Nepal, numri i viktimave arrin rreth 3900, tërmeti godet sërish

Rritet bilanci i të vdekurve nga tërmeti në Nepal. Sipas të dhënave nga ministria e Punëve të Brendshme të Nepalit, shifra ka shkuar mbi 3880 persona, ndërsa mbi 6.500 të tjerë janë plagosur.

Ende nuk ka një bilanc të saktë rreth numrit të viktimave pasi autoritetet e Neaplit bëjnë me dije se shërbimet emergjente dhe ekipet e kërkim-shpëtimit po kërkojnë nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruar nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin. “Operacionet e kërkim-shpëtimit janë në vazhdim. Kemi nevojë për strehim të mijëra njerëzve që kanë humbur shtëpitë e tyre”, tha zyrtari i policisë së Nepalit, Ramesheor Dangal. Epiqendra e tërmetit me magnitudë 7,8 i shkallës rihter ishte 80 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit të vendit, Katmandu, i cili shkaktoi një bilanc tragjik.

Të dielën Nepali është goditur nga një tjetër tërmet me magnitudë 6,7 i shkallës riter, i regjistruar 65 kilometra në lindje të kryeqytetit të vendit. Me mijëra qytetarë janë duke fjetur në qiell të hapur, pasi banesat janë tërësisht të rrënuara nga lëkundjet e vazhdueshme të tokës. Ata rrezikohen që të shemben, ndërkohë që lëkundjet e tokës kanë dëmtuar edhe rrjetin e telekomunikacionit në vend.