Nisin punimet për pallatin 17-katësh te Liqeni Artificial, priten pemët

Ndërsa prej disa javësh ambientalistët kanë denoncuar si të paligjshëm ndërtimin e kompleksit 17-katësh në zonën e Liqenit Artificial, mëngjesin e sotëm, disa punëtorë kanë nisur prerjen e pemëve përreth kësaj zone.

Sipas “Shqiptares”, punëtorët pranuan se pemët po priten për t’i hapur rrugë një kompleksi të madh në një nga zonat më të preferuara të kryeqytetit. Siç shihet në tabelë leja ndërtimore është dhënë nga Bashkia e Tiranës në gusht të këtij viti dhe zbatues i projektit është firma “Gener 2” sh.p.k.
Objekti është parashikuar të jetë me pesë struktura banimi dhe shërbime me nga 1 deri në 17 kate, me nga tre kate parkimi dhe shërbime nëntokë.

Por me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit në zonat pranë digës nuk lejohen të ndërtohen objekte mbi 9 kate banimi. Sipas ambientalistëve ky kompleks tek zona sportive poshtë Parkut të Liqenit Artificial është dhënë në mënyrë të jashtëligjshme nga Bashkia e Tiranës.

Ky pallat ndërtohet në një zonë të konsideruar si e brishtë për ndërtime pasi është poshtë digës së liqenit, e cila në rast dëmtimi rrezikon përmbytje në zonën e Komunës së Parisit.

Leave a Reply