Seks, alkool dhe dëshpërim, ditët e fundit të Hitlerit në bunker

hitleri30 prill 1945 ishte dita kur Adolf Hitler dhe Eva Braun vendosën të vetëvriteshin në bunkerin që gjendet pas Ministrisë së Jashtme Gjermane. Ose të paktën kështu besohet të ketë ndodhur, sepse që atëherë, mënyra se krimineli më i madh i të gjitha kohërave la këtë botë mbetet mister. Megjithatë, në qoftë i referohemi raportit të NKVD-së (shërbimi sekret sovjetik ) mund të thuhet se ato ditë ishin shumë larg të qenit heroike për Fyhrerin. Përkundrazi nazisti ishte mjaft i dëshpëruar, shpesh binte në kllapi, delironte dhe duhet të përjetonte edhe dehjet e vazhdueshme të njerëzve dhe ushtarëve të tij.

Atëherë nazizmi po kalonte një periudhë dëshpëruese. Paradat pompoze të mijëra ushtarëve tashmë i përkisnin të shkuarës. Lavdia ishte shkrumbuar. Kishin mbetur vetëm rreth 100 mijë mbrojtës të Berlinit, qytet që tashmë nga kryeqyteti i lavdishëm i Hitlerit, u bë bastioni i tij i fundit kundër ushtrisë sovjetike. Organizatat ushtarake gjithashtu ishin shembur dhe për shkak të mungesës së njerëzve në rrugë shiheshin grupe heterogjene luftëtarësh të “Wehrmacht”, (forcat e armatosura gjermane), SS (trupat më të afërta me Fyhrerin) dhe shumë batalione të “Volkssturm” (njësi milicësh të armatosur).

Kështu ishin ngjarjet jashtë, ndërsa brenda në bunker, Hitleri fshihej duke pritur vdekjen dhe oficerët që ende po i qëndronin besnikë panë se si deliret e tij bëheshin gjithnjë e më të zakonshme. Një prej tyre ndodhi më 27 prill kur lideri nazist thirri Otto Günsche, zyrtar i SS, dhe e urdhëroi që të mobilizonte 8000 ushtarët e tij për të thyer rrethimin rus në qytet. Vartësi mbeti i habitur nga kjo kërkesë, pasi ai vetë e kishte njoftuar shefin e tij se kishte në dispozicion vetëm 2000 trupa me shumë pak pajisje.
Kjo duket se nuk i pëlqeu shumë mendjes së çoroditur të gjermanit, i cili i zemëruar u largua duke bërtitur: Hesht! Të gjithë po më mashtrojnë, askush nuk po më thotë të vërtetën!

Frika që ndjente Hitleri se do të kapej e çoi të kryente mizori edhe ndaj civilëve. E para ishte përfshirja në “Volkssturm” e të moshuarve dhe adoleshentëve të “Rinisë Hitleriane”. Për këtë, sipas historianit Joachim Fest në librin e tij “Rënia”, ministri i Propagandës, Joseph Goebbels, vendosi në dyert e të gjitha shtëpive një letër në të cilën pohonte se të gjithë burrat nga 15 deri në 70 vjeç ishin të detyruar të futeshin në ushtri. Kush fshihej në refuxhot antiajrore, do të paraqitej para një gjykate ushtarake dhe do të dënohej me vdekje.

Fyhreri gjithashtu nuk hezitoi të urdhëronte Helmuth Weidling (në krye të mbrojtjes së Berlinit) të hapte portat e digës në lumin Spree me objektivin që të përmbyste tunelet e metrosë që armiku të mos sulmonte përmes tyre. Edhe pse metoda ishte efektive, Hitleri “harroi” qindra qytetarët e gjermanë që kishin mbushur tunelet duke iu larguar bombave. Nuk i interesoi që ata të mbyteshin kur vartësit e tij ia kujtuan këtë detaj.

Megjithatë atëherë çmenduritë nuk bëheshin vetëm nga Hitleri, por si në bunker edhe jashtë tij, çmenduria u shfaq edhe tek ushtarët minorenë. “Ardhja e armikut në periferi bëri që ushtarët e rinj të zhdukeshin për të humbur virgjërinë”, shpjegon Antony Beevor në esenë e tij “Berlinl Rënia 1945”. Një nga situatat më groteske u përjetua në qendrën e transmetimit Grossdeutscher Rundfunk ku sipas fjalëve të autorit “gjatë javës së fundit të prillit u përhap një “ndjesi e vërtetë rrënimi” që i çoi punonjësit të pinin dhe të kryenin kurvëri në mënyrë të pakontrolluar”.

As në bunker nuk mungonin dehjet e vazhdueshme të atyre që rrethonin Fyhrerin. Qoftë për festimin e ndonjë ditëlindjeje, apo dasme, e sigurt është se siç thotë H. Eberle dhe M. Uhl në “Raporti Hitler” çdo justifikim ishte i mirë për të kthyer një shishe raki dhe të harronin qindra bombat ruse që binin mbi ta.
Kjo situatë shoqërohej nga një Hitler, që sipas asaj që deklaroi më vonë Günsche, sorollatej i topitur duke folur vazhdimisht për vetëvrasje. “Hitleri nuk kishte guxim, as për të parë jashtë bunkerit. U kap pas orëve të fundit që fati po i jepte, i mbërthyer nga frika se rusët mund të depërtonin në strehimin e tij”, thuhet në raportin sovjetik. Deri sa më 30 prill të 1945, vendosi t’i jepte fund jetës së tij, sipas NKVD, duke qëlluar veten në kokë me një Walther të kalibrit 7,65 mm./ Dita

Leave a Reply