Pallatet pa leje, si do legalizohen

ALUIZNI sqaroi për “Shekullin” se si do të legalizohen pronarët që banojnë në një godinë disa-katëshe. Në këtë kategori janë listuar objektet e ndërtuara kryesisht si komplekse banimi me shumë kate, apo që janë ndërtuar për qëllime social ekonomike. Burime nga ALUIZNI, shpjeguan dje praktikën që do të ndiqet në raste të tilla, sipas të cilëve nëse në një pallat me 5 kate kanë ndërtuar 5 persona në një truall që kushton 500 mijë lekë pjesëtohet për 5. Në këtë mënyrë, trualli ndahet në pjesë të barabarta dhe pagesa që ata do të bëjnë do të shkojë për të kompensuar ish- pronarët e truallit. Ashtu sikundër është bërë e ditur me vendim qeverie, pagesa për truallin do të jetë sipas çmimeve të tregut sipas hartës së çmimeve të vendosura nga qeveria.

E njëjta teori do të funksionojë edhe me shtesat anësore për të pallateve. Pjesa e truallit e zënë do të përpjesëtohet në varësi të kateve dhe pagesa do të bëhet e barabartë mes pronarëve. Për sa i përket komplekseve të banimit, ato do të zgjidhen sipas rastit me vendime qeverie. Rasti i fundit ka qenë ai i komplekseve “Hawai- Alb ” sh.p.k. ku qeveria vendosi t’i kalojë në pronë shtet truallin ku janë bërë ndërtimet dhe banorët e tyre nuk kanë përgjegjësi financiare për të marrë truallin. Megjithatë caktimi i pronësisë së truallit ku janë ndërtuar komplekset e banimit, do të marrë zgjidhje me vendime që pritet të nxjerrë Këshilli i Ministrave.

Megjithatë të gjithë të interesuarit që duan të legalizojnë objektin e tyre, pavarësisht funksionit, për banim apo social-ekonomik, duhet të bëjnë vetëdeklarimin para datës 31 dhjetor. Ndërkohë që janë bërë publike edhe afatet se kur duhet të bëhen pagesat e faturave. Në rast se pronarët e objekteve bëjnë pagesën brenda 6 muajve, nga momenti kur presin faturën, do të përfitojnë edhe ulje, ndërsa për ata që nuk munden të bëjnë pagesën brenda këtij afati, do të “penalizohen”.

Penalizimet në rast mospagese

Shkurtohet afati që kanë në dispozicion familjet për të bërë pagesën e truallit me të gjitha lehtësirat që parashikon ligji i ri. Vendimi i fundit i qeverisë i botuar në Fletoren Zyrtare zëvendëson afatin e mëparshëm, i cili ishte një vit, me 6 muaj. Kjo do të thotë se nga momenti i tërheqjes së faturës familjet kanë afat 6 muaj për ta paguar parcelën ndërtimore që kanë në zotërim me reduktimet e përcaktuara në ligj, ku bën pjesë pagesa me bono në 50 për qind të vlerës, zbritja 20 për qind, të cilën e përfitojnë ata që paguajnë brenda 45 ditëve, si dhe 10 për qind që falet për pagesën e energjisë elektrike. Burime nga ALUIZNI, bënë të ditur, se nëse qytetari i cili ka bërë tërheqjen e faturës nuk bën derdhjen e parave brenda 6 muajve, vlerën e truallit do ta paguajë ashtu siç i është llogaritur.

Pra formula për parcelën ndërtimore, për të cilën do të bëhet kalimi i pronësisë, nuk do të ndryshojë. Kjo sipërfaqe do të llogaritet me gjysmën e vlerës së tregut, pa tejkaluar çmimin 2 mijë lekë metri katror në zonat urbane dhe 1500 lekë në komuna. Ajo që humbet qytetari nëse nuk shkon për të bërë shlyerjen e faturës brenda këtij harku kohor, është mundësia për të përfituar nga reduktimet shtesë, të cilat janë pagesa me bono dhe zbritja 10 për qind, e cila shërben si stimul për shlyerjen në mënyrë të rregullt të faturave të dritave.

Kjo vlen për familjet që kanë ndërtuar në tokë shtetërore dhe tokë me pronarë,pasi ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre nuk kanë asnjë detyrim financiar. Në kohën kur pagesa nuk bëhet brenda 6 muajsh, vendimi përcakton që regjistrimi i pronës të bëhet në hipotekë, por jo në emër të familjarit që ka në posedim objektin, por në emër të ALUIZNI-t. Kjo do të thotë që deri në derdhjen e parave qytetarit i mohohet e drejta për të qenë pronari i ndërtesës dhe truallit ku ka ndërtuar.

Afati i fundit

Afati i fundit për të bërë vetëdeklarimin është 31 dhjetori. Konfirmimi u bë nga drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI- t, Artan Lame, para pak ditësh. Faza e aplikimeve e hapur në javën e parë të muajit korrik do të përmbyllet në fund të vitit. Pas kësaj date, familjet që kanë në posedim një objekt informal dhe nuk janë paraqitur pranë zyrave të Agjencisë së Legalizimeve për të bërë vetëdeklarimin, ndonëse ndryshimet në ligj u japin të drejtë të përfshihen në proces, do të përjashtohen.

Pronarët që do legalizohen falas

Personat që kanë statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik dhe që posedojnë ndërtim pa leje do të përfitojnë falas parcelën ndërtimore. Gjithashtu poseduesit e ndërtimeve pa leje që kanë në përbërje familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik dhe/ose tetraplegjik, përfitojnë 50 për qind zbritje nga vlera e parcelës ndërtimore. Do të përfitojnë zbritje në masën 30 për qind nga vlera e parcelës poseduesit e ndërtimeve pa leje që janë subjekte të ndihmës ekonomike. Po kështu përfitojnë legalizimin falas edhe ata persona që kanë statusin e të verbrit. Jashtë kësaj liste përfitimi janë ish-të përndjekurit politikë, të cilët hyjnë në procesin e legalizimit njëlloj si të tjerët.

Leave a Reply