Sherr mes Finos dhe Braçes në Kuvend, ja përse…

Pak para votimit të buxhetit të vitit 2015 dhe paketës së re fiskale, mes deputetëve të mazhorancës, ka pasur një debat të ashpër që kishte të bënte me votimin e disa punonjësve që do të dërgohen në qarqe të vendit për të mbikëqyrur reformën territoriale.

Një debat që ka dashur ndërhyrjen e kreut të Kuvendit, por që ka shkaktuar një përçarje mes deputetëve të Partisë Socialiste në prani edhe të kryeministrit Rama, i cili u detyrua të bënte “gjyqtarin” mes Bashkim Finos dhe Erjon Braçes.

Gjatë votimit të buxhetit, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe debatoi me deputetin Bashkim Fino, lidhur me numrin e punonjësve që do dërgohen në qarqe për reformën territoriale.

Fino kërkoi shtimin e stafit me 4 punonjës më shumë, pra nga 8, në 12, ndërkohë që Komisioni i Ekonomisë, i mbështetur edhe nga kryeministri Rama, ka kërkuar 8 punonjës. Fino u shpreh se propozimi i tij duhet të hidhet në votim dhe pas kësaj kërkese, i mbështetur edhe nga disa deputetë të tjerë, kreu i Kuvendit Meta lejoi hedhjen në votim.

Por në këtë rast, ndërhyri kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili argumentoi se ndryshimi i Finos duhej të ishte bërë 24 orë përpara dhe se në këtë rast është shkelur rregullorja.

Braçe braktisi i zemëruar sallën e Kuvendit, pasi u votua me karton amendamenti i paraqitur nga Fino.

Meta më pas ndërhyri duke thënë se votimi i mëparshëm ishte i pavlefshëm, ndërsa kryeministri Rama vendosi që agjencia për Reformën Territoriale duhet të ketë 12 punonjës, duke “tradhtuar” kështu Braçen.

Sipas kreut të qeverisë, kjo gjë që do të rregullohej me akte nënligjore, ndërsa votimi u anulua. Në këtë mënyrë, mes Finos dhe Braçes, “fitoi” ish-kryeministri, i cili këmbënguli që qarqet të kenë 12 punonjës në total për mbikëqyrjen e reformës territoriale.

Leave a Reply