I rrahu djalin, babai me dy djemtë ekzekutojnë emigrantin

Ekzekutohet me armë zjarri një 40-vjeçar në verandën e banesës së vëllait të tij. Ngjarja ndodhi dy net më parë në fshatin Tërvol të Gramshit, kur Përparim Duzha u qëllua me automatik, duke mbetur i vdekur në vend. Policia e Elbasanit ka mundur që të zbardhë krimin brenda 24 orëve, duke çuar në qeli dhe autorët e dyshuar të ngjarjes. Burime zyrtare nga policia thanë se për vrasjen e 40-vjeçarit të sapokthyer nga Belgjika ku jetonte prej vitesh, u arrestua Selman Hoxha, 63 vjeç dhe dy djemtë e tij Fiqiri e Edmond Hoxha të moshës 43 dhe 29 vjeç. Pas hetimeve në vendngjarje, policia zbardhi mekanizmin e vrasjes, ndërsa shoqëroi rreth 10 persona, duke identifikuar dhe autorët e dyshuar. Mësohet se 40-vjeçari ishte kthyer tek familjarët e tij në fshatin Tërvol të Gramshit rreth një muaj më parë pasi jetonte prej shumë vitesh në Belgjikë ku dhe ishte martuar. Ai qëndronte tek banesa e vëllait të tij ndërsa do të kthehej në Belgjikë pak ditë më vonë.

Dy net më parë, pasi ka darkuar në banesën e vëllait, Duzha ka dalë në verandë për të pirë një cigare. Për shkak të errësirës ai nuk ka mundur të diktojë personat, të cilët, nga një distancë jo shumë të largët, po ruanin lëvizjet e tij. Autorët, sapo kanë parë emigrantin të dalë i vetëm në verandë, e kanë qëlluar atë me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Të shtënat janë dëgjuar nga familjarët e 40-vjeçarit, të cilët dolën menjëherë. Ka qenë e kotë ndërhyrja e tyre për t’i dhënë ndihmën e parë Duzhës, pasi ai kishte ndërruar jetë. Ndërkohë policia e njoftuar për ngjarjen nisi hetimet për të zbardhur rrethanat. Përgjatë natës dhe ditës së djeshme policia ka marrë në pyetje familjarët e viktimës si dhe banorë të fshatit Tërvol. Nga hetimet e kryera rezultoi se ditën e hënë emigranti kishte pasur një sherr me njërin prej djemve të Selman Hoxhës.

Sherri nisi në lokalin e fshatit, për motive të dobëta ku pas fjalëve fyese të ndërsjella, Duzha ka goditur disa herë me grushte djalin e Hoxhës. I dëmtuari u tregoi familjarëve të tij për ngjarjen dhe dyshohet se ata morën hak dy netë më parë, duke e vrarë 40-vjeçarin. “Policia dyshon se Selman Hoxha, pasi mësoi se njëri prej djemve të tij ishte rrahur nga bashkëfshatari, Përparim Duzha, vendosi ta vrasë duke i bërë pritë. Së bashku me dy djemtë e tij, 63-vjeçari ka shkuar në banesën e vëllait të Duzhës, ku ai qëndronte dhe ka pritur që ai të dalë”-thanë burimet policore. Nga deklarimet e banorëve të fshatit Tërvol, policia mësoi se viktima kishte pasur një sherr pak ditë më parë me një banor të fshatit.

Kështu ditën e djeshme u kryen kontrolle në banesën e familjes Hoxha ku u gjetën dhe një sasi municionesh. Policia arrestoi kryefamiljarin Selman Hoxha dhe dy djemtë e tij Fiqiri e Edmond Hoxha, të cilët u izoluan në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit ku dhe u morën në pyetje. Burime nga policia thanë se ndaj tre pjesëtarëve të së njëjtës familje ka prova të mjaftueshme, të cilat i implikojnë ata në këtë krim. Fillimisht policia dyshoi se krimi kishte ndodhur për motive pronësie, por, pas hetimeve intensive, rezultoi se Përparim Hoxha u qëllua me automatik në verandën e banesës së vëllait të tij pas një sherri për motive të dobëta me njërin prej autorëve të dyshuar.

Sekuestrohen municione në banesën e të dyshuarve 

Policia e Elbasanit ka sekuestruar një sasi municionesh në banesën e tre personave të arrestuar për vrasjen e Përparim Duzhës në fshatin Tërvol të Gramshit. Policia tha se gjeti të fshehura tre automatikë Kallashnikov, 2500 fishekë pistolete të llojit TT, tetë copë granata defensive, 23 ndezëse të unifikuar si dhe dy karikator automatiku të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ndaj dy vëllezërve dhe babait të tyre janë ngritur akuzat e “Vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Leave a Reply