Pronari fantazmë jep me qira plazhet e Ksamilit, pronë e shtetit shqiptar

Prej disa ditësh në Komunën e Ksamilit, Komisariatin e Policisë Sarandë dhe disa nga institucionet e tjera, kanë mbërritur disa kërkesa dhe pretendime nga individë të ndryshëm, të cilët pretendojnë se i kanë marrë me qira dhe me kontrata shitblereje, në prani të noterit, pronarit fantazmë të gjithë Ksamilit, rreth 25 plazhe publike të qytezës së Ksamilit.

Pronari i tokës, Rebani Bocaj, i cili nuk është paraqitur asnjë herë në Ksamil, por ka dërguar vetëm përfaqësuesit e tij, këtë vit ka lidhur rreth 15 kontrata noteriale, me individë të ndryshëm, duke u dhënë atyre 25 prej plazheve publike dhe pronë të shtetit nën administrimin e Komunës së Ksamilit në kundërshtim të hapur me ligjin.

Rebani Bocaj, edhe pse nuk është pronari i tokës së kthyer, pasi sipas AKKPsë është Kryegjyshata, e cila ja ka dhënë këtij individi i cili pretendon se gjyshi i tij vite më parë ia ka dhuruar Kryegjyshatës. Gazeta “Shekulli” bën publike skandalin sesi u kthye kjo pronë dhe vendimet e Gjykatës që tregojnë abuzimin.

Vendimi i Gjykatës

Prona e këtij individi, sipas dokumentacioneve të pretenduara, është rreth 137 hektarë kullotë, e cila ndahet në 80.25 hektarë e ndodhur brenda në fshatin Ksamil dhe pjesa tjetër gjatë hyrjes për në këtë zonë bregdetare. Këshilli komunal i Ksamilit gjatë vitit 2014 ka dorëzuar në Gjykatën e Vlorës një kallëzim penal për Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës Gjirokastër, punonjësit Petraq Puleri, Besnik Dine dhe Ejana Pandazo.

Vendimi i Gjykatës Vlorë me gjyqtar Anastasi Shehu, mban datën 30 tetor 2014 dhe dënon me burgim për shpërdorim detyre të kryerjes së veprës penale në bazë të nenit 248 të Kodit Penal, Petraq Puleri me 1 vit e 6 muaj burgim, Besnik Dine me 6 muaj burgim, dhe Emiljana Pandazo me 6 muaj burgim. Edhe pse është hedhur poshtë e gjithë procedura e përfitimit të pronës dhe është zhvilluar një proces gjyqësor në kundërshtim të pronës së pretenduar nga pronari i tokës Rebani Bocaj ose pronari Kryegjyshata, po zvarritet procedura e mbylljes njëherë e përgjithmonë dhe ç’bërjes së pronësisë së pretenduar nga shkallët e tjera të gjyqësorit dhe institucionet kompetent në çështjen e pronësisë.

Faksimilet e vendimit të Gjykatës tregojnë qartë se prona e kthyer ndaj Kryegjyshatës është bërë në kundërshtim me ligjin dhe procedurën e Kthimit dhe Kompensimit të pronës. Pika e parë tregon se nuk ekziston asnjë dokument që të vërtetojë se subjekti është i shpronësuar.

Së dyti, mungon tërësisht dokumentacioni ligjor që subjekti i shpronësuar duhet të paraqiste pranë ZKKP-së Vlorë, bashkëngjitur është edhe kërkesa për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës. Së treti, vetë dokumentacioni kryesor për dhënien e vendimit konkretisht dokumenti vërtetim, tapi e vitit 1927 nuk është dokument ligjor sipas kërkesave të ligjit dhe VKM-së nr. 747, datë 9.11.2006.

Ky dokument nuk është dokument kadastral, nuk është vërtetim pronësie, nuk është dokument nga arkiva hipotekore apo shtetërore. Një dokument i tillë nuk përbën titull pronësie dhe nuk tregon origjinën e pronësisë e si e tillë nuk duhej të merrej parasysh nga ZRKK-ja e Pronave, Vlorë, për kthimin e pronës në favor të Kryegjyshatës. Së katërti, ZRKK-ja e Vlorës nuk ka bërë një hetim të plotë administrativ për të verifikuar vërtetësinë e dokumentacionit. Në këtë vendim del qartë se kjo pronë është kthyer në mënyrë abuzive nga individë të cilët edhe pse janë dënuar nuk kanë shkuar asnjë ditë në burg.

Protestat

Gjatë ditës së premte banorë dhe pronarë të subjekteve private anës detit në qytezën e Ksamilit janë rreshtuar përpara godinës së Komunës duke protestuar për lirimin e plazheve dhe tokave përgjatë bregdetit të Ksamilit, të cilat janë uzurpuar nga individë të fortë dhe me mbështetje nga PD-ja dhe disa prej strukturave në Policinë e Shtetit dhe të Komisariatit të Sarandës.

Kontratat e jashtëligjshme

Pronari fantazmë ka paraqitur nëpërmjet një përfaqësuesi ligjor, kontratat e bëra me persona që kanë marrë në përdorim plazhet e zonës bregdetare Ksamil dhe që nuk janë pronë e tij. Këto kontrata janë përpiluar të gjitha nga një noter në Gjirokastër, i cili në kundërshtim me ligjin ka përpiluar dhe dhënë të drejtën me kontratë noteriale të shfrytëzimit të plazheve në Ksamil. Madje këto kontrata kanë dhe një plan të mirëfilltë rilevimi dhe gentplan të zonës së cilën jepet me qira për shfrytëzim plazhi pronë e shtetit. Skandali thellohet dhe më tej duke i paraqitur këtë shkresa dhe kontrata në Policinë e Shtetit dhe Komisariatin e Sarandës dhe prej disa ditësh asnjë reagim dhe asnjë penalizim, apo ndjekje penale ndaj tyre dhe pronarit nuk ka bërë Policia e Sarandës.

Katër Shkeljet

1. Në dosjen dhe dokumentacionin e pretenduar nga subjekti pretendues dhe dorëzuar në ARKP-në e Vlorës nuk ekziston asnjë dokument që të vërtetojë se subjekti është i shpronësuar.

2. Mungon tërësisht dokumentacioni ligjor që subjekti i shpronësuar duhet të paraqiste pranë ZKKP-së së Vlorës, bashkëngjitur kërkesa për njohjen kthimin dhe kompensimin e pronës.

3. Vetë dokumentacioni kryesor për dhënien e vendimit konkretisht dokumenti vërtetim, tapi e vitit 1927 nuk është dokument ligjor sipas kërkesave të ligjit dhe VKM-së nr. 747, datë 9.11.2006. Ky dokument nuk është dokument Kadastral, nuk është vërtetim pronësie, nuk është dokument nga arkiva hipotekore apo shtetërore. Një dokument i tillë nuk përbën titull pronësie dhe nuk tregon origjinën e pronësisë e si e tillë nuk duhej të merrej parasysh nga ZRKK-ja e Pronave Vlorë, për kthimin e pronës në favor të Kryegjyshatës.

4. ZRKK Vlorë nuk ka bërë një hetim të plotë administrativ për të verifikuar vërtetësinë e dokumentacionit.

Shefi i INUV-it: Të ndërhyjë kryeministri, po mbrohet pronari fantazmë

Inspektori i Urbanistikës, Ariel Balani, gjatë një interviste për “Shekullin” shpjegon sesi po uzurpohen plazhet e Ksamilit dhe çfarë po ndodh në të vërtet me plazhet në qytezën e vogël.

Çfarë po bën Komuna Ksamil për të zgjidhur skandalin me zaptimin e plazheve? Si është e mundur që një individ qoftë dhe pronar i tokës apo disa hektarëve, të vijë të kërkojë dhe zaptojë plazhet publike që janë pronë e shtetit dhe nën administrim të pushtetit vendor?

Kanë ardhur disa shkresa dhe njoftime, nga këta individë. Ne si komunë nuk kemi bërë asnjë veprim thjesht kemi grumbulluar rreth 15 kërkesa nga individë të ndryshëm. Jemi në pritje të një vendimi që mund të marrë kryetari i Komunës dhe sesi do të procedojë me këtë çështje. Ditën e premte i kemi bërë një shkresë kryeministrit Edi Rama dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe disa institucioneve të tjera ku kërkojmë mbështetje dhe zgjidhje të problemit që ne si komunë kemi dhe shqetësimin e gjithë banorëve që protestuan ditën e premte para Komunës për këtë çështje. Kjo shkresë është përpiluar nga kryetari i Komunës dhe nga kryetari i Këshillit Komunal të Ksamilit. Aty sqarohet qartë gjithë problematika e këtij skandali dhe pozicioni ku ndodhemi ne sot.

Sipas ligjit plazhet janë pronë e shtetit dhe administrohen nga njësitë vendore, përse nuk reagoni me refuzim kur ato janë nën administrimin tuaj?

Plazhet publike janë pronë e Komunës Ksamil dhe menaxhohen vetëm nga kjo komunë. Vjet kemi pasur një rregullore dhe VKM, ku çdo subjekt tregtar, restorant apo hotel, i cili zotëron përpara tij një plazh ka të drejtë ta marrë me qera, ta shfrytëzojë nëpërmjet një kontrate që e lidh me ne si komunë, sipas rregullave dhe ligjit, por kjo procedurë që ndiqej vjet këtë vit është shfuqizuar në dhjetor të 2014-s dhe pritet të na vijë një procedurë e re për dhënien e plazheve. Ne jemi në pritje, por dhe sezoni po afron dhe duhet të përshpejtohen gjërat.

Nga banorët e qytezës së Ksamilit është ngritur një shqetësim permanent sa i përket mungesës së plazheve publike, në Ksamil në sezon nuk ka asnjë pëllëmbë plazh ku të lahen banorët pasi i zënë subjektet private. Çfarë do të bëjë komuna juaj, a do tu mundësojë plazh ksamiliotëve?

Ne nuk kemi filluar ende procesin e dhënies së plazheve, por vjet është vepruar me një praktikë ku çdo plazh privat jepej me 80 % për subjektin dhe 20% për publikun. Problemi më i madh për ne ka qenë mbajtja e këtij standardi nga subjektet, ndoshta kjo mund të jetë një arsye që është anuluar procedura e vjetshme. Por për këtë vit do të kemi një monitorim më të madh ndaj subjekteve private, një pjesë po ndërgjegjësohet që duhet mbajtur një standard, sepse në plazh duhet të shkojnë të gjithë, si ai që ka mundësi të paguajë dhe ai që nuk e ka këtë mundësi.

Edhe AKB-ja që është një agjenci e re, këtë vit është organizuar më shumë dhe më fort dhe ne si komunë në një bashkëpunim që mund të bëjmë me këtë agjenci do të monitorojmë dhe kontrollojmë më mirë se vjet, me qëllim që tu japim plazh publik të gjithë qytetarëve që nuk kanë mundësinë ta paguajnë.

Me çfarë të drejte një individ, qoftë dhe pronar i ligjshëm toke apo prone sido qoftë kjo, jep dhe nënshkruan kontrata shitjeje dhe qeraje me të tretë duke dhënë plazhet e Komunës Ksamil?

Këtë jam përpjekur t’i shpjegojë dhe përfaqësuesit të pronarit, që nuk mund të jenë të vlefshme këto lloj kontratash.

Këtu bëhet fjalë për mashtrim, ky person apo përfaqësuesi i tij, ka mashtruar disa individë duke u dhëne plazhe që nuk janë pronë e tij….

Ai jo vetëm ka mashtruar këta individë, por po mashtron dhe ligjërisht, duke na dërguar ne dhe institucioneve të tjera dokumente me mashtrime. Ky është dhe problemi ynë, i Komunës dhe banorëve të Ksamilit që protestuan, duam menjëherë ndërhyrjen e qeverisë dhe Kryeministrit, që të merren me këtë problem të madh ku ne përballemi sot.

Sezoni veror në Ksamil, nëse ndërhyjmë tani, do të ketë shume probleme ndofta dhe në përplasje fizike, sepse ai vjen dhe bën presione nga më të ndryshmet. Kemi pasur dhe vjet, por presione ka pasur vetëm administrata e komunës, jo me banorët. Këtë vit ai po del dhe më i fuqishëm duke lidhur dhe kontrata në përdorim me disa persona që besojnë se janë të fortë dhe kërkojnë që të arrijnë dhe në përplasje fizike. Banorët janë të vendosur ta mbrojnë Ksamilin me çdo kusht.

A keni kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit sa i përket kërcënimeve dhe dhunës që ushtrojnë për të marrë këto plazhe si pronari dhe individë që ka dërguar ai në Ksamil?

Shkresat që na kanë ardhur ne si komunë, për të njohur këtë pronar, di që i kanë shkuar dhe Policisë së Shtetit dhe Komisariatit të Sarandës. kështu që ata janë në dijeni. Për këtë vit nuk e di sesi do të veprojnë. Në shkresën që i kemi dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë i bëjmë thirrje që Policia të distancohet nga këto sjellje, të marrë masa dhe të ndjekë nga afër këtë problem. Këtë problem në këtë mënyrë mund ta ketë vetëm Ksamili në gjithë Shqipërinë, në sezonin turistik. Ne si komunë ndihemi të pafuqishëm sepse jemi dhe në shkrirje, kemi pasur dhe probleme të shumta në të kaluarën dhe jemi në hall të madh.