Kuvend, miratohet me 81 vota pro buxheti dhe paketa fiskale e vitit 2015

Kuvendi diskutoi dhe miratoi Paketën Fiskale dhe projektbuxhetin e vitit 2015 me 81 vota pro, ndërsa në seancë mungonin deputetët e PD,  që vijojnë bojkotin parlamentar.

Kryetari i Komisionit të Eknomisë dhe Financave Erjon Braçe duke folur në Kuvend tha se paketa fiskale e paraqitur nga Qeveria ka në thelb të saj të gjitha masat për mbështetjen e prodhimit vendas për t’u rikthyer edhe një herë tek favoret fiskale për prodhimin në industrinë e rëndë, në manifaktura, në bujqësi, në peshkim dhe në përpunim të mineraleve dhe të produkteve të tjera për industrinë vendase.

Duke folur për ndryshimet në ligjin për të ardhurat personale, Braçe tha se projektligji krijon disa lehtësi për pensionet vullnetare, si shtylla e dytë e rëndësishme e reformës së pensioneve.

“Janë 36 milionë dollarë më tepër në skemën e sigurimeve shoqërore, pikërisht për shkak të rritjes së personave të regjistruar si të punësuar”, deklaroi Braçe.

Sipas tij, për herë të parë numri i kontribuesve është më i madh se ai i përfituesve.

Duke iu referuar propozimeve të opozitës një ditë më parë për rikthimin e taksës së sheshtë,  Braçe tha se po ta marrim parasysh këtë propozim, 95 % të shqiptarëve qe përfituan nga taksimi progresiv do të paguajnë më tepër.

Po ashtu, Braçe informoi Kuvendin edhe për disa amendime që i janë bërë paketës fiskale gjatë diskutimeve në Komision.

Sipas Braçes, komisioni propozon mos heqjen e akcizës për pijet energjike, por ulja e nivelit të saj nga 50 në 30 lekë/litri.

Ndërsa, ndryshimi i dytë ishte ai që e shtrin uljen e rentës minerare, jo vetëm për kromin që përpunohet në vend siç propozon qeveria, por edhe mineralet e tjera te metalit.

Nga ana tjetër, ai tha se është rritur taksa e qarkullimit me 10 lek /litri, ndërsa iu kërkoi autoriteteve marrjen e masave në mënyrë që të reflektohet edhe në tregun vendas ulja e çmimit të karburanteve në tregjet e karburanteve.

Në fillim të seancës, relatori i projektbuxhetit për vitin 2015, deputeti i Partisë Socialiste Anastas Angjeli paraqiti  ndryshimet e bëra në këtë pr/ligj gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare, duke reflektuar disa nga kërkesat e institucioneve.

Angjeli tha se janë bërë disa shtesa fondesh për institucionet buxhetore dhe ato të pavaruara. Konkretisht i është shtuar fondi ministrisë së Bujqësisë, Presidencës dhe Prokurorisë.

Po ashtu është reflektuar përmes ndërhyrjeve në buxhet edhe fillimi i zbatimit të një reforme të rëndësishme, siç është ajo për pushtetin vendor për ndarjen e re administrative dhe harmonizmin e institucioneve të pushtetit vendor në funksion të kësaj reforme.

Angjeli informoi se ka disa lëvizje të brendshme të disa institucioneve duke rekomanduar edhe prioritetet për to.

Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2015 është parashikuar në nivelin rreth 414.4 miliardë lekë, ose rreth 27.8% e PBB, me një rritje në terma nominalë prej 49.7 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014. Rritja e të ardhurave, sipas Ministrisë së Financave, vjen prej luftës ndaj evazionit fiskal dhe jo nga rritja e taksave.

Sipas ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, efekti nga rritja e taksave është më pak se sa një e treta e të ardhurave shtesë që pritet të realizohen.

“Synimi kryesor i këtij buxheti është që të fillojë në rrugën e kthimit të rritjes normale të parakrizës”, është shprehur ministri Cani.

Totali i shpenzimeve publike për vitin 2015 është planifikuar të arrijë 475 miliardë lekë ose rreth 31.7% e PBB. Bazuar në parashikimet afatmesme, shpenzimet totale buxhetore parashikohen të ulen në terma realë (30.6% e PBB në 2016 dhe 29% të PBB në 2017) duke reflektuar kësisoj objektivin e uljes së borxhit publik gjatë kësaj periudhe.

Sidoqoftë, niveli total i investimeve publike i parashikuar për periudhën 2015-2017, reflekton një trend konstant përgjatë kësaj periudhe me një mesatare prej 5.3% të PBB. Ky fakt konfirmon dhe një herë prioritetin e Qeverisë për të kontribuar aktivisht në rritjen ekonomike dhe rritjen e nivelit të punësimit në vend.

Qeveria ka parashikuar të investojë për vitin 2015, 80 miliardë lekë ose 5.4 për qind të Prodhimit Kombëtar për vitin e ardhshëm.

Fondi total i investimeve është i ndarë në dy pjesë, ku 67.5 miliardë lekë janë investime në projekte kombëtare, ndërsa 12.5 miliardë lekë të tjera kalojnë përmes Fondit Rajonal të Zhvillimit që administron pushteti vendor.

Gjatë diskutimit nen për nen për rreth 10 ditë në komisionet parlamentare u propozuan disa ndryshime në fondet e disa institucioneve, pas argumentimit të përfaqësuesve të institucioneve në komisione. /gj.k/

Leave a Reply