Presheva mirëpret kryeministrin: “Mirë se vjen kryeministri ynë”

Ditën e diel, qytetarët e Preshevës u zgjuan me përgatitje për vizitën e kryeministrit Edi Rama. Postera dhe pankarta që i urojnë mirëseardhjen kreut të qeverisë shqiptare, janë vendosur në rrugë. “Mirë se vjen kryeministër” shkruajnë banerat, e vendosura në prag të vizitës së Ramës në Serbi këtë të hënë.

Të martën kryeministri Rama do të vizitojë Preshevën ku do të takohet me udhëheqësit shqiptarë, ndërkohë që do të ketë edhe një takim me qytetarët në Pallatin e Kulturës. Mediat serbe i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë vizitës së tij në Preshevë, duke cituar ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiç që tha se nuk është problemi tek vizita e Ramës në Preshevë, por tek mesazhi që ai do të përcjellë.

“Presheva Jonë” shkruan se nuk do të mungojë vizita e Ramës në Preshevë dhe se tashmë, në “qytetin e shqiptarëve janë në përfundim e sipër, përgatitjet për pritjen e kryeministrit të tyre”.

“Presheva sot është zgjuar me atmosferën, frymën e vizitës së Edi Ramës, ku fotografia e tij ka pushtuar qytetin duke filluar nga gjimnazi “Skënderbeu” e deri në qendër, komuna e Preshevës ne sheshin e dëshmoreve të UCPMB-së. “ I dëshirojmë mirëseardhje kryeministrit tonë, Edi  Rama, në Kosovën Lindore”, ka pohuar për agjencinë Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit komunal të Bujanocit, njëherazi kryetar i ardhshëm i KKSH-së”, citon “Presheva Jonë”.

Leave a Reply