Rama “pikturon” Shqipërinë dhe Ballkanin e së ardhmes

Lufta ndaj korrupsionit, integrimi i vendit në Bashkimin Europian dhe një Shqipëri tjetër, ishin pikat kyçe që Kryeministri Edi Rama shtroi në Samitin “Creative Time” të mbajtur në Stokolm të Suedisë. Në ligjëratën e tij që mbajti në Stokolm, Rama ndau me audiencën dhe vizionin që ka ai për politikën dhe artin si dhe ndryshimet që kërkon të sjellë në Shqipëri dhe rajon. Rama saktësoi se është vizioni që ai ka për Shqipërinë që e shtyn t’i shpallë luftë korrupsionit. Më tej, kreu i qeverisë tha se synon të kthejë në realitet vizionin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Sot si lider i Shqipërisë kam një vizion për vendin tim, që njerëzit të kenë prosperitet, ku të ketë hapësira publike dhe kjo të bëhet e zakonshme dhe këtë dua ta kthej në realitet. Vjen një moment kur puna përfundon, por për politikën dhe pikturën nuk përfundon asnjëherë. Asnjëherë nuk i dihet kur mund të përfundojë peneli në një pikturë. Nëpërmjet politikës ne mund të arrijmë ndryshim. Politika mund të sjellë paqe mes njerëzve dhe të shmangë konfliktet”, theksoi Rama.

Integrimi në BE 

Kryeministri Rama ka saktësuar se nuk duhet vetëm vizioni, por edhe kthimi në realitet i tij. Për kryeministrin, një vizion që ai kërkon ta shndër rojë në realitet është edhe integrimi në Bashkimin Evropian të Shqipërisë, dhe e gjitha kjo për një të ardhme më të mirë për vendin. Rama, duke vijuar krahasimin e politikës me pikturën, u shpreh se gjithçka është e lidhur me zgjedhjet që bëhen. Dhe në këtë drejtim, kreu i ekzekutivit, theksoi se ka zgjedhur të bëjë realitet, vizionin e tij, për aderimin e Shqipërisë në BE. Sa i përket zgjedhjeve, kryeministri u shpreh se falë tyre, tashmë Ballkani jeton në paqe, pas 100 vjetësh. Pjesë të zgjedhjeve, Rama renditi edhe vendimin e tij, pas 68 vitesh të një kryeministri shqiptar për të shkuar në Serbi, në një vizitë historike. “Një nga vizionet është për tu bërë pjesë e BE, që duam ta bëjmë realitet. Kemi pasur edhe përkujtimin e Luftës së Parë Botërore. Ka pasur mjaft luftëra në Ballkan.

Tashmë kemi paqe në çdo kufi të rajonit tonë si kurrë më parë. Këtu dua të cilësoj që unë jam kryeministri i parë që pas 68 vitesh mora vendimin dhe vizitova Serbinë. Kam një vizion që më bën mua të punoj. E gjitha kjo për një të ardhme më të mirë për vendin tim. Sigurisht që të përballemi me sfidat e shumta, lufta ndaj racizmit, dhe të drejtave të njeriut, na duhet të punojmë të gjithë bashkë. Vjen një moment kur puna përfundon, por për pikturën dhe politikën nuk ndodh kurrë. Për ata që thonë se politika nuk sjell asnjë ndryshim ju them me bindje se nuk është e vërtetë. Politika mund të sjellë paqe. Është njësoj si në pikturë, kemi zgjedhje të ndryshme në politikë por edhe në pikturë, mund të zgjedhim një ngjyrë apo një tjetër. Pra krahasimi tregon se ka mjaft të përbashkëta mes këtyre dy fushave.” tha kryeministri

Shqipëria ka nevojë për hapësira 

Kryeministri shqiptar, tha më tej, se synon t’i rikthejë qeverinë qytetarëve, si dhe ambientin ku ata jetojnë, për ta bërë siç tha ai Shqipërinë një vend më të mirë. Dhe sipas kryeministrit, për të ia arritur kësaj, nevojitet vizioni. Në këtë kontekst, Rama tha për të pranishmit, se një tjetër vizion i tij për Shqipërinë, është edhe krijimi i hapësirave publike. Këtu shefi i qeverisë ndau edhe eksperiencën e tij si kryetar bashkie dhe ndryshimet që solli me prishjen e kioskave në kryeqytet. E gjitha kjo për kryeministrin shqiptar, ngjason shumë me pasionin tjetër të tij, pikturën, ndërsa shtoi se gjithçka është e lidhur me vizionin që njeriu ka për botën.

“Në vendin tim ka pasur shumë kioska dhe ndërtime pa leje dhe kam bërë çmos për heqjen e tyre. Ajo çfarë kam dashur është të sjell përputhje me standardet evropiane, dhe ta bëjmë kulturën pjesë e qeverisjes sonë. Politika mund të jetë një forcë që të çon drejt pozitivitetit. Ajo ka të bëjë me kuptueshmërinë, pra duhet të jemi ne që duhet të sjellim ndryshime. Çfarë është një pikturë e madhe? Është vizioni që kemi për botën. Sot si lider i Shqipërisë, kam një vizion për vendin tim, që njerëzit të kenë një të ardhme më të mirë, ku të ketë hapësira publike dhe këto të kthehen në të zakonshme, dhe dua ta kthej këtë vizion në realitet. Ka mjaft shembuj në botë. Të gjithë kemi vizione por e rëndësishme është ta bëjmë realitet”, tha Rama.  Propozimet

Rama: Ngjyrat në Tiranë për t’i dhënë shpresë

Kryeministri Edi Rama në samitin e organizuar në Stokolm tregoi edhe pak nga eksperienca e tij si kryetar bashkie i Tiranës dhe ndryshimet që kërkoi të sjellë në këtë post. Rama u shpreh se ishte pikërisht ky post që atij i dha impulset në politikë, ndërsa shtoi se gjithmonë ka kërkuar t’i përcjellë qytetarit, të dyja këto pasione të tij. Ai theksoi se në kohën kur u bë kryetar Bashkie i Tiranës synimi i vetëm ishte që të ndryshonte imazhin e kryeqytetit dhe të largonte ngjyrat e komunizmit. Më tej Rama u ndal edhe tek lyerja që ai i bëri pallateve të vjetra në kryeqytet, dhe gjithçka siç nënvizon ai për t’i dhënë ngjyra Tiranës dhe për të lënë pas periudhën e komunizimit. Kjo pasi sipas Ramës ngjyrat janë shpresëdhënëse dhe këtë ka dashur që t’i japë gjithnjë vendit të tij.

“Nuk po them se të gjithë kryeministrat duhet të jenë artistë, në politikë është mirë që të ketë anëtarë që kanë background të ndryshme. Variacioni është gjithnjë i mirë. Fushat janë të ndryshme por secila prej tyre të impresionon. Në vitin 1998 nisa një jetë të re. Brenda pak vitesh arrita të bëhem kryetar bashkie për Tiranën. Aty ndjeva impulset e mia në politikë, pasi ishte zhvilluar një fushatë ku unë fitova. Ishte një bashkëveprim mes pikturës dhe politikës çka unë ndjeja. Dhe kështu nisën edhe ndryshimet, duke e ndërthurur edhe ndërtesat e Shqipërisë. Pata edhe probleme më parë sa i përket zgjedhjes së ngjyrave, por këtë kam dashur, të zgjedh ngjyrat e dekorimit të vendit tim, në këtë mënyrë, zyrtari që kisha përballë nuk ishte i kënaqur me ngjyrat që kisha zgjedhur dhe më kërkoi një kompromis në këtë radhë. Por unë kam dashur që mënyra e dekorimit të vendit tim të ishte ndryshe nga komunizmi prandaj i pikturova me ngjyra të reja. Ngjyrat janë shpresëdhënëse”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

Leave a Reply