Medalje ari për Majlinda Kelmendin në Abu Dhabi

Është me të vërtetë vajza e artë e Kosovës. Majlinda Kelmendi vazhdon t’i sjellë vendit të saj medalje të arta duke bërë njëkohësisht ambasadoren më të mirë nëpër botë për shtetin më të ri të Europës. Xhudistja kosovare, kampione e botës, fitoi medaljen e artë në turneun prestigjioz Grand Slam që po zhvillohet në Abu Dhabi. Edhe një herë tjetër Kelmendi ishte e papërmbajtshme në kategorinë e saj , 52 kilogram duke mposhtur të gjitha rivalet. 23-vjeçarja nga Peja u kualifikua direkt në raundin e dytë ku mposhti kanadezen Ekaterina Guicia, në raundin e tretë Kelmendi mposhti italianen Odet Xhiufrida, ndërsa në të katërtin francezen Anabel Euranie e cila shikohej si një nga rivalet e saj kryesore për medaljen e artë.

Në finale Majlinda Kelmendi kishte përballë Andrea Çitu në një replikë të finales së Botërorit, me vajzën kosovare që e mposhti sërish për të kurorëzuar triumfin e saj në Grand Slamin e Abu Dhabi.. Ky ishte dhe garimi i fundit për këtë vit e me këtë sukses vajza nga Peja fiton plot 500 pikë Olimpike, duke rritur shpresat për të siguruar medaljen e parë të artë për vendin e saj në një Olimpiadë në Rio 2016, pas lajmit të mirë që erdhi pak ditë më parë me pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. “Ndihem shumë e lumtur, edhe pse pas kampionatit botëror pata pak luhatje të formës por u riktheva sërish me shumë stërvitje, jam shume e lumtur pasi edhe pse jam kampione e dyfishte e botes kisha vetëm një medalje të artë në Grand Slam, kjo është fitorja ime e dytë ndaj ndihem shumë mirë”, deklaroi Majlinda Kelmendi.

Leave a Reply