Marrëveshje mes MM e Postës Shqiptare, shërbim për ushtarakët

TIRANË – Nënshkruhet marrëveshja mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Postës Shqiptare, në ndihmë të ushtarakëve dhe familjeve të tyre.

Marrëveshja ka për qëllim shmangien e korrupsionit, të burokracive, duke shkurtuar kohën e marrjes së shërbimeve.

Marrëveshja që u nënshkrua nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, do t’i shërbejë ushtarakëve që aderojnë ose që janë larguar nga FA. Ky shërbim do të ofrohet tashmë në 35 qytete të vendit, në 50 zyra postare.

“ Me këtë bashkëpunim, që do të shtrihet në të gjithë vendin, burokracitë eliminohen, eliminohet korrupsioni dhe mundimi i njerëzve, që duhet të vinin këtu, kostot e tyre dhe kostot tona, të gjitha bashkë”, u shpreh ministrja Kodheli.

Ndërsa Majlind Lazimi, theksoi rëndësinë e partneritet me institucionet publike.

“Besoj që kjo do të jetë një histori suksesi për ne. Posta Shqiptare u kursen kohën qytetarëve dhe ish-ushtarakëve, njëkohësisht u ofron atyre një shërbim shumë ekonomik, duke aplikuar një tarifë unike prej 150 lekësh, për të gjithë procedurën e veprimeve”, tha drejtori i Përgjithshëm, Majlind Lazimi.

Leave a Reply