Prokuroria: Ja si i vrau katër vetë Xhuvani

Dy ditë pas vrasjes së katër personave në një lokal nate në Tiranë, prokuroria ka përgatitur aktet e para që kanë të bëjnë me hetimet për vrasjen e katërfishtë në lokalin e natës në rrugën e Elbasanit, ku është i akuzuar Kostandin Xhuvani. Dosja me aktet aktuale është përgatitur nga hetuesit e Prokurorisë së Tiranës dhe sot pritet që prokurori i çështjes të kërkojë masën e sigurisë arrest me burg për Xhuvanin, përpara Dhomës Penale të Gjykatës së Tiranës. Në një deklaratë të dhënë nga prokuroria gjatë ditës së djeshme në lidhje me hetimet e kryera deri më tani Prokuroria dha detaje në lidhje me faktet e siguruara. Sipas Prokurorisë së Tiranës, rezulton se katër viktimat Edison Jahaj, Ena Xhaj, Arbër Demiraj dhe shtetasi italian Xhampaolo Acola (Giampaolo Azzola) janë qëlluar nga një armë zjarri e vetme, pistoletë e cila dyshohet se është shkrehur prej 26-vjeçarit Kostandin Xhuvani, djali i deputetes socialiste Luiza Xhuvani, e dorëhequr tashmë nga funksioni.

Ky konkluzion i hetuesve është nxjerrë pasi vetëm në dorën e tij janë gjetur mbetje bloze si ajo që lë baruti i djegur nga armët. Pistoleta me të cilën është kryer vrasja e katërfishtë është gjetur e hedhur përdhe pranë vendit ku Xhuvani u kap, nga efektivët e njësisë “Shqiponja”. Prokuroria e Tiranës ka zbardhur detajet nga ngjarja e ndodhur rreth orës 04:20 të së martës me 4 nëntor në barin “Ante Grand” në rrugën e “Elbasanit”. Sipas prokurorisë rezulton se Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë është njoftuar nga një telefonatë se në vendin e quajtur rruga e “Elbasanit” në lokal “Ante Grand” ka ndodhur një konflikt i armatosur. Menjëherë autopatrulla e Komisariatit të Policisë nr.1 , e cila është gjendur më pranë ka shkuar në afërsi të lokalit ku në rrugën kryesore ka konstatuar një automjet “Mercedez- Benz” ML me targa TR 0250 N, në të cilin po hipnin disa persona. Autopatrulla bllokoi mjetin “Mercedez- Benz” ML. Në ketë moment një person i veshur me kostum tuta gri ka dalë nga automjeti dhe është larguar me vrap duke mbajtur një pistoletë në dorë. “Ky person është ndjekur nga punonjësi i policisë, i cili pas rreth 50 metrash e ka neutralizuar personin e veshur me tuta gri. Pas shoqërimit në polici dhe verifikimit të identitetit ka rezultuar se ky person është shtetasi Kostandin Gjergj Xhuvani, 26 vjeç” deklaroi organi i akuzës.

Hetimi

Në dosjen e prokurorisë thuhet se është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes nga ku ka rezultuar se gjithçka ka ndodhur në lokalin “Ante Grand” në rrugën e Elbasanit përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. “Vendi i ngjarjes është një bodrum i përshtatur si lokal nate. Për të hyrë në lokal janë shkallët zbritëse. Në ambientin e brendshëm përballë shkallëve janë gjetur të shtrirë me shpinë ngjitur njëra- tjetrës kufomat e dy shtetasve dhe konkretisht të Edison Jahajt dhe Enea Xhaj. Pranë kufomave është gjetur një armë zjarri pistoletë model 54 me një fishek në fole dhe gjashtë fishekë me krehër të kalibrit 7.62mm” bën të ditur prokuroria. Nga këqyrja e ambientit të brendshëm të lokalit janë gjetur të shpërndara në formë të çrregullt gjashtë gëzhoja dhe predha të dëmtuara. Gjithashtu në vendngjarje janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gota qelqi, shishe birre, paketa cigaresh, bishta cigaresh të cilat mendohet se janë konsumuar nga personat e dyshuar dhe viktimat. Në ambientet e jashtme të këtij lokali dhe konkretisht në anën veriore të rrugës së Elbasanit përballë hyrjes së lokalit është gjetur një automjet me targa TR 0250N me dyer të hapura. Në ndenjësen e pasme të mjetit, është gjetur i pajetë trupi i shtetasit Arbër Demiraj. Ndërkohë në distance 52 metra nga hyrja e lokalit në oborrin e Fakultetit Ekonomik, është gjetur e hedhur në tokë një armë zjarri pistoletë model 54 me numra të fshirë në mënyrë mekanike me krehër të vendosur dhe pa fishekë. Sipas prokurorisë vendi ku është gjetur pistoleta korrespondon me vendin ku është bërë neutralizimi i Kostandin Xhuvanit i dyshuar si autor i vrasjes.

Krimi 

Nga aktet hetimore të kryera në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Sida e Alban Ballçaj kanë shkuar në lokal ku janë ulur në tavolinën e fundit të tij, e cila rezulton se ishte pranë një kolltuku në të cilin ishin ulur shtetasit Edison Jahaj e Enea Xhaj. Mes shtetasve Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Side e Alban Ballçaj dhe shtetasve Edison Jaho e Enea Xhaj ka pasur një konflikt. Nga hetimet e kryera rezulton se Xhuvani dhe Demiraj kanë pasur edhe armë zjarri me vete. “Pas ndërhyrjes së shtetasit Anton Binaku, roje sigurie në lokal, shtetasit e sipërcituar kanë dalë nga lokali dhe janë futur menjëherë në lokal me pistoleta në duar. Nga dëshmitë e shtetasve ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri ka qenë Kostandin Xhuvani dhe si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj, i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij dhe më pas në spital edhe shtetasi italian Xhampaolo Acola. Pas ngjarjes u arrestuan si autorë të dyshuar të krimit Kostandin Xhuvani, Erald Sida dhe Alban Ballçaj. Ky i fundit u la i lirë disa orë më pas pasi nuk u gjetën prova që e përfshinin atë në krim. Ndërkohë që u shoqëruan edhe shtetasit Arben Sh., Admir H., dhe Andrea O., të cilët ndodheshin në atë moment në vendngjarje. Sipas prokurorisë vetëm në duart e Xhuvanit janë gjetur shenja baruti. “Në natribanët objekt ekspertimi marrë shtetasve, Erald Sida, Alban Ballçaj, Arben Sh.,, Admir H., Anton Binaku dhe Andrea O., nuk u evidentuar prania e nitriteve të cilat janë të pranishëm dhe tek mbeturinat e faktorëve plotësues të qitjes me armë zjarri. Në natribanin e dorës së djathtë, objekt ekspertimi, marrë shtetasit Kostandin Xhuvani u evidentua prania e nitriteve të cilat janë të pranishëm dhe tek mbeturinat e faktorëve plotësues të qitjes me armë zjarri” thuhet në aktin e përgatitur nga Prokuroria e Tiranës.

Gëzhojat, vetëm të një armë 

Një ditë pas krimit të katërfishtë është kryer dhe akti i ekspertimit tekniko balistik të gëzhojave të gjetura në vendngjarje. Gjashtë gëzhojat objekt ekspertimit i përkasin pjesëve të fishekëve luftarakë të përdorura nga fishekët standardë luftarake të model 54 me kalibër 7.62. Sipas ekspertimit në sipërfaqen e jashtme të gëzhojave u evidentuan gjurmë të lëna nga pjesë dhe mekanizma të armës që i ka qitur ato. Katër predhat objekt ekspertimi përkasin pjesëve të fishekëve luftarakë të modelit 54 kalibër 7.62. Në sipërfaqen e jashtme të këmishuar të katër predhave dhe një këmishë predhe u evidentuan gjurmë vjaskash të lëna nga vjaskat e tytës ë armës që i ka qitur ato.. Arma objekt ekspertimi është e fabrikuar pistoletë tip TT model 54 kalibër 7.62 me numër trup 14053073. Ajo paraqitet në gjendje të rregullt teknike dhe është e përshtatshme për qitje. Arma objekt ekspertimi është e fabrikuar pistoletë tip TT model 54 kalibër 7.62 me numra të fshirë në trup dhe në djepin luajtës. Ajo paraqitet në gjendje të rregullt teknike dhe është e përshtatshme për qitje. Në të dy armët objekt ekspertimi u evidentua prania e faktorëve plotësues të qitjes. 6 gëzhojat objekt ekspertimi janë qitur nga arma e zjarrit tip TT model 54 kalibër 7.62 me numra të fshirë në trup dhe në djepin luajtës. Kështu në bazë të ekspertimit rezulton se është qëlluar vetëm nga një pistoletë. Sipas prokurorisë bëhet fjalë për pistoletën e gjetur pranë vendit ku u kap Kostandin Xhuvani, rreth 50 metra nga lokali ku ndodhi masakra.

Kërkesa e akuzës: Burg për Xhuvanin, është i rrezikshëm 

Prokuroria e Tiranës do të kërkojë në Gjykatë masën e sigurisë “arrest me burg” për Kostandin Xhuvanin, të akuzuar për vrasjen e katër personave mëngjesin e së martës në një lokal nate në Tiranë. Të njëjtën masë sigurie organi i akuzës do të kërkojë edhe për të arrestuarin e dytë Erald Sida. Prokuroria e Tiranës të ditur dje se do t’i kërkojë gjykatës të shpallë të ligjshëm arrestimin e dy të rinjve dhe t’i lërë ata në burg. Xhuvani akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’ dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” ndërsa Sida akuzohet se ka konsumuar veprat penale të “Moskallëzimt të krimit” dhe “Prostitucionit”. Për të mbështetur kërkesat e saj, Prokuroria i ka paraqitur për shqyrtim gjykatës akte të hetimeve paraprake si procesverbal i kapjes në flagrancë, procesverbal për arrestin në flagrancë, procesverbal i sekuestrimit të sendeve, procesverbal i deklarimit të shtetasit, vendimet e ekspertimit si dhe aktet e ekspertimit. Për sa i përket masës së sigurimit në ngarkim të Kostandin Xhuvanit, prokuroria deklaroi se çmohet se masa e sigurimit arrest në burg është e vetmja masë që i përgjigjet nevojave të sigurimit për veprat penale të kryera dhe për rrezikshmërinë penale të autorit të dyshuar të kryerjes së tyre, person me precedentë kriminale dhe i dënuar disa herë nga Gjykata.

“Në rastin konkret, duke qenë se sanksionet ligjore që parashikon vepra penale e kryer përputhen me kriteret e parashikuara nga neni 251 e 252 të Kodit të Procedurës Penale, arrestimi në flagrancë i kryer ndaj të dyshuarit është kryer konform me ligjin. Po kështu ekzistojnë kushtet dhe kriteret e përgjithshme e të veçanta për vendosjen e masave të sigurimit personal të karakterit shtrëngues, që parashikohen nga nenet 228, 229 e 230 të Kodit të Procedurës Penale. Për sa i përket masës së sigurimit çmohet se masa e sigurimit arrest në burg parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal është e vetmja masë që i përgjigjet nevojave të sigurimit për veprat penale të kryera dhe për rrezikshmërinë penale të autorit të dyshuar të kryerjes së tyre, person me precedentë kriminale dhe i dënuar disa herë nga Gjykata. Kështu i parashtrojmë Gjykatës kërkesën të vlerësojë si të ligjshëm arrestin në flagrancë të kryer më datën 04.11.2014, ndaj të dyshuarit Kostandin Xhuvani, lindur dhe banues në Tiranë dhe caktimin në ngarkim të tij të masës së sigurimit “arrest në burg”. Të vleftësojë si të ligjshëm arrestin në flagrancë të kryer më datën 04.11.2014 ndaj të dyshuarit Erald Sida si dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “arrest në burg” thuhej në deklaratën e lëshuar ditën e djeshme nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me dosjen hetimore për ngjarjen e së martës. Kostandin Xhuvani dyshohet si autori i vrasjes së katër personave në një lokal nate në Tiranë e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës në Tiranë. Ai dyshohet se ka qëlluar me pistoletë katër persona duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme pas sherrit me dy prej tyre për lëndë narkotike. Xhuvani u arrestua në flagrancë rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes. I arrestuari tjetër. Erald Sida ndodhej së bashku me Xhuvanin në momentin kur ndodhi ngjarje dhe u arrestua për moskallëzim të krimit.

Leave a Reply