerat e veta në treg. Ju shkon mendja juve ta ruani këtë gjë dhe ta licenconi për eksport këtë për industrinë farmaceutike? Apo duhet ta zhdukim sepse kemi frikë? Evropianët nuk kanë frikë ta bëjnë këtë legalizim, ndërsa ne po, sepse druhemi se do na quajnë kultivues droge”, tha Kokëdhima.

Sipas deputetit socialist, aksioni kombëtar i qeverisë për luftën kundër kanabisit ka lënë në vështirësi financiare shumë fermerë në jug të vendit.
Ai tha se qeveria nuk mund t’i mbështesë ata përmes buxhetit, ndaj nuk është tabu që të konsiderohen nisma të tilla ligjore si ajo e prodhimit të licencuar të kanabisit.

“Ne bëjmë gjithë këto kontribute, qeveria bën gjithë këtë luftë të drejtë që të mos lejojë gjithë këtë prodhim të pakontrolluar të drogës, por vetëm si mund ta kontrollojmë ne gjithë këtë histori? Apo do t’i bëjmë gjithë fshatarët kundërshtarë”, tha Kokëdhima.

Por ky propozim hasi në kundërshtimin e fortë të kolegëve të tij. “Unë nuk besoj se është momenti për të kthyer kokën mbrapa tek ekonomia e kanabisit, që shyqyr që po e çrrënjosim”, tha deputeti Anastas Angjeli.

“Ndërsa unë ndihem krenar që kemi dalë nga tregu ndërkombëtar i drogës”, tha kryetari i komisionit, Erjon Braçe.

Leave a Reply