Rezoluta e BE-së për Azilin dhe Migrimin, Meta: Aksion i përbashkët kundër trafikantëve

META
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, përshëndeti Rezolutën e Parlamentit Europian mbi krizën humanitare të Mesdheut, votuar dje me shumicë dërrmuese, dhe ka inkurajuar ndërmarrjen e një aksioni të përbashkët kundër trafikantëve.

Kuvendi i Shqipërisë inkurajon koordinimin e një aksioni më të integruar dhe më të fortë mes vendeve anëtare, kandidate dhe partnere të Bashkimit Europian për marrjen e masave të menjëhershme dhe efikase, me qëllim parandalimin e kësaj plage të dhimbshme të Mesdheut, që kërcënon të marrë me qindra mijëra jetë të tjera njerëzish të pafajshëm e në nevojë”, u shpreh ai.

Kryeparlamentari Meta thekson, se si vend mesdhetar dhe europian, Shqipëria qëndron përkrah partnerëve tanë të BE-së dhe është e gatshme të rrisë përpjekjet dhe kontributin e saj kundër trafikantëve të qenieve njerëzore, e njëkohësisht shpreh solidaritetin e shoqërisë shqiptare me viktimat e luftërave që rrezikojnë jetët e tyre në ujërat e Mesdheut, në kërkim të një strehe shpëtimi në vendet europiane.

Kreu i Kuvendit shprehet i bindur se ‘hapësira mesdhetare duhet të jetë një zonë zhvillimi social e bashkëpunimi ekonomik, dhe jo një vijë kufitare vdekjeprurëse’.

Mbështesim përpjekjet e Parlamentit Europian dhe të strukturave ekzekutive të BE-së, për koordinimin e një aksioni të përbashkët europian dhe për gjetjen e mekanizmave solidarë që reflektojnë vlerat humaniste europiane, duke mbrojtur e shpëtuar jetët e njerëzve të pafajshëm dhe të dëshpëruar”, theksoi Meta në deklaratën e tij.

Leave a Reply