Përleshje me grushta mes avokatit Ndue Pjetra dhe ish-nënkryetarit të KLD-së, Elvis Çefa

Avokati Ndue Pjetra pretendon se është dhunuar fizikisht nga Elvis Çefa, ish-nënkryetarit i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili disa ditë më parë u shkarkua nga Kuvendi. Sipas të dhënave palët janë konfliktuar mesditën e sotme, në zonën e ish-bllokut dhe pas kësaj i janë drejtuar Komisariatit Nr.2., për të bërë kallëzime ndaj njëri-tjetri.

Dyshohet se shkaku i konfliktit mes Çefës dhe avokatit të jetë bërë për një proces gjyqësor. Ndue Pjetra është njëkohësisht edhe kryetar i një shoqate anti-korrupsion. Në një deklaratë për mediat avokati tha se Çefa ishte i shoqëruar nga tre persona dhe ai e ka qëlluar me grusht.

“Në atë moment më rrethuan 3 vetë bashkë me Elvisin duke më shtyrë, edhe ndonjë grusht mund ta kem marrë, tek zyra e Shoqatës së Avokatëve kundër Korrupsionit. Kishte shtyrje se ishin 3 vetë, dy të tjerët nuk i njohim”,- tha kreu i Shoqatës së Avokatëve Kundër Korrupsioni. Sipas tij motivi i konflikt është për shkak të një kallëzimi për shpërdorim detyre, që ai ka bërë për Çefën, gjatë kohës që ky i fundit ishte në krye të KLD.

“besoj se jam sulmuar fizikisht për kallëzimin që unë kam bërë.Ai ka shpërdoruar detyrën kur ishte në KLD, ku ka tjetërsuar prona, ka përdorur të gjithë gjyqtarët si vegël, e të tjerë”, -tha për mediat Pjetra, i cili deklaratën e dha nga ambientet e jashtme të Komisariatit Nr. 2.

Ai bëri me dije se kishte shkuar në polici për të dorëzuar kallëzimin e dytë, ndaj ish nënkryetarit të KLD Elvis Çefa, këtë radhë për dhunë të ushtruar ndaj tij.

Leave a Reply