Prindërit e grabitësve të Semanit: Sillnin në shtëpi sende të shtrenjta

“Djemtë sillnin sende e pajisje të ndryshme në shtëpi për të cilat thoshin se i kishin blerë. Nuk e dinim se ata i grabisnin”. Kështu kanë deklaruar para oficerëve të policisë kriminale, prindërit e dy të rinjve të arrestuar për grabitjen dhe përdhunimin e çiftit në pyllin e Semanit në Fier më 20 tetor. Policia mori në pyetje familjarët e 18-vjeçarit Shaban Skeja dhe 20-vjeçarit Endri Goga. Ata deklaruan se nuk kanë pasur dijeni për aktivitetin kriminal të dy djemve por kanë vërejtur se ata sillnin sende e pajisje të ndryshme në shtëpi për të cilat pohonin se i kishin blerë. Më tej prindërit e të arrestuarve shtuan se nuk kishin dijeni as për armët që ata mbanin. “Familjarët e dy të arrestuarve thanë në polici, se nuk kishin diktuar asnjë shenjë nga djemtë për grabitjen që kryen rreth një muaj më parë. Sipas tyre, djemtë ishin të qetë dhe merreshin me punët e përditshme që u ngarkon- te familja” thanë për gazetën burimet policore. Ndërkohë lidhur me ngjarjen e rëndë kryetari i Komunës Topojë-Seman, Arben Voja është shprehur për mediat se më parë nuk ka pasur askush dijeni se dy djemtë në fjalë mund të kryenin grabitje me armë. Ai u shpreh se dy familjet e tyre janë të ndershme dhe të nderuara në fshat e nuk i kanë sjellë asnjëherë shqetësime komunitetit.

Shaban Skeja dhe Endri Goga u arrestuan dy ditë më parë pasi akuzohen si autorë të grabitjes me armë të 28-vjeçarit V.M. dhe të fejuarës së tij E.A. të cilët kishin ndalë për të shëtitur në intimitet në pyllin e Semanit pasditen e 20 tetorit. Pas grabitjes Endri Goga ka përdhunuar vajzën ndërsa Shaban Skeja kërcënonte me armë. Më pas u kanë marrë teshat dhe telefonat celularë e janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Të dhunuarit kanë mundur të lirohen dhe kanë shkuar në postën e policisë në Seman ku kanë denoncuar ngjarjen. Ata kanë shpjeguar se autorët ishin të armatosur e të maskuar dhe se nuk i kanë njohur nga zëri. Por, e përdhunuara është shprehur se ata mbanin një aromë të rëndë bagëtie dhe ky element ka qenë kyç për hetuesit të cilët kanë identifikuar autorët dhe ka nisur hetimin për dokumentimin e ngjarjes. Policia e Fierit nisi hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Policia ka mbajtur nën mbikëqyrje zonën ku ndodhi ngjarja. Goga dhe Skeja janë kapur teksa kishin dalë sërish në të njëjtin vend për të kryer grabitjen e radhës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre u gjetën dhe celularët e çiftit të grabitur. Goga pranoi para oficerëve kriminale grabitjen e çiftit dhe përdhunimin e vajzës. Duke shprehur pendesë ai u tha hetuesve se nuk kishte mundur të rezistonte dot kur kishte parë vajzën të zhveshur. Ai i tha policisë se pasi kreu grabitjen dhe përdhunoi vajzën u largua me shpejtësi së bashku me shokun e tij ndërsa nuk e kishte menduar në asnjë moment që të qëllonte me armë në drejtim të çiftit. Madje ai i tha policisë se kishin shkuar tek dy të rinjtë vetëm për t’i grabitur ata dhe se nuk e kishte planifikuar përdhunimin e vajzës më parë.

Ndërkohë dy të arrestuarit dyshohet se mund të kenë kryer disa vjedhje në zonën e Semanit por edhe në fshatra të tjerë të rrethit të Fierit. Burime nga policia thanë se aktualisht ata dyshohen si autorë të katër vjedhjeve të ndodhura gjatë dy muajve të fundit në zonën e Semanit. Megjithëse deri më tani mësohet se të arrestuarit nuk kanë dhënë shpjegime për vjedhje të tjera, ata kanë pranuar grabitjen me armë të një çifti më 20 tetor të këtij viti, si edhe përdhunimin e vajzës. Dy të akuzuarve ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë gjahu, maska, fishekë, kapsolla detonatorë, dy telefonat e të dëmtuarve si dhe një automjet pa targa tip-Benz. Policia bëri të ditur se po vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht grabitje të tjera të mundshme të kryera nga dy të rinjtë.

Leave a Reply