«Me racë jemi gegë dhe në vendin tim askush asnjë fjalë turqisht nuk e flet»

Vrasja e një «gjermani» në Gjakovë, frika nga treni në Prishtinë, shkolla franceze në Mitrovicë dhe italiane në Shkup, 1200 dyqanet e Prizrenit dhe hekurudha që e bëri Ferizajn qytet, Shkupi si «zemër» e Kosovës dhe mudiri i Prishtinës që thotë: «Me racë jemi gegë dhe në vendin tim askush asnjë fjalë turqisht nuk e flet» – këto janë vetëm disa hollësi nga disertacioni i historianes Eva Anne Frantz mbi Kosovën në periudhën e vonshme osmane.

Skënderbeu...I.

Rrëmuja e Gjakovës e shtatorit të vitit 1878: një gjerman i bërë osman vritet nga myslimanët që i urrejnë katolikët, të cilët përbëjnë trupën mbrojtëse të pashës osman

«Në vjeshtën e vitit 1878 marrëdhëniet mes katolikëve shqiptarë dhe myslimanëve shqiptarë në Gjakovë u përkeqësuan, kur në fillim të shtatorit 1878 Mehmed Ali Pasha u vra nga myslimanët dhe fandët katolikë shqiptarë si trupë mbrojtëse osmane e Mehmed Ali Pashës u përpoqën ta mbronin atë nga sulmuesit e tij. Si përfaqësues osman në komisionin kufitar osmano-malazez Mehmed Ali Pasha synonte ta bindte popullsinë lokale në Kosovë të pranojë vendimet e Kongresit të Berlinit. Në luftime vdiqën disa qindra persona. Rol thelbësor në eskalimin e dhunës kundër katolikëve në Gjakovë luajtën akterë të veçantë, për shembull kadiu i Gjakovës Ahmed Efendi Koronica, i cili i kishte prirë sulmit kundër Mehmed Ali Pashës dhe njihej si shumë armiqësor ndaj të krishterëve. Ai shpresonte se do t’i bindte edhe myslimanët shqiptarë nga Malësia e Gjakovës për të kundërshtuar Mehmed Ali Pashën dhe sipas nënkonsullit austro-hungarez ai paralajmëroi se ‹kauri, i cili e ka tradhtuar pjesën më të mirë të Turqisë ndaj Europës, ka ardhur dhe po kërcënon t’i përdhosë haremët.  Kush është mysliman të vijë vrap›. Pas vrasjes së pashës Koronica i nxiti myslimanët jo vetëm kundër fandëve, por në përgjithësi kundër të krishterëve dhe ‹proklamoi publikisht se mund të godasin pa ngurrim, sepse ai e kishte shpinën të mbrotjur, se kishte instruksione nga Konstantinopoja dhe do të përgjigjej për gjithçka. Masakrat do të kishin ndodhur sikur myftiu i Gjakovës dhe disa krerë myslimanë të malësorëve shqiptarë të mos kishin kundërshtuar synimin e paskrupullt dhe të çmendur› (sipas raportit që Jelinek ia dërgonte Andrássyt).»

Shënim shtesë: Mehmed Ali Pasha ishte gjerman. Ai u lind me emrin Ludwig Karl Friedrich Detroit në vitin 1827 në Megdeburg, Prusi dhe u vra më 1878 në Gjakovë. Ai ishte në shërbim të Perandorisë Osmane si gjeneralmareshal. Pasardhës i tij është poeti i famshëm turk Nazim Hikmet, i cili u lind në Selanik.

II.

Banorët e Prishtinës në fund të shekullit XIX e shihnin stacionin hekurudhor si «vepër të dreqit»

«U ndërtuan vija hekurudhore dhe më 1874 u hap linja Selanik-Shkup-Mitrovicë. Popullsia lokale në fillim e kundërshtoi me këmbëngulje ndërtimin e hekurudhës, por në vitet vijuese ky qëndrim ndryshoi. Kështu, siç konstatonte (diplomati austriak Theodor) Ippen në fund të shekulli XIX, stacioni hekurudhor i Prishtinës ishte e mundshme të ndërtohej 7 kilometra larg qytetit, sepse […] atëbotë banorët e Prishtinës, që nuk ishin aspak të hapur dhe që trembeshin nga kultura, donin ta kishin sa më larg vetes atë ‹vepër› moderne ‹të dreqit›, derisa tani pandërprerë luten që stacioni të vendoset në një vend më të përshtatshëm.»

III.

Kur Isa Boletini tha: «Boll kemi hoxhallarë» dhe kur Mitrovica kishte shkollë franceze

«Krahas shkollave shtetërore brenda një rrethi të ngushtë mysliman pëlqeheshin edhe shkollat europiano-perëndimore. Kështu në Mitrovicë ekzistoi mes viteve 1907 dhe 1909 një shkollë private franceze e drejtimit tregtar, e cila vijohej vetëm nga fëmijët e agallarëve dhe bejlerëve. Teologët myslimanë dhe banorët ‹fanatikë› e kundërshtonin këtë shkollë, sepse frikësoheshin se fëmijët që vijojnë këtë shkollë do ta ndërronin fenë. Siç tregojnë kujtimet e Tafil Boletinit, fëmijët myslimanë shpesh edhe më tutje vijonin shkollat islame. Ai shkroi se axha i tij, Isa Boletini, i cili kishte hapur një shkollë të vogël private në fshatin e tij të lindjes, shpesh kur pyetej përse bijtë dhe nipat e tij nuk po e vijojnë medresenë, ai përgjigjej se tashmë ka boll hoxhallarë. Krahas shkollës franceze në Mitrovicë është e dokumentuar një shkollë italiane në Shkup, e cila u themelua më 1903 dhe në të cilën jepeshin lëndët italisht, frëngjisht, gjermanisht, osmanisht, gjeografi dhe matematikë. Derisa fillimisht numri i nxënësve u rrit – më 1904 shkollën e ndiqnin 15 myslimanë, dy shqiptarë katolikë, 16 bullgarë, pesë serbë, 17 arumunë dhe tre hebrenj – në vitin 1908 shkolla numëronte vetëm 23 nxënës, kryesisht katolikë».

IV.

Kur i kishte Prizreni 1200 dyqane dhe si u bë Ferizaj qytet?

«Siç u përmend, në Kosovën lindore ndërtimi i hekurudhës solli një lulëzim ekonomik dhe demografik dhe zgjerimin e strukturave qytetare. Në të vërtetë me përjashtim të ndërtimit të hekurudhës pothuaj nuk shiheshin nisma për industrializim, por impulset në pjesën lindore lehtësuan krijimin e fabrikave të para të vogla. Në Mitrovicë dhe në Prishtinë u çelën sharra me makina me avull dhe mullinj të motorizuar. Lulëzimi i qyteteve në Kosovën lindore ndikoi që Prizreni të humbë rëndësinë si qendër ekonomike mbirajonale, gjë që shihet në zhvillimin e pazarit të Prizrenit, i cili e kishte bërë të famshëm qytetin. Sipas konsullit austriak dhe njohësit të Shqipërisë Johann Georg von Hahn pazari në vitin 1863 kishte 1200 dyqane, derisa më 1891 ekzistonin vetëm 100 të tilla. (…) Sidomos për qytetet e vogla si Mitrovica dhe Ferizaj, por edhe për fshatrat në rrethinë si Lipjani hekurudha luajti një rol të rëndësishëm. Kështu Ferizaj u themelua si qytet tek si rrjedhojë e ndërtimit të hekurudhës. Sipas Branisllav Nushiqit atje më parë ishte vetëm një mal dhe disa «shtëpi ciganësh», derisa në fillim të shekullit XX u krijua një qytet i vogël me 400 shtëpi dhe 150 dyqane, banorët e të cilit kryesisht ishin «të huaj» dhe përbëheshin prej arumunëve, katolikëve dhe serbëve nga Prizreni dhe vendeve të tjera të rrethinës, por edhe nga boshnjakët. Rëndësia ekonomike e Ferizajt shihet edhe aty se atje, për dallim nga qytetet e tjera, pazari mbahej çdo ditë.»

V.

Fushata e përbashkët elektorale shqiptaro-serbe

«Një bashkëpunim shqiptaro-serb u zhvillua në fazën përgatitore për zgjedhjet për parlamentin xhonturk në verë 1908.  Sipas Gabriel Louis-Jaray në Tetovë shqiptarët dhe serbët lidhën aleancë kundër bullgarëve dhe këtu edhe zgjedhësit shqiptarë mbështetën kandidatin serb Aleksandar Parliq derisa zgjedhësit serbë në Manastir votuan për oficerin shqiptar Ali Vasfi Efendiun. Përpjekje të ngjashme kishte edhe në shkurt 1912 gjatë përgatitjeve për zgjedhjet për parlamentin xhonturk më 1912. Në Sanxhakun e Shkupit shqiptarët opozitarë mbështetën partinë e Eksarhatit (bullgar), me të cilën shqiptarët lidhën marrëveshje. Opozitarë si Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga u përpoqën t’i bindin edhe serbët lokalë për bashkëpunim në zgjedhje. Por bisedimet me përfaqësuesit serbë, të cilët ishin në kontakt të ngushtë me konsullin serb në Shkup dhe koordinoheshin me të, dështuan, sepse serbët vendosën të lidhin aleancë me xhonturqit.»

VI.

Shkupi – «zemra e Kosovës»

«Se me ‹Kosovë› mendohej tërë Vilajeti i Kosovës bëhet e qartë edhe në të ashtuquajturat 14 pikë të Hasan Prishtinës, i cili krahas nocionit ‹Shqypni› shpesh e përdorte edhe ‹Kosovë› dhe së paku në një vend qartë i referohet krejt Vilajetit. Edhe në gazetën ‹Shkupi› që dilte në Shkup Kosova është e barasvlershme me Vilajetin e Kosovës si ‹zemër› e të cilit përmendej Shkupi. Në një artikull të kësaj gazete, i cili u drejtohet direkt shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës, gjendet edhe emërtimi ‹kosovar›, i cili në përshkrimin e Hasan Prishtinës të kryengritjes shqiptare të vitit 1912 është i dokumentuar vetëm një herë.»

VII.

 «Me racë jemi gegë dhe në vendin tim askush asnjë fjalë turqisht nuk e flet»

«Në burime është i dokumentuar një përshkrim rajonal që ia bëjnë vetes grupet e popullsisë shqiptare dhe i cili ishte i përhapur në trevat e sotme malore të Shqipërisë veriore, por kryesisht edhe në zonat e Kosovës dhe me gjasë edhe përtej tyre. Vetëperceptimi si «gegë», i cili derivon nga kryedialekti i shqipes së folur në trevat veriore dhe verilindore të banuara me shqiptarë dhe i cili tregon mbi lidhjet e ngushta mes Shqipërisë së sotme veriore dhe Kosovës, natyrisht tregon jo vetëm premisën rajonale brenda popullsisë shqiptare, por edhe rëndësinë e gjuhës në percetimin e vetvetes dhe në perceptimin nga të huajt. Aspekti i gjuhës bëhet i qartë edhe në udhëpërshkrimet e Mackenzie dhe Irby, të cilët për shembull përshkruajnë bisedën me mudirin e Prishtinës, i cili ‹na tregoi emrin e familjes së tij, duke shtuar se me racë të gjithë janë gegë dhe se në vendin e tij askush asnjë fjalë turqisht nuk e flet›. Mbi ekzistimin e një identiteti gegë dëfton po ashtu edhe një notë proteste e popullsisë së Pejës, Gjakovës dhe Gucisë kundër vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit, e cila u dërgua në Stamboll në maj 1878 dhe ku bëhet fjalë për ‹popullin tonë gegë› dhe për ‹kombin tonë gegë›. Edhe Hasan Prishtina në studimin e përmendur mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912 krahas emërtimeve ‹Shqypni› dhe ‹shqiptar› në një vend e përdorë edhe ‹Gegni›, që rezulton si nënrajon i Shqipërisë. Këngët popullore shqiptare nga Kosova, të botuara më 1911 nga Vinçenc Prennushi, po ashtu ilustrojnë se nocioniet ‹gegë/Gegni› ishin të përhapura. Më 1912 në gazetën ‹Shkupi› që botohej në Shkup nën titullin ‹Deputetët e Gegnisë› numëroheshin qytetet Peja, Gjakova, Prishtina, Gjilani, Presheva, Mitrovica, Vuçitërna, Ferizaj dhe Gucia, në një numër tjetër këtyre qyteteve iu shtua edhe Shkupi.»

Nga disertacioni i Dr. Eva Anne Frantz: «Mes dhunës dhe bashkëjetesës paqësore – myslimanët dhe të krishterët në Kosovën e periudhës së vonshme osmane, 1870-1913», Universiteti i Vjenës, 2014. 

Përktheu: E.R.

Leave a Reply