PËRGJIMI / Favoret seksuale nga mësueset, drejtoresha: Ky do gjithçka për vete

Skandali i drejtoreshës së Zyrës Arsimore të Lushnjës, duket se vazhdon të thellohet edhe më tej, ndërsa faktet që zbulohen në të janë edhe më të rënda. Pak ditë pas arrestimit të Liza Tabakut dhe dhënies së masës së sigurisë ndaj saj, ndaj të birit si dhe ndaj një mësuesi të Edukimit Fizik në Lushnjë, hetimet e policisë dhe të prokurorisë kanë zbardhur të tjera detaje, të reja mbi arrestimin.

Sipas hetimit, në disa raste gruaja është përpjekur të ushtrojë ndikim tek mësueset femra që tentonte të rekrutonte apo kishte rekrutuar, me qëllim që ajo t’ua ofronte njerëzve me pushtet apo njerëzve me të cilët kishte marrëdhënie pune dhe miqësie.

Në një rast madje ajo dyshohet se ka biseduar me një person pikërisht në lidhje me këtë temë, ndërsa zëri i gruas është regjistruar nga një përgjues ambiental i vendosur në zyrën e kësaj të fundit në ambientet e Drejtorisë Arsimore të Lushnjës. Burime të hetimit në Lushnjë thanë se në një bisedën e regjistruar mes ish- drejtoreshës së arrestuar dhe një personi tjetër, në të cilën flitet për favore seksuale për një mësuese, është dëgjuar një batutë e funksionares së arrestuar e cila thotë: Ky është i tmerrshëm s’ të le asnjë pjesë. I do të gjitha për vete”.

Një fragment i tillë është regjistruar dhe më pas edhe dëgjuar disa herë nga hetuesit që ishin duke kryer transkriptet e hetuesve të Prokurorisë dhe të Policisë së Lushnjës, që kanë kryer edhe hetimin e çështjes. Kjo ka bërë që policia më pas të vijojë edhe më tej hetimin dhe vëzhgimin në të gjitha format të gruas së “pushtetshme”. Gjatë hetimeve të kryera, policia mësohet se mësuesit që kërkonin punë pranë Zyrës Arsimore të Lushnjës, kontaktoheshin nga persona të ndryshëm, si në disa raste i biri, apo mësuesi i Edukimit Fizik dhe më pas ata paguanin paratë.

Pak kohë pasi mësuesit kishin paguar paratë tek drejtoresha, kjo e fundit nëpërmjet personave të tretë ushtronte presion tek ata me qëllim që të paguanin sërish, duke i kërcënuar se do të hiqeshin nga puna sepse iu ishin gjetur shkelje. Ndërkaq nga hetimi në disa raste, specialistët e policisë dhe të prokurorisë, kanë vërejtur se drejtoresha Tabaku, ua merrte paratë por më pas nuk i fuste në punë, duke iu dërguar llaf se duheshin para të tjera. Ndërkaq më tej, dyshohet se një person tjetër futej si pykë duke pohuar se ai mund ta mbaronte punën dhe se ishte i gatshëm të ndërhynte kundrejt një pagese të mirë. Në disa raste hetuesit dyshojnë se njerëzve të ndryshëm iu janë marrë para për së dyti për një vend pune.

Dëshmia

Një arsimtare ka deklaruar se punonjës të Drejtorisë Arsimore zgjidhnin mësueset më simpatike nëpër shkolla dhe i merrnin në këtë drejtori me justifikimin se kishin punë, por në fakt dërgoheshin nëpër motele. “Në zyrën arsimore, kishte dhe veprime të shëmtuara, veprime seksuale. Bëheshin favore seksuale, femrat e bukura e bënin këtë për të bërë karrierë. Për t’u bërë drejtoresha, për të qëndruar në një vend pune më të mirë nga fshati në qytet. Këto punë bëheshin nga punonjësit e zyrës, hiqeshin mësueset nga puna ku ishin dhe shkonin nëpër motele nën urdhrin se kishin punë te Zyra Arsimore. Të përfshirë ishin persona jashtë zyrës dhe punonjës të zyrës Arsimore.

Kjo ka vazhduar prej një viti. Këto fakte jo vetëm unë që nuk i kam denoncuar, por dhe të tjerë që i dinë shumë. Këtu është një grup i madh rrugaçësh me të cilët nuk mund të merremi”, ka thënë dëshmitarja për ABC News. Sipas dëshmisë, rastet kur kërkoheshin favore seksuale kanë qenë të shpeshta. Muajt e fundit, policia kishte vendosur një përgjues, në zyrën e ish drejtoreshës së arrestuar, Liza Tabakut.

Mendohet se në bisedat e regjistruara, përveç parave në këmbim të një vendi pune, janë përmendur edhe raste kur kërkoheshin favore seksuale. Në seancën e vlerësimit të masës së arrestit për Luiza Tabakun në kërkesën që parashtroi prokurori pretendohej përgjimi në ambient të hapur me pamje vizuale, duke i rënë shkarazi për favore të ndryshme. Por avokati tha se tashmë e vetmja provë e paraqitur në procesin gjyqësor janë tabulatet telefonike të klientes së tij.

 

Reagimi

Rama: Lushnja, Ajsbergu që do ta copëtojmë

“Nuk pranojmë sot, që fëmijët tani të marrin mësim nga mësues që kanë paguar drejtorin e zyrës arsimore apo dikë tjetër. Ndaj beteja jonë do të zhvillohet paralelisht. Nuk do të kursejmë asgjë dhe askënd, nuk do të kursejmë pushtetin tonë si ata para nesh, që për të qëndruar në pushtet kanë preferuar t’i shtyjnë plagët e vendit, por do ta konsumojmë pushtetin në funksion të kësaj përpjekje”, theksoi kryeministri. “Jam i shqetësuar për faktin që edhe pse ka ndryshime të ndjeshme e të padiskutueshme, vazhdon të ketë një ndjenjë për mitmarrjen. Jam i bindur që ngjarja e rëndë e zyrës arsimore të Lushnjës nuk është aksident i veçuar, por maja e një ajsbergu që do e bëjmë copë-copë, pa kursyer askënd, por duke filluar nga ky ndryshim rrënjësor që do të kurorëzohet në muajin dhjetor në një fazë të parë të tij”, tha Rama.

Leave a Reply