Projekt-buxheti 2015, ja si ndahen paratë për ministritë

Ministri i Financave Shkëlqim Cani prezantoi dje projekt-buxhetin për vitin 2015. Sipas Canit katër janë objektivat kryesore të këtij projekt-buxheti: Zhvillimi ekonomik, ulja e borxhit, reforma e pensioneve dhe reforma në sistemin energjetik. Së bashku me projekt-buxhetin, ministri prezantoi edhe paketën e re fiskale, ku parashikohet rritje e disa taksave dhe zbritja ose heqja e disa të tjerave. Dy nga taksat që pësojnë rritje janë ajo për tatimin mbi të ardhurat mbi dividentin (interesat dhe huatë), qeratë, depozitat nga 10 për qind në 15 për qind dhe taksa mbi karburantet që rritet me 10 lekë. Paketë e re fiskale parashikon gjithashtu heqjen e tarifës doganore për naftën bruto, heqjen e tarifës doganore për miellin dhe produktet që përdoren në blegtori dhe heqjen e akcizës për pijet energjike.

Objektivat për vitin 2015

Së bashku me projekt-buxhetin, ministri i Financave, Shkëlqim Cani sqaroi edhe objektivat kryesore ekonomike për vitin e ardhshëm. Parësore mbetet gjithmonë rritja ekonomike. Sipas Canit synohet një rritje ekonomike në shifrat 4-5%. “Këtë vit kemi katër objektiva kryesore. Objektivi i parë është të rrisim ekonominë dhe të reduktojmë borxhin. Do ndërhyjmë në pensione dhe energji. Buxheti tenton të rrisë ekonominë në 4-5% pas vitit 2017” deklaroi Cani. Sipas ministrit, borxhi publik në fund të vitit 2015 parashikohet të ulet në nivelin 70.6% të Produktit të Brendshëm Bruto. Rritja ekonomike, deklaroi Cani, pritet të rimëkëmbet gradualisht në 3% në vitin 2015, e më pas të arrijë 4% në vitin 2016 dhe 4.5% në vitin 2017. Ndikim të rëndësishëm pritet të kenë disa faktorë të jashtëm, vazhdimi i rimëkëmbjes ekonomike të Eurozonës dhe i asaj të shtetit fqinj Greqisë. Gjithashtu edhe faktorët e brendshëm pritet të kenë ndikim veçanërisht në fushën e energjisë, rritja e eksporteve, si dhe progresi i dukshëm në projekte investimesh të rëndësishme. Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2015 është parashikuar në nivelin rreth 414.4 miliardë lekë dhe buxheti pëson një rritje me 49.7 miliard lekë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014. Ministri tha se totali i shpenzimeve publike për vitin 2015 do të jetë 475 miliardë lekë. Ndërsa pritet që shpenzimet totale buxhetore të ulen me qëllim uljen e borxhit publik. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2015, parashikohet në masën 106 miliardë lekë me një rritje në masën 5.2 miliardë lekë krahasuar me buxhetin e viti 2014. Ndërsa për sa i përket buxhetit për rritjes e pensioneve, i programuar të fillojë nga 1 janari 2015 është parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekë. Ndërsa, shpenzimet e skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2015 janë parashikuar në masën 35 miliardë lekë.

Shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të ish-Pronarëve, parashikohen në total në masën prej 1.4 miliardë. Ministri Cani nënvizoi se për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë. Për shtresat në nevojë është parashikuar një fond kompensimi prej 1.6 miliardë lekë. Njëkohësisht, për herë të parë në vitin 2015, në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në këtë zë, përfshihet edhe fondi në mbështetje të industrisë fasone, një rritje në masën 160 milionë lekë, krahasuar me vitin 2014. Ndërsa fondi për detyrimet e prapambetura sipas shefit të financave parashikohet në masën 20 miliardë lekë, nga 35 miliardë lekë që ishte në planin fillestar 2014. Ky nivel është përcaktuar në dakordësi me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Investimet publike, për vitin 2015, janë planifikuar 5.4% të Produktit të Brendshëm Bruto ose 80 miliardë lekë. Po ashtu është parashikuar një rritje e mëtejshme e financimit të Fondit të Zhvillimit Rajonal dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit me synim e uljes së diferencave në zhvillim mes rajoneve të ndryshme të vendit. Ministri Cani bëri me dije se në programin e investimeve për vitin 2015 është rritur ndjeshëm pesha e investimeve për sektorët social, të cilat ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta, të lidhura me nevojat e qytetarëve, në veçanti për sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe të mirëqenies sociale. Në funksion të modernizimit të shërbimeve të administratës publike janë rritur ndjeshëm investimet për teknologjinë dhe informacionin.

Shpërndarja e investimeve për ministritë

Ministri i Financave, Cani e vuri theksin tek shpërndarjes e investimeve sipas ministrive. Sipas tij në buxhetin e vitit 2015, peshën kryesore të investimeve e zë Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës me rreth 58,3 % të investimeve të përgjithshme. Investimet për këtë ministri janë parashikuar 39,300 milionë lekë, kundrejt 35,136 milionë lekë në vitin 2014. Ndërsa për Ministrinë e Bujqësisë, që përbën një sektor të lidhur drejtpërdrejt me prioritetet e programit të Qeverisë, Cani tha se investimet për vitin 2015 janë parashikuar në vlerën 3,425 milionë lekë, kundrejt 3,185 milionë lekë të financuara në vitin 2014. Për Ministrinë e Mirëqenies Sociale, për vitin 2015 është bërë ristrukturimi i burimeve të financimit. Investimet me financim të brendshëm janë parashikuar të financohen në vlerën 410 milionë lekë, kundrejt 242,6 milionë lekë të financuara në vitin 2014.

 Ulja e Borxhit Publik, gjatë vitit të ardhshëm

Ministri i Financave bëri me dije se për vitin 2015 deficiti buxhetor parashikohet të ulet në nivelin 4.0% të PBB nga 6.6% e PBB që ishte planifikuar në buxhetin 2014. Financimi i tij do të realizohet kryesisht nëpërmjet huamarrjes së brendshme me rreth 2.9% të PBB. Për rrjedhojë, niveli i Borxhit Publik në fund të vitit 2015 parashikohet të ulet në nivelin 70.6% të PBB, krahasuar me nivelin e pritshëm të tij për vitin 2014 prej 71% të PBB. Gjatë vitit 2015, parashikohet ulje e ndjeshme me rreth 1.4 miliardë lekë të zërit “Transferta e fitimit nga Banka e Shqipërisë”. Cani konfirmoi një rritje të numrit të punonjësve. Për vitin e ardhshëm numri arrin në 87,700 punonjës, duke reflektuar kësisoj dhe shtesën prej 1200 punonjësish në sistemin e policisë së shtetit, në përputhje me prioritetet e Qeverisë”, tha Cani. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe i kërkoi ministrit Cani që të shohë me kujdes papërgjegjshmërinë që po bëjnë tregtarët me rritjen e disa taksave duke përmendur çmimin e cigareve. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj pyeti Ministrin e Financave nëse buxheti është diskutuar me grupet e interesit, duke shtuar se nuk duan të kenë të papritura. Projektbuxheti dhe paketë fiskale do t’i nënshtrohen diskutimeve gjatë gjithë muajit, ku nuk do të mungojnë as seancat dëgjimore me grupet e interesit. Votimi është parashikuar të bëhet në javën e fundit të këtij muaji.

Cani: Buxheti mbështet reformën në pensione dhe në energjetikë 

Ministri i Financave prezantoi projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2015 edhe në Komisionin e Ekonomisë. Gjatë prezantimit para Komisionit të Ekonomisë, ministri Cani tha se buxheti për 2015 fokusohet tek rritja ekonomike. Sipas ministrit janë 4 objektivat kryesore ku do të fokusohet buxheti për vitin 2015: rritja e qëndrueshme ekonomik, ulja e borxhit publik, hapja e vendeve të punës, dhe menaxhimi i situatës në energjetikë. “Ne shohim me optimizëm një zhvillim të ekonomisë shqiptare dhe i fokusuar kryesisht në buxhetin e shtetit. Është një buxhet i konsultuar gjerësisht me partnerët ndërkombëtarë të cilët na ndihmojnë nga ana teknike, por edhe financues të buxhetit. Buxheti garanton rritjen ekonomike, pagesat e prapambetura” tha ministri Cani. Katër objektivat më madhore të buxhetit të vitit 2015, mbështetja e një rritje të qëndrueshme ekonomike për zhvillimin e vendit dhe hapja e vendeve të punës. Po kështu synohet ulja e rreziqeve të rritjes, si ulja e borxhit publik, si detyrë parësore e buxhetit, po kështu edhe menaxhimin e situatës në energjetikë, si një nga sektorët më problematikë që morëm nga qeveria e mëparshme. Sipas Canit buxheti mbështet reformat strukturore.

“Janë një sërë reformash të thella që kërkojnë dhe po reformohen në shërbim të ekonomisë. Këto reforma janë ndihmëse të vetë buxhetit. Janë reforma e pensioneve, e cila ka filluar dhe e njohim në detaje, reformën në sektorin e energjisë, reformën administrativo-territoriale, e cila ka mbyllur ciklin kryesor të saj por do detajohet në vitin 2015. Gjithashtu është mbrojtja e reformës sociale. Synohet përmirësim cilësor i shërbimeve publike, ne do të flasim se si t’i shpenzojmë në mënyrë më efiçente paratë në shërbim të publikut. Kjo pasi të gjitha taksat mblidhen me qëllim kryerjen e shërbimeve dhe punimeve më të domosdoshme ndaj publikut”, tha ministri Cani. Ministri i Financave tha se gjatë vitit 2014 është regjistruar një ecuri pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, duke u shprehur se ky proces do të vijojë edhe në 2015. “Banka e Shqipërisë relaton një përmirësim të ndjeshëm të biznesit në treguesit e rritjes ekonomike. Ecuri pozitive shlyerja e detyrimeve të prapambetura, kemi shlyer gjysmën e detyrimeve. Mbështesim energjetikën me 20 mld Lekë, në 2015 bëhet një kthesë e madhe në buxhetin e këtij institucioni për përmirësim cilësor të këtij sektori. Mbështetja nga BB me 150 mln për energjetikën është vlerësim pozitiv, është krijuar bindja te BB që ecuria e sektorit të energjisë do të jetë pozitive” tha ministri Cani. Hiqet akciza për pijet energjike, rritet tatimi mbi të ardhurat personale Ministri Cani gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2015 është shprehur se do të hiqet akciza për pijet energjike, pasi kjo masë nuk ka rezultatin e pritur. Ndërsa nuk do të ndryshojë tatimi mbi pagën, do të ketë një rritje të tatimit mbi të ardhurat personale me 10-15 %. “Duke filluar nga 1 janari 2015, organet tatimore nuk do bëjnë më rimbursim të TVSH-së me kontroll, por të ketë një tjetër skemë vlerësimi. Ato biznese që e kanë riskun 0 nuk do kontrollohen, ato që kanë riskun mesatar do kontrollohen 10 %, dhe ato që kanë riskun e lartë do kontrollohen 100 %. Hiqet akciza për pijet energjike, pasi nuk patëm rezultatin që pritem nga kjo masë. Tatimi mbi të ardhurat personale, veç tatimit mbi pagën, merr një rritje 10-15 %. Ideja kryesore është nxitja e investimeve”, u shpreh ministri Cani.

  projektbuxheti 2015

Leave a Reply