Mirёmbajtja e Tunelit tё Krrabёs jepet pa tender

Mirёmbajtja e Tunelit tё Krrabёs iu dha firmёs ndërtuese pa tender. Pёr kontratёn mjaftoi vetëm njё firmё e ish-zёvendёsdrejtorit tё Autoritetit Rrugor Shqiptar. Kёtё e zbulon Kontrolli i Lartё i Shtetit, nga raporti i tё cilit del se, dëmi ekonomik arrin në 134 milionë lekë ose mbi 1.24 milion USD. Ish-zv.drejtori ёshtё kallëzuar penalisht. Nga auditimi i projektit “Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan” rezultuan një sërë shkeljesh ligjore. Kёshtu, ish-drejtori i Njësisë së Zbatimit të Projektit, më parë, ish-Zv/drejtor i ARSH, ka nënshkruar në kundërshtim me ligjin ndryshimin e kontratës së lidhur më datë 27 prill 2011 për ndërtimin e tunelit të Krrabës, duke i dhënë operatorit ekonomik të përzgjedhur për ndërtimin e tunelit, edhe mirëmbajtjen e këtij tuneli për një periudhë njëvjeçare. Kontrata e re për mirëmbajtjen e tunelit, me vlerë 165 milionë lekë, është nënshkruar pa realizuar procedurat e prokurimit.

Nga auditimi, rezultoi po ashtu se ARSH nuk ka patur asnjë justifikim ligjor në nënshkrimin e kontratës së mirëmbajtjes me operatorin ekonomik fitues të tenderit të ndërtimit të tunelit. Procedura e ndjekur ka shkaktuar pamundësinë e marrjes pjesë të operatorëve të tjerë ekonomik në garё. Nënshkrimi i kësaj kontrate nga S.Ç, ish-Zv/drejtor i ARSH, nëpërmjet një urdhër ndryshimi, nuk parashikohet në asnjë nen të kontratës bazë të vitit 2011, për më tepër që punimet e ndërtimit janë shumë të ndryshme nga ato të mirëmbajtjes. Pra, nuk mund tё konsiderohet si zgjatim i kontratës sё mëparshme. Ndёrkaq, KLSh konstaton se, nё segmentin Sauk-Tuneli i Krrabës dhe Tuneli i Krrabës-Elbasan, sasia e punimeve të çertifikuara nuk është në përputhje me realizimin në fakt, kryesisht në realizimin e mureve prej gabioni dhe vendosjes së rrethimeve anësore. Po ashtu, nuk janë respektuar specifikimet teknike të parashikuara në kontratë, për vendosjen e rrjetave prej gabioni.

Nga ana e kontraktorit nuk është realizuar sigurimi i palëve të treta dhe dëmeve të mundshme, për një periudhë 2-mujore, duke shkaktuar një dëm ekonomik me vlerë 785,732.37 USD. Punime tё likuiduara, por tё papërfunduara, ka pasur edhe nё ndërtimin e tunelit. Gjithashtu konstatohet se janë përdorur paratё e kredisё pa miratimin e Mnistrisё sё Financёs.

Leave a Reply