Negociata të ethshme Shqipëri-Serbi në prag te vizitës së kryeministrit Edi Rama

Serbia po bëhet gati të shtroi tapetin e kuq të parin kryeministër shqiptar pas shtatë dekadash, nën një klimë të tensionuar dhe masa të rrepta sigurie.

Megjithatë, tre ditë para vizitës së Edi Ramës në Beograd, e cila negociohet prej më shumë se një viti, axhenda është ende objekt i diskutimeve mes dy palëve.

Vizita e inkurajuar nga Brukseli ishte planifikuar të zhvillohej më 22 tetor, por tensioni pas ndeshjes Serbi-Shqipëri përfshiu në debate të ashpra zyrtarët më të lartë të dy shteteve. Një telefonatë mes Ramës dhe kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç e shtyu vizitën për në 10 Nëntor, pasi dy homologët ranë dakord të linin pas mosmarrëveshjet e shkaktuara për përgjegjësinë e incidentit në stadiumin “Partizani” të Beogradit.

E ndërsa delegacioni shqiptar po bëhet gati për “udhëtimin historik”, pala serbe nuk ka zhdoganuar ende përfundimisht detajet e vizitës së kryeministrit shqiptar. E këtu, pika më e nxehtë e negociatave ka qenë takimi i kryeministrit Rama me komunitetin shqiptar që jeton në luginën e Preshevës.

Ambasadori shqiptar në Beograd pohoi në një bisedë telefonike për BIRN se negociatat për axhendën e vizitës nuk ishin mbyllur ende. E megjithatë, ai konfirmoi se është rënë dakord që kryeministri të realizojë vizitën e tij të parashikuar në luginën e Preshevës.

“Vizita në Preshevë do të zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar,” i tha ambasadori Ilir Boçka BIRN-it.

Sa i përket pjesës tjetër të axhendës, ende nuk ka një draft final. Megjithatë, BIRN mësoi se Rama do të zbresë në aeroportin e Beogradit, së bashku me delegacionin që e shoqëron në orën 09:30 të mëngjesit të së hënës. Më pas, delegacioni do të shoqërohet në masa të larta sigurie drejt hotelit “Hyatt”, ku do të qëndrojë kryeministri shqiptar.

Draft-axhenda përcakton orën 11:00 si nisjen e pritjes zyrtare, me himnet kombëtare të dy vendeve në pallatin “Serbia”. Përgjatë një ore e gjysmë do të realizohen takimet Rama-Vuçiç dhe i ministrave të Jashtëm, Bushati-Daçiç. Në 12:30, dy kryeministrat do të mbajnë edhe konferencën e përbashkët për shtyp, një moment ky tjetër delikat për shkak të qëndrimeve të kundërta, që kryeministrat pritet të kenë për incidentin e Beogradit.

Në orën 18:00, Rama pritet të mbajë fjalën në tryezën e bashkëpunimit Shqipëri-Serbi, që është planifikuar të zhvillohet në hotelin Frankensteiner“ në Beogradin e ri. Vizita në bashkinë e Beogradit, ku sipas axhendës së para-incidenteve pritej të merrte „Çelësin e qytetit“ mbetet për t’u konfirmuar.

“Ne duam të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet me Serbinë”,-tha ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në një intervistë për Euractiv. I pyetur për incidentin e Beogradit, ai tha se nuk do të bënte asnjë lidhje me tendencat nacionaliste në Shqipëri. “I vetmi projekt që vendi ynë po ndjek është pranimi në BE”,-tha Bushati.

Por presidenti serb, Tomislav Nikolic nuk është ndikuar nga afrimi i vizitës së Ramës për të zbutur tonet ndaj Shqipërisë. Në takimin e së premtes me kryeministrin francez, Manuel Valls, Nikolic denoncoi ato që ai i quajti provokime në rritje të shqiptarëve në rajon. Në këtë shtrat mosbesimi dhe tensioni po i jepet dora e fundit, vizitës së parë të një kryeministri shqiptar në Beograd pas vitit 1946.

*Marrë nga BIRN

Leave a Reply