Maqedoni, sulmohet stacioni policor në Goshincë, në kufi me Kosovën

Persona të armatosur kanë sulmuar rreth orës dy pas mesnate stacionin policor në fshatin Goshincë, në rajonin e komunës së Likovës, që kufizohet me Kosovën. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, Ivo Kotevski, i cili tha se sulmi është kryer nga 40 persona të armatosur.

Agresorët fillimisht kanë çarmatosur katër efektivë të pranishëm në stacionin policor dhe pas pak orësh i kanë liruar, duke kërkuar nga ata që të mos kthehen, por edhe të përcjellin këtë mesazh: “Ne jemi UÇK, përcillni këtë mesazh, se as Gruevski dhe as Ahmeti nuk do t’ju shpëtojnë; ne nuk e duam Marrëveshjen e Ohrit, ne dëshirojmë shtetin tonë”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Fatmirësisht nga ky sulm nuk ka pasur viktima apo persona të plagosur.  Zëdhënësi i policisë ka thënë se grupi i armatosur është tërhequr nga stacioni policor, por nuk ka saktësuar nëse tashmë stacioni është nën kontrollin e policisë.