Nishani: Guvernatorin se propozon kryeministri. Presidenca s’është butik, ku të negociohet për çmimin

Presidenti Bujar nishani ka treguar se nuk ka ndërmend që të bashkëpunojë me mazhorancën për zgjedhjen e guvernatorit të ri.

Duke folur në një intervistë për “Panorama”, ai ka thënë se guvernatorin nuk e sugjeron kryeministri.

Sa i përket emrit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, duhet të mos teprohet me spekulime. Nuk ka përcaktim ligjor që Guvernatori të sugjerohet nga Kryeministri. Guvernatorin e propozon Presidenti dhe e miraton Parlamenti”, thotë Nishani.

Ai thotë gjithashtu se është i pashqetësuar edhe për faktin se shumica ndërkohë po plotëson tri vendet vakante që janë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës.

“Le të bëjë Parlamenti dhe qeveria çfarë t’u duket e leverdishme. Ajo që unë si President do bëj është se në çdo rast e çdo rrethanë do zbatoj përpikëmrisht Kushtetutën dhe ligjin”, shprehet Nishani.

I pyetur për rrëzimin e dekreteve të Gjykatës së Lartë, ai thotë se Grupi Parlamentar i PS-së nuk është i prirur të respektojë Kushtetutën dhe institucionin e Presidentit teksa përshëndet qëndrimin e disa deputetëve të LSI-së, të cilët votuan pro dy gjyqtarëve.

Në fund, Nishani i drejtohet shumicës, e cila gjatë javës së kaluar ka kërkuar ndryshimin e mënyrës se si presidenti dekreton gjyqtarët për në Gjykatën e Lartë.

Presidenca nuk është ndonjë butik, ku çmimi i veshjeve të shtrenjta mund të negociohet”, thotë Nishani./b.l

Leave a Reply