Një rrëfim për filizat e rinj të Lulit dhe asgjësimin e ‘gardës së vjetër’

Nga Arben Meçaj*

1455032_10204506126308451_4178380038749081277_n

Dita e djeshme në planin mediatik u dominua nga një promocion i shoqëruar me deklarata të “pompuara” të kryetarit të PD z. Basha. Në parim tërheqja në mënyrë institucionale në një grupim politik i brezit të ri intelektual përbën një aksion që duhet përshëndetur dhe nxitur nga të gjitha drejtimet: media, opinionistët, politikanët.

E mbërthyer në konjuktura nepotike e klienteliste politika bëhet pengesë serioze e zhvillimit në përgjithësi por dhe asfiksimin e frymës dhe alternativave në një parti. Ka vite që në tribuna kemi parë promocione të ngjashme.

Kryesisht në prag fushatash, dhe në masën më të madhe nga grupime politike në opozite. Kemi parë që pas këtyre promovimeve të shpallura me një eufori të paparë, ngjarjet janë zhvilluar sikur këta “të promovuar” nuk kanë ekzistuar më kurrë.

E thënë më qartë, tendenca për të dhënë një imazh ndryshe është shoqëruar në të gjitha partitë e mëdha në opozitë me “skenografi” të tilla, me shfaqje për të “promovuar” njerëz që kanë mbetur në kujtesë vetëm ditën kur janë dhënë deklaratat e më tej kanë humbur në eter.

 

Zhgënjimi i parë, emisioni

Po a ishte dhe kjo një shfaqje tashmë e dalë boje në politikën shqiptare? Me keqardhje konstatoj se e tillë ishte. Ndoshta nuk do të konsolidoja këtë bindje nëse nuk do të kisha ndjekur një emision promovues në ’24-News’ me pjesëmarrjen e disa koordinatorëve të përzgjedhur nga Basha.

Çfarë detyre konkrete keni si koordinatorë?, – ishte pyetja e parë e sinqertë e moderatores.

Të dalim në terren të mbledhim të dhëna të kordinojmë qytetarët me partinë, apo ku ta di unë se çcfarë nuk thanë. Askush nuk po sqaronte: Ç’ishte kjo strukturë? Ishte skuadër me drejtues? Ku ishte vendi i tyre në parti? Nga kush do t’i merrte detyrat dhe në funksion të kujt strukture do të punonin? Kush ishte udhëheqësi organizativ i tyre?

Me sforco ndoqa këtë emision, natyrisht me qëllimin e mirë për të kuptuar çfarë përfaqësonte kjo strukturë e promovuar me madhështinë e një zbulimi epokal si ‘muza” e munguar e PD-së.

Për hir të së vërtetës nuk mora vesh asgjë, përveç deklaratave fikse të mësuara gati përmendësh e të bajatosura tashmë. Përshtypja e parë nga “emisioni reklamë“ për koordinatoret ishte: Një panel me katër koordinatorë në eufori adoleshente, që ishin frymëzuar (apo ju ishte mbushur mendja vërtet ) se ata ishin shpëtimi apo “perla” në guaskën e shoqërisë shqiptare që “eksploruesi” Basha me mund, dhe pas një humultimi serioz kishte arritur t’i zbulonte në kohën më optimale dhe po ja ofronte opinionit si imazhi i ri i PD-së.

Dikush nga paneli i mëshoi diçkaje tepër interesante: ‘Faleminderit udhëheqjes së PD ( gjithmonë Basha) që na konstatoi, dhe na thirri ne radhët e saj. Partia Socialiste nuk e bëri këtë gjë’ (është shprehje nga emisioni). Kishte dhe çudira të tjera në këtë promovim. Si të pa instruktuar fare, ndoshta dhe si të dalë për herë të parë në publik këta “thesarë” në emision sqaruan se kishin vite në Shqipëri, se ishin ekspertë të mrekullueshëm dhe me shkolla perëndimore edhe pse më parë askush nuk i kishte dëgjuar apo promovuar. Njëri prej panelisteve u shpreh me krenari se: ‘kishte dy vite e gjysmë që ishte drejtor drejtorie i qeverisë Berisha’. Tjetri,ishte pedagog i jashtëm që jepte disa lëndë në disa universitete dhe tek UET (Më duket se pashë disa pedagogë të UET në grupin e koordinatorëve).

Po mire mo djalkë, a e di se shkatërrimi i universiteteve nisi në kohën kur ti hapeshe b.. se ishe pedagog? Ishit ju që jepnit disa lëndë në disa universitete që i dhatë udhë shkatërrimit. Një lëndë kam dhënë unë, në një univestitet dhe jo si pedagog i jashtëm se nuk mundesha.

Nuk dua të qëndroj më tek ky emision. Nuk ishte ky emision qëllimi i ketij artikulli. Emisioni më ndihmoi të kuptoj përfundimisht se historia e promovimeve ishte skenografi boshe.

 

Një vështrim mbi organizimin

Vite të tëra në politikë pranë PD-së jam marrë me organizimin. Mbaj mend kur në ’95 organizuam një strukturë në rang nëndege të PD-së në Tiranë. E emërtuam Grup Seksioni i Intelektualeve të PD-së. Krijuam disa seksione për fusha të ndryshme (oponente dhe njëkohësisht ideatore paralele per çdo ministri). Fiks kjo strukturë me sekretariate që ka mundësuar statuti i ri i PD-së. Kur kjo strukturë u fuqizua si në numër ashtu dhe ide dhe nisi të shfaqte mendime oponente…pas dy muajsh u urdhërua shkatërrimi i menjëhershëm i saj. Pranë drejtuesve të PD-së, kërkova me forcë të mos prishej se ishte një vlerë e rëndësishme e PD-së, por për drejtuesit ajo ishte pengesë për filozofinë qeverisëse te kohës.

Viti 2004. Qeverisja Nano në dekadencë po ofronte terren për opozitën, ndërkohë që opozita e kohës kishte fytyrën agresive të Berishës. Këshilltaret udhëzuan ndryshim imazhi. Ndërkohe një udhëzim më konfidencial sugjeronte që të realizohej promovimi i disa individëve me profil fare të panjohur në publik, por të njohur diku tjetër. U prodhua KOP-i një strukturë, e cila më tepër se organizative ishte një trampolinë justifikuese për të katapultuar direkt në parti dhe media individë, të cilët u raportuan si prurje të reja, si një frymë e mendim i ri prej liderit Berisha.

Në kushtet kur koha e zgjedhjeve ishte e shkurtër (jo më shumë se 1 vit), në PD nuk ekzistonin fare struktura profesionale. “Garda e vjetër qëndrestare” kishte te konsoliduar pozicionet institucionale në strukturat organizative të PD-së, si dhe pushteti i Berishës ishte i padiskutueshëm, KOP-i dha nje efekt të padiskutueshëm imazhi në opinion. Basha si nje individ i projektuar enkas, pësoi një katapultim domethënës jo vetëm në PD por dhe në opinion. Pas vitit 2005, idetë, programet dhe individët “garniturë“ të KOP-it mbetën një kujtim i bukur i aksionit para-elektoral. PD-ja neutralizoi plotësisht strukturat e saj profesionale.

 

Amullia Sekretariate-Koordinatorë

Viti 2014 Basha zgjidhet kryetar i PD-së. Nuk dua të qëndroj në staturën e tij apo aftësinë për të përballuar përgjegjësinë e drejtuesit të PDsë, tashmë kjo është zgjedhje e PD-së. Në organizimin e ri prodhohen sekretariatet si struktura organizative profesionale, paralele me ato të qeverisjes. Një organizim normal për një grupim politik në opozitë. Këto struktura janë në kulmin e vet të strukturimit, sapo u shpallën kandidaturat dhe pritet përzgjedhja e tyre, dy kandidatë nga vetë Basha (kujdes dhe këtë strukturë e përzgjedh direkt Basha) dhe votimi në Këshillin Kombëtar.

Natyrisht këto struktura janë ato që në mënyrë legale përgatisin platformat e oponencës si dhe programet e qeverisjes. Në këto sekretari përgatiten e promovohen kontingjentet dhe strukturat hije të qeverisjes së nesërme etj etj. Ato organizojnë komunikimin e strukturuar dhe legjitim me elektoratin dhe militantët për të formatuar aksionin politik në sektorët përkatës. Janë këto struktura që grumbullojnë elemente potenciale të inteligjencës shqiptare dhe i hedhin ata direkt në aksione programore dhe propagandistike të opozitës.

E kur gjithë këto elemente organizative janë “në furrë”, si dhe kanë gjithë mandatin që në mënyrë institucionale të promovojnë “ajkën” atëherë çfarë janë koordinatorët?

Çfarë detyrash statusore kanë këta individë? Me çfarë skeme do të dalë PD-ja në opinion për mbrojtjen e tezave apo aksioneve politike? Me sekretariatet e mandatuara apo me “xhevahirët koordinatore”? Deri tani asgjë nuk është e qartë në planin organizativ.

 

“Garda e Vjetër” dhe “Projekti Basha”

 

Nën moton se “nuk ka vende institucionale për të vjetërit”, sepse duhet imazhi i ri, po del në pah qartë se Basha po prodhon ‘partinë e re’. Në kohen e KOP-it, garda e vjetër e qëndresëtarëve ishte e instaluar në institucionet politike organizative të PD-së. Askush nuk kishte kurajën ta cënonte. Sot duke i pasur nëpër këmbë, Basha (dhe ata pas tij) e ndien veten të dobët, të rrezikuar në çdo moment, pa themel, të pasigurtë në drejtimin dhe kontrollin e Partisë Nënë. Sot, “gardistët” dhe pse e kuptojnë “spostimin me lezet” janë në pritje te “kockës “ dhe heshtin.

Është thjesht çështje kohe flakja e tyre përfundimtare, ‘Partia Basha’ tashmë ka zënë rrënjë institucionale.

Po deri ku do të shkojë kjo parti? “Themeluesi” i projektit të ri është Lulëzim Basha. Partia e tij do të shkojë deri tek historia e tij, tek e djeshmja dhe e sotmja e profilit publik dhe personalitetit të tij.

 

Se ç’do jesh nesër, e tregon kush ishe e kush je

 

Berisha ishte President dhe në pesë vite krijoi një staf bashkëpunëtoresh. Iku nga pushteti dhe për tetë vjet ky staf, në pjesën me dërmuese, e shoqëroi në selinë e partisë. Më tej, i gjithi pa përjashtim, u instalua pranë tij në kryeministri.

Rama punoi në Bashki dhe prodhoi një staf bashkëpunëtorësh. Sot në qeverisje gjithë bashkëpunëtorët e tij janë në pika kyçe të drejtimit të qeverisjes.

Prodhimi i stafeve të qëndrueshme dhe “besnike“ (të punuarit, menaxhuarit dhe drejtuarit të grupit) është tipari i domosdoshëm i një lideri politik. Këtë tipar kanë pasur dhe disa ministra qoftë të Berishës ashtu dhe Nanos gjatë kalimit nga ministria në ministri. Ishin ministra potentë me staturë të fuqishme në opinion.

Tre ministri tepër të rëndësishme ka kaluar “në dore“ dhe Basha. A mund të më thotë dikush ndonjë staf bashkëpunëtorësh të tij? A mund të identifikojë dikush një për be’, një intelektual të shkolluar jashtë shteti, vlerë në shoqërinë shqiptare, të promovuar nga Basha në historinë e tij tetë vjeçare si ministër? Mos u lodhni, nuk ka.

Po identifikoj unë tre “bashkëpunëtorët” të tij në ministrinë e Ndërtimit: Teliti, Biçoku, Toma. Vetëm me këta të tre shkaterroi Durrësin,Tiranën (sidomos Tiranën). Abuzoi me ujësjellësit (e di mirë ai se si) dhe i vuri vulën vjedhjes me Rrugën e Kombit. Basha nuk di të prodhojë ekip. Basha nuk di të promovojë.

Por dhe tre bashkëpunëtorët që përmenda nuk është se i kishte zgjedhur vetë Basha. Këta ja kishin vendosur nga pas si “bashkëpunëtorë” .Pranë tij këta ishin kontrollore dhe kornerë.

Është e njëjta dorë, e njëjta strategji si tetë vite më parë dhe një Lul që luan bukur rolin si ‘Lider’. Asgjë nuk ka më rendësi, as historia as sakrifica as përkushtimi 23-vjeçar.

Për mbijetesë dhe me çdo kusht duhet ndryshuar imazhi.

Këtë lojë nuk e ka skenarizuar Basha. Ai nuk ja ka idenë se ç’janë projektet. Por ama ai është një aktor i shkëlqyer. Rolin e luan shumë mirë në diksion, plastikë, performancë.

Por fatkeqësisht KOP-i si filozofi progresi, rritje, rinovimi është një histori e dalë boje. Bojën ia kanë nxjerrë vetë ata që e projektuan, volën dhe më pas vranë. Bojën ja ka nxjerrë profili tetë-vjeçar i protagonistit dhe përfituesit të vetëm të tij: Lulzim Basha. /Pol.al

*Ish- deputet i PD

Leave a Reply