Rama paralajmëron shkurtimin e mësuesve jashtë profilit

Raporti i arsimit parauniversitar tregoi se 177.000 nxënës janë lënë në dorë të mësuesve jashtë profilit, pa arsimin përkatës apo mësues që nuk i realizonin kurrë orët e tyre. Situata ishte e njëjtë që nga veriu deri në jug të vendit.

1984 mësues kanë dhënë mësim pa patur arsimin përkatës, 2065 mesues kanë dhënë mësim jashte profilit dhe në sistem ka patur 1184 mesues që paguheshin dhe nuk plotësonin orët e mësimit.

Kryeministri e quajti arsimin në gjendje agonie dhe tha se deri në muajin dhjetor të marrë fund kjo situatë. Por kryeministri Rama ishte i prerë dhe i ashpër në deklaratën e tij kur tha se drejtues të shkollave dhe drejtues te DAR do të largohen dhe do të kallëzohen për shpërdorim detyre nese nuk e përmbysin këtë situatë.

“Në fund të vitit nuk ka më asnjë justifikim dhe cilido nga drejtuesit e insititucioneve që nuk do të përmbysë këtë situatë dhe që nuk do të ketë larguar dhe plotësuar vendet me mësues të nevojshëm, jo vetëm që do të largohet nga puna, por edhe do të kallëzohet për shpërdorim detyre. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë situatë dhe në këtë situatë përgjegjësia nuk mund të jetë vetëm morale”, tha Rama.

Por çfarë do të ndodhë në këtë sistem pas publikimit të të dhënave? Ministrja Lindita Nikolla tha se deri më 30 nëntor do të priten në 13 DAR aplikime për mësues të rinj, do të këtë një provim kombëtar dhe licencë të mësuesve.

“Ne do të vijojmë për ndryshimin e situatës me një plan konkret që nesër, me provimin kombëtar për aplikantët për mësues duke krijuar një portal kombëtar duke pritur të gjithë aplikantët edhe ata që nuk e kanë dorëzuar dosjen pranë drejtorive arsimore deri më 30 nëntor. Do të realizojmë një provim kombëtar sipas profileve në çdo rajon të vendit. Një provim që do të monitorohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit”, tha Nikolla.

Duke thënë se do të kemi një shëmbje totale të sistemit aktual, raporti tek mësuesit përkthehet si largime masive nga puna. Ata që do të emërohen, sipas kryeministrit do të jenë në bazë të aftësisë dhe testimit, në bazë të nevojave duke shprehur besimin se situata do të jetë ndryshe në qershor të këtij viti.

Leave a Reply