SHBA, republikanët marrin kontrollin e Senatit. Obama në vështirës

shba

 

Në SHBA, republikanët kanë marrë vende të mjaftueshme në zgjedhjet e së martës për Kongresin që u sigurojnë kontrollin e Senatit.

Republikanët kanë fituar vende në Senat në shtetet Virxhinia Perëndimore, Arkansa, Dakota e Jugut, Kolorado, Montana dhe Karolina e Veriut, duke e përmbysur shumicën që mbahej nga demokratët me 55 vende nga 100 gjithsej. Republikanët arritën të marrin gjashtë vende më shumë.

Republikanët e rimarrin kontrollin e Senatit pas 8 vjetësh.

Në disa shtete ende nuk është përcaktuar fituesi. Në Luiziana, asnjë kandidat nuk fitoi më shumë se 50 për qind të votave. Gara mes senatores demokrate Mary Landrieu dhe sfiduesit republikan Bill Cassidy do të zgjidhet me balotazh më 6 dhjetor.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell u rizgjodh në shtetin e Kentakit për një mandat të gjashtë. Kjo nënkupton se ai do të jetë udhëheqësi i shumicës në Senat dhe njëri ndër politikanët më të fuqishëm të vendit. Ai do të ketë autoritetin për të vendosur se cilat projektligje do të paraqiten për t’u hedhur në votë në Senat.

Por edhe demokratët siguruan një fitore të rëndësishme në shtetin Nju Hempshër, ku mediat kanë parashikuar fitoren e senatores demokrate Jeanne Shaheen.

Presidenti Barack Obama tha se demokratët në Senat përballeshin me ndoshta garat më të vështira që nga viti 1958, kur republikanët humbën 13 vende në Senat, në kohën e presidentit Dwight Eisenhower.

Në zgjedhjet e së martës u votua për një të tretën e 100 vendeve të Senatit.

Republikanët gjithashtu pritet të konsolidojnë shumicën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve, ku ata kanë 233-vende nga 435 gjithsej. Në zgjedhjet e së martës u votua për të gjitha vendet e Dhomës. U votua edhe për 36 nga 50 postet e guvernatorëve.

VOTUESIT, TË PAKËNAQUR ME PRESIDENTIN OBAMA

Anketat tregonin se votuesit ishin të pakënaqur me Presidentin Barack Obama dhe me drejtimin që ka marrë vendi.

Frank Newport punon përi organizatën e sondazheve, Gallup:

“Do të thoja se mes shqetësimeve të amerikanëve, në krye të listës janë ekonomia dhe vendet e punës”.

Në prag të zgjedhjeve Presidenti Obama i nxiti demokratët të mos ua vinin veshin parashikimeve të zymta të ekspertëve dhe të dilnin të votonin.

“Ne nuk u ulëm në hënë duke qenë cinikë. Cinizmi nuk u jep fund luftrave, as nuk shëron sëmundje, nuk ngre biznese dhe nuk ushqen mendjet e të rinjve. Cinizmi është një alternativë, por shpresa është një alternativë më e mirë”.

Partia e presidentit që është në mandatin e dytë, zakonisht humb terren në zgjedhjet e mesit të mandatit dhe rënia e mbështetjes për presidentin duket se i dëmtoi shanset e kandidatëve demokratë në gjithë vendin.

Republikanë si ish-kryetari i komitetit kombëtar të kësaj partie, Mike Duncan thanë se republikanët bënë të pamundurën për t’i paraqitur këto zgjedhje si një referendum kombëtar për presidentin dhe politikat e tij.

“Mendoj se mesazhi kryesor është që vendi po distancohet nga Presidenti Obama. Ne po e kthejmë vendin tek qendra e djathtë, aty ku e do populli amerikan”.

Zgjedhjet në mes të mandatit zakonisht përqendrohen tek çështjet e brendshme. Por këtë vit, rreziku i Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme dhe frika për përhapjen e Ebolës e kanë tronditur publikun në javët e fundit të fushatës.

Norman Ornstein është analist politik në Institutin American Enterprise:

“Ka kandidatë individualë dhe republikanë që kanë dobësi serioze dhe mënyra më e mirë për ta larguar vëmendjen nga këto dobësi, është që t’i jepet një frymë kombëtare zgjedhjeve, në një kohë kur njerëzit janë të pakënaqur dhe mendojnë se gjendja ka dalë jashtë kontrollit, qeveria nuk po punon dhe se presidenti është i paaftë”.

Disa nga garat kryesore të Senatit këtë vit, ishin në shtetet me prirje republikane dhe anketat e orëve të fundit të fushatës tregonin se shumë prej tyre anonin nga republikanët.

Qendra për Politikë të Përgjegjshme vlerëson se shpenzimet në fushatën për këto zgjedhje kanë arritur në 4 miliardë dollarë, zgjedhjet më të kushtueshme në historinë e votimeve për Kongresin./VOA

Leave a Reply