Një buxhet pa opozitë

mero

Nga Mero Baze

 

Qeveria po kalon me lehtësi debatin mbi buxhetin e vitit 2015, në një sallë ku opozitarët e vetëm janë disa socialistë veteranë, të cilët vazhdojnë ta konsiderojnë partinë e tyre të majtë tradicionale për Shqipërinë. Të vetmet kritika në thelb socialiste ja bënë buxhetit Pandeli Majko dhe Namik Dokle, të cilët kërkuan në një farë mënyre “sakrificën” e buxhetit për disa shtresa në nevojë dhe jo për disa biznesmenë në nevojë, siç ka disa raste në projektbuxhet.

Kryeministri u qëndroi fort vërejtjeve të Majkos, duke deklaruar tolerancën zero për kamatvonesat e energjisë, si dhe prishjet e ndërtimeve pa leje në zona ku ende nuk ka një plan urbanistik.

Por, kryeministri duket se nuk ka një përgjigje, për një “qokë” klasike klienteliste, siç është heqja e akcizës për pijet energjitike. Ka një arsyetim se kjo është kërkuar nga ambasada austriake, si vend prodhues i Red Bullit. Ka dhe një arsyetim se disa prodhues vendas të pijeve energjike rëndohen nga akciza. Nëse do të ishim në një ekonomi normale, jo në krizë, dhe nëse nuk do të kishim ndërmarrë masa të tjera drastike që kanë shtuar papunësinë, siç janë prishja e ndërtimeve pa leje, kujdesi i treguar ndaj efektit të pijeve energjike në tregun tonë do kishte kuptim. Por, kjo qeveri nuk shquhet për kujdese të tilla. Dhe në rastin kur një qeveri vendos të bëjë reforma, natyrisht nuk ja vlen të bëjë paralelisht dhe qoka.

Në rastin e pijeve energjike, qeveria nuk ka justifkim. Ajo është në kulmin e një reforme shtrënguese financiare, për të shmangur gropa nga buxheti i shtetit, dhe lejon një gropë sado të vogël, duke favorizuar një grup biznesmenësh, që i përkasin shërbimeve ndaj një pjesë mbi mesatare me të ardhura në shoqërinë shqiptare. Pra, jemi thjesht në rastin e një grupi lobues klientelist, që ka kapur qeverinë.

Nga ana politike, qeveria po ndërmerr ndërkohë një hap që bie ndesh dhe me vendimin e Komisionit të Ekonomisë, e cila nuk e miratoi në parim këtë heqje akcize. Bile pati debate të ashpra dhe deklarata të forta individuale të deputetëve, të cilët me sa duket nuk ishin aq të qartë se klientela e pijeve energjike kishte kapur kryeministrin.

Po më e paturpshme është kjo situatë e parë nga pozitat e opozitës. Kritika e vetme që opozita i ka bërë buxhetit, është një deklaratë me gjuhë druri e Ridvan Bodes, që akuzon qeverinë se ka ulur në 14 për qind të buxhetit investimet, nga 25 që ka qenë në kohë të Bodes dhe kjo sipas tij, e bën buxhetin bllokues. Ish- ministri i Financave nuk ka thënë asnjë fjalë kundër fenomenit të hapjes së një grope në buxhet për interes të grupit të pijeve energjike. Arsyeja është se lobuesi kryesor i kësaj nisme, është një mik i ngushtë i tij, dhe gjatë qeverisjes së kaluar kishte në dorë jo vetëm lehtësitë fiskale për vete, por kontrollonte përmes njerëzve të familjes së tij dhe sistemin e tatim- taksave të Shqipërisë. Është fjala për importuesin e Red Bullit në Shqipëri, kunati i të cilit ishte dhe drejtor i Tatimeve VIP dhe disa kohë dhe të Tiranës, dhe që përdorej nga ky biznesmen për gjoba ndaj kundërshtarëve politikë të qeverisë, të cilat konvertoheshin pastaj në favore për bizneset e tij si shpërblim. Gazeta TemA ishte një nga këto viktima, që i shërbeu këtij biznesmeni për t’u lavdëruar pranë Berishës, si njeri që i kishte bërë shërbime, duke e gjobitur kunati i tij.

Duke qenë një biznesmen që vjen nga aferat korruptive të së majtës së vjetër të Fatos Nanos, atij iu desh afërsisht dy vjet t’i ngjitej pas qeverisë së re të Berishës derisa riktheu njerëzi e tij në postet kyçe të tatim- taksave për të krijuar parajsën e tij fiskale. Banaliteti arriti deri atje, sa për të futur në treg një produkt të kafes së tij, tatimorët gjobisnin çdo lokal që refuzonte ta merrte. Të njëjtin ndëshkim kishin dhe nëse në vend të Red Bullit merrnin ndonjë pije tjetër energjike.

Pas një viti e gjysmë, duket se i njëjti person arriti ta kapë qeverinë e re, dhe të fillojë të vërë në lëvizje mekanizmat e tij për t’i krijuar lehtësi fiskale. Ky nuk është një lajm dëshpërues për buxhein. Buxheti edhe ashtu ka plot gropa, që zor se do t’i mbushë dot, me planet që bëhen në letër. Ky është më shumë një lajm i rëndë politik, që nuk i bën socialistët krenarë për atë për çfarë kanë ardhur në pushtet, luftën ndaj klienteve të politikës në biznes. Arsyetimet për rekomandime të huaja apo interesa të brendshme janë kot. Edi Rama ka dhënë prova që di të marrë vetë vendime dhe kur të huajt i rekomandojnë ndryshe, siç ka dhënë prova të kapjes së pushtetit të tij nga klientët e djeshëm të Berishës, në disa raste.

Kjo  lehtësi fiskale për pijet energjike, nuk është se prish buxhetin, por prish një model të premtuar qeverisje nga socialistët, për të cilën tani ka vetëm pak zëra opozitarë, dhe ata brenda Partisë Socialiste. Jashtë saj është një opozitë inekzistente, që nxjerr Gridën çdo ditë të na flasë për moral dhe mungon në debatin për ligjin më të rëndësishëm të vendit, i cili është pasaporta morale e qeverisjes.

 

Leave a Reply