Mjekët i thonë se fëmija ka vdekur, nëna dyshon se ia kanë ndërruar në maternitet

Më 16 nëntor të këtij viti, një nënë e re lind fëmijën në maternitetin e Tiranës. Mjekët i thanë se fëmija ka lindur e vdekur, por 20 -vjeçarja me inicialet M.Ç., nuk e ka besuar këtë gjë. Ajo u ka kërkuar detaje mjekëve për arsyet e vdekjes së foshnjës, por ata nuk kanë qenë në gjendje që ta bindin.

Si pasojë e kësaj M.Ç., ka dyshuar se fëmija e saj nuk ka vdekur por i është dhënë dikujt tjetër ndërsa 20-vjeçares i është dorëzuar fëmija i vdekur. Bashkëshorti i saj, SH.Ç., i është drejtuar Policisë së Tiranës për të bërë kallëzim për dyshimet e ngritura. Grupi hetimor pasi mori kallëzimin nisi hetimet për misterin e kësaj ngjarje të rëndë.

Kufoma e bebes u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të përcaktuar ADN-në dhe shkakun e vdekjes. Një ditë më parë, Policia e Tiranës thotë se hetimet kanë nisur në ngarkim të disa shtetasve, pa dhënë detaje të tjera. “Kemi nisur hetimet për veprën penale të ‘Ndërrimit të fëmijës’, ku në listë janë përfshirë disa persona. Për arsye hetimi, nuk jepen të dhëna të tjetra”,-thonë burimet zyrtare të policisë.

Leave a Reply