Rama: Me Serbinë u thye akullnaja, për darkën me Vuçiç insistuam ne që të mbahej

Kryeministri Edi Rama e konsideron të thyer akullin mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke iu referuar në këtë rast 3 marrëveshjeve të nënshkruara gjatë vizitës zyrtare në Beograd.

Një ditë pas përfundimit të vizitës dy ditore në Serbi, Rama në një konferencë për mediat theksoi se shkuam në Beograd me dorën e shtrirë të miqësisë edhe pse rruga për tu bërë miq të vërtetë është shumë më e gjatë se ajo që u bë për këto dy ditë. U thye një akullnajë”.

“Ishim plotësisht të qetë për një mision jo të lehtë, ku u thye një akullnajë e shtresëzuar nga dekada të gjata luftërash, konfliktesh e dasish në mes të Europës. Ne shkuam në Beograd me dorën e shtrirë të miqësisë dhe sot jemi më afër. Për tu bërë miq të vërtetë do të duhet kohë më e gjatë por partneriteti serioz dhe bashkëpunim për interesat e secilës palë nuk presin. Ne do angazhohemi intensivisht duke qenë të vetëdijshëm duke e komunikuar me mbarë botën. Kjo është një kohë e re e jashtëzakonshme paqeje për Ballkanin, për të bërë të mundur që gjenerata tjetër të mos trashëgojë traumat e një periudhe të gjatë luftërash, konfliktesh e dasish mes shqiptarëve e serbëve në Ballkan.

Rama  u shpreh se vizita i ka përmbushur qëllimet e saj, duke shtuar se ndjehej i lumtur që ishte në lartësinë e pritshmërive të shqiptarëve.

“Një falënderim krejt i posaçëm me përulësi për të t shqiptarët e Kosovës që na e bënë kthimin nga Serbia në Shqipëri përmes Kosovës një ngjarje të paharrueshme, duke dalë buzë rrugëve të çdo zone të banuar për të na përshëndetur.

Duke na bërë të ndjehemi mrekullisht mirë dhe të kthehemi me zemrën mal. Faleminderit të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen, të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe atyre që nga jashtë Shqipërisë, ku jetojnë e punojnë në emigracion nuk i kursyen fjalët për të na dhënë mbështetje dhe për të na bërë të ndjehemi mrekullisht mirë.

 Unë personalisht nuk ndjehem në lartësinë e jashtëzakonshme të fjalëve të mira në adresë time dhe jam i lumtur të ndjehem në lartësinë e pritshmërisë së njerëzve tanë. E kam shumë të nevojshme të reflektoj, por një gjë jua them të gjithëve me siguri, sot falë kësaj mbështetje ndjehem më i vogël se dje dhe e shoh përgjegjësinë si një mal ende më të lartë se dje.

Padyshim do të bëj gjithçka që më takon për të qenë në lartësinë e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme. Faleminderit dhe të gjithë gazetarëve dhe sipërmarrësve që shoqëruan delegacionin tonë në këtë udhëtim.

Jam këtu përpara jush me bindjen se sado të flas nuk do arrij ta përshkruaj emocionin dhe ndjenjën e frikshme të përgjegjësisë në raport me gjithë këtë mbështetje dhe inkurajim entuziast”, deklaroi kryeministri.

Në vijim, Kreu i Qeverisë ripërsëriti angazhimin ndaj shqiptarëvë të Luginës së Preshevës se Qeveria shqiptare nuk do të rreshtë përpjekjet për të garantuar që ata të gëzojnë të njëjtat liri dhe të drejta që gëzojnë serbët në veriun e Kosovës.

“Ndjeva një peshë të jashtëzakonshme përgjegjësie kur mu dorëzua titulli i lartë i qytetarit të nderit të një territori shqiptarësh që kanë vuajtur shumë, kanë sakrifikuar shumë, janë penguar shumë për të pasur një jetë normale dhe që jam krenar që më ne fund ndjehen të përfaqësuar dhe të përkrahur.

I siguroj motrat dhe vëllezërit tanë në Luginë se nuk do të rresh dhe nuk do të rreshtim përpjekjet tona për të garantuar që ata të gëzojnë të njëjtat liri dhe të drejta që gëzojnë serbët në veriun e Kosovës.

 Është modeli i asaj që ne jemi si shqiptarë dhe që duam të jemi në sytë e të tjerëve, por në radhë të parë në raportin me veten tonë në trajtimin e të tjerëve. Nuk duam as më shumë e as më pak se atë që na takon nga të tjerët”, tha Rama.

Në darkën pas konferencës për shtyp që patët arritët të firmosni një marrëveshje shumë të rëndësishme, për shkëmbimin e të rinjve, a mund ta quani të suksesshme këtë vizitë. Vuçiç ka thënë dje se nuk mund të gjuante me shkop duke lënë të kuptohej se po të kishte mundësi do ta bënte, si do të ktheheni në dhjetor në Beograd? 

Unë padyshim e konsideroj këtë një moment me rëndësi historike, dhe për mua vizita e ka përmbushur plotësisht qëllimin e saj përsa na takon. Përsa i përket deklaratave të palës tjetër, unë ndjej keqardhje për një fakt shumë të thjeshtë, se nuk ka si mos të vijë keq kur sheh njerëz që përpiqen ta mbulojnë diellin me shoshë, apo që e kanë të pamundur të hapin sytë për të parë një realitet që është në sytë e të gjithëve.

Përtej kësaj unë besoj se nuk ka nevojë të shtojmë komente apo batuta, se shumë batuta do më vinin në mend për punën e shkopit se çfarë mund të bëjë me shkopin kolegu im. Por jam i bindur se e ka përdorur si metaforë dhe e tillë do mbetet për të mos hyrë në historira shkopinjsh.

A do shkoni në samitin që do të organizohet në Beograd?

Nuk kam asnjë problem të shkoj, një orë e më parë uroj që serbët të mos e kenë problem të shkoj. Nuk jam unë ai që iu krijoj probleme në raport me Kosovën, janë ata që duhet ta zgjidhin problemin mes të shkuarës dhe të ardhmes.

Zoti Vuçiç ka deklaruar se ishte prerë në besë për deklaratën mbi Kosovën. A ia keni shprehur apo jo qendrimet tuaja para se të dilnit në konferencë? Folët për shkrirje akullnajash por Vuçiç tha se ishte një mundësi e humbur, pse këto qëndrime të kundërta?

Besa është në dijeninë time një instrument etik i shqiptarëve, nuk e di që serbët ta kenë besën si instrument. S’kemi dhënë ndonjëherë ndonjë besë që të quhemi besëshkelur. S’besoj të jetë thënë në këtë kontekst se pastaj hyjmë në histori. Sa për akullin, unë e shoh kështu, koha do ta tregojë që është kështu. Marrëveshja që pasoi është marrëveshje konkrete e akullit të thyer. Koha është shumë e gjatë nga vijmë nuk e bën të lehtë thyerjen e akujve por edhe dakordësinë për thellësinë e thyerjeve.

Me deklaratat tuaja mbushët zemrat në Kosovë dhe në Preshevë. Nga deklaratat dolët fitimtar ndaj homologut Vuçiç. Por sa e ndihmon kjo të ardhmen, çfarë dokumentash keni lënë ‘pending’ për të hapur një rrugë të re? 

Këtë bisedë duhet ta ulim pak në rrafshin e normalitetit. Darka ishte rezultat i insistimit nga ana jonë për të firmosur një marrëveshje me përmbajtje, donim një marrëveshje të rëndësishme. Dokumenti i inkurajuar nga kancelarja Merkel në lidhje me rininë. Element i munguar ai që iu siguron të rinjve njohjen reciproke të diplomave.

Gjërat që qartësisht na ndajnë janë gjëra që s’na ndajnë neve me serbët por ndajnë serbët janë me njëri-tjetrin. E them edhe këtu sa më shpejt ta njohin Kosovën, që më shpejt do çlirohen nga një barrë e rëndë. Këtë barrë që është e habitshme që ia lënë të tjërëve. Lëvizja e lirë me kartë identiteti dhe njohja e diplomave janë dy hapa të jashtëzakonshëm përpara, nëse shohim vetëm dy ditë pas.

Keni patur reagime nga ndërkombëtarët lidhur me këtë vizitë? Ju keni patur një darkë me ministrin Hoxha dhe nuk ka qenë kryeministri Thaci. Nëse mund të na zbuloni detaje nga kjo darkë. 

Kryeministri nuk është gjendur dje në Kosovë, ndërkohë që ndalesa jonë në Prizren ka qenë e lidhur me kënaqësinë e jashtëzakonshme që të jep Prizreni kur ke mundësi të ndalosh dhe të përfitosh nga kuzhina fantastike e Kosovës, edhe pse duhet të mbajmë dietë. S’ka asnjë arsye për të mos qenë të kënaqur nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Jemi në të njëjtën gjatësi vale me komunitetin ndërkombëtar. Koha do të tregojë që ka shënuar një pikë kthese të plotë për marrëdhëniet dypalëshe por dhe marrëdhëniet në rajon.

Jeni cilësuar si droni i dytë si ndjeheni për këtë?

U bëmë familje dronash më duket, meqë e hodhi vëllai im të parin s’mund të rrija dhe unë pa hedhur të dytin. /gj.k/

Leave a Reply