Rikthehen “Fanatiksat”, shkulen stolat e “Elbasan Arena”. Ja rezultatet e Superliges

Skenat të turpshme dhe dhunë rishfaqen në futbollin shqiptar dhe ndodhin pikërisht në atë që është shndërruar në simbolin e futbollit shqiptar: “Ebasan Arena”, ku luhej ndeshja Elbasani-Tirana, për javën e 13 të kampionatit.

Impianti më i ri në vend, i inaguruar pak javë më parë ka përfunduar në flakë dhe vende-vende pa stola. Ofezat në distancë mes tifozerisës së Elbasanit dhe asaj të Tiranës kanë degraduar në skena dhune, ku sërish policia, me forca të pakta, të pamjaftueshme dhe jo kompetente për organizimin e ndeshjes ka dështuar.

Në përfundim të këtij bilanci të turpshëm 118 stola janë thyer në stadiumin “Elbasan Arena”, policia ka shoqëruar disa tifozë, të cilët janë marrë në pyetje, por pas analizimit të pamjeve filmike do të shoqërohen edhe tifozë të tjerë, pasi për dëme të tilla është parashikuar nga gjobë deri në 3 muaj burg. Veç stolave janë djegur edhe disa kabllo të paneleve led që përdoren për reklamat elektronike.

E gjithë kjo sigurisht që ndikoi vetëm në prishjen lojës brenda katërkëndëshit të blertë që ishte e një niveli të mirë dhe që nuk lidhet aspak me atë që ndodhi në shkallët e stadiumit.

Sa i përket rezultatit, Tirana mbetet në krye të kampionatit shqiptar pasi ka fituar 3-2 në sekondat e fundit të shtesës. Bardheblutë u gjendën në disavantazhin e dy golave në fillim të lojës të shënuara nga Bylykbashi, por që shumë shpejt barazuan me Muçën dhe Bakajn, për të marrë këto tre pikë kaq të rëndësishme në fund falë golit të Ndikumanës.

Ka fituar edhe Partizani në “Qemal Stafa” 2-0 duke rikthyer me këmbë në tokë Kukësin. Ibrahimi dhe Nexhipi i dhanë këtë fitore kaq të rëndësishme skuadrës së kuqe, jo vetëm në shërbim të objektivit të tyre në kampionat, por edhe për zhbllokimin psikologjik pas këtij momenti të vështirë.

Në Korçë, Skëndëbeu ka shkatërruar 6-0 Apolloninë duke e fundosur akoma më shumë në zonën e ftohtë të Superligës dhe në të njëjtën kohë duke mbajtur të njëjtin hap me Tiranën kryesuese.

Laçi rikthehet tek fitorja pas 3 humbjeve radhazi pasi ka mundur 3-0 Teutën në fushën e tij.

Leave a Reply