Shkoi në Francë me të fejuarin, e shfrytëzoi si prostitutë: 21-vjeçarja rrëfen si u largua

E.H është tashmë 21 vjeçe. Familja e saj është nga zonat rurale dhe u vendos në periferi të qytetit të Shkodrës në mesin e viteve 90-të, kur ajo ishte ende 2 vjeçe. Tri vite të shkuara, kur ishte 18 vjeçe, ajo u njoh me A.G, dhe ai gjithashtu i ardhur në Shkodër por nga një zonë tjetër e saj. Pas 7 muajsh lidhje, familja e mori vesh dhe i kërkoi djalit që të vendoste, ose të fejohej ose të ndahet nga vajza e tyre. Ndonëse me ngurrime nga familja e djalit që ishte 22 vjeç, i papunë dhe kishte dy motra pa martuara, djali 22 vjeçar vendosi të fejohet ndonëse pa ceremoni pasi asnjëri nuk kishte mundësi ekonomike.

Pas 3 muajsh fejesë, A.G, i tha të fejuarës se do shkonte në Francë, ku disa shokë të tij atje i kishin gjetur punë, ndërsa me vete donte të merrte edhe të fejuarën e tij. Familja e vajzës kundërshtoi duke i kërkuar të martohen qoftë dhe vetëm zyrtarisht, por A.G iu tha se po të kalojnë kufirin si të martuar, kur të shkojnë në Francë nuk do u lejojnë të qëndrojnë dhe mund t’i kthejnë menjëherë, pa qëndruar as 3 muajt e lejuar. Kështu të dy ata vendosën të nisen dhe qëndruan 2 javë tek një kushëri i të fejuarit në Francë. Gjatë kësaj kohe, E.H tregon, se i fejuari filloi të punonte me ndërprerje dhe morën një dhomë me qira. Këtu nisi dhe drama e E.H, e cila e detyruar nga i fejuarinisi të frekuentonte klientë, ndërsa veç të fejuarit të saj A.G, edhe dy të tjerë merrnin fitimet prej saj.

Për 5 muaj, kundër dëshirës së saj vajza e re provoi atë për të cilën kishte dëgjuar apo lexuar, ndërsa komunikimi me familjen ishte i rrallë dhe i kontrolluar nga i fejuari A.G që nxirrte pretekste të ndryshme kur fliste në telefon. Duke treguar për historinë e saj E.H thotë se “arrita të fsheh ca para nga puna ime dhe ndërsa ai kishte shkuar në një qytet tjetër, mora sendet personale, i hipa trenit dhe më pas në aeroport ku preva biletën dhe u ktheva në Shqipëri. Familjes i thashë se A.G kishte rënë në burg pasi merrej me punë të pista dhe unë u ktheva dhe nuk dua të di më për të .Nuk i tregova se çfarë kishte bërë me mua dhe çfarë pune kisha bërë unë.

Me familjen e tij nuk komunikonim dhe një javë pasi u ktheva shkova në Tiranë tek tezja ime dhe atje jam këshilluar me një psikologe ndërsa më trajtojnë në një qendër këshillimi. Nuk e kam denoncuar pasi unë shkova pas tij me dëshirën time, por dhe nuk kam besim tek drejtësia. Më ka marrë në telefon dhe i jam përgjigjur duke i thënë se nuk do e denononcoj me kusht që të më lërë të qetë mua dhe familjen, pasi nuk dua të di më për të. Kështu ramë dakord dhe nuk dua të di më nëse ekziston apo jo. Kam bërë një kurs rrobaqepësie dhe më kanë premtuar punë pasi kam mbaruar shkollën e mesme”përfundon E.H historinë e saj të ndodhur 2 vjet më parë.

Kryetarja e Komitetit, Felek Kasemi: Më pak raste se vitet e shkuara

Histori të tilla si vajza 21 vjeçare që i shpëtoi mashtrimit dhe shfrytëzimit nga i fejuari, si dhe Trafikimi i qenieve njerëzore në qarkun e Shkodrës vazhdon të jetë i pranishëm dhe pse ka pasur rënie të numrit të rasteve të raportuara. Trafikim femrash për qëllim prostitucioni shpesh me anë të mashtrimit, trafikim të miturash me qëllim përfitimin e lejeve të qëndrimin në vendet e BE, trafikim klandestinësh të huaj nga vend me konflikte të armatosura që tentojnë që kalojnë në Perëndim përmes Shqipërisë apo trafikim për lypje janë ato që ndeshen më së shumti në këtë qark me territor kufitar. Vetëm dy javët e fundit, janë dy raste të ndërhyrjes së policisë lokale që lidhen me trafik për qëllime prostitucioni.

Dy persona nga Oblika e Shkodrës dhe Bilisht i Korçës, u shpallën në kërkim pasi janë denoncuar se kanë marrë me anë të mashtrimit dy femra nga Shkodra për t’i trafikuar për prostitucion. Denoncuesit janë familjarë të vajzave. Përveç shpalljes së tyre në kërkim, që nga fillimi i vitit 2014 e deri në shtator janë 13 raste të identifikuara të personave të trafikuar për prostitucion në këtë qark, nga të cilët gjashtë prej tyre janë rikthyer tek familjet, gjashtë janë trajtuar nga shërbimi social shtetëror dhe janë sistemuar në qendrat e posaçme rezidenciale që janë në shërbim të këtyre viktimave të trafikimit, ndërsa një rast është në kërkim. Koordinatorja rajonale e Komitetit Antitrafik për qarkun e Shkodrës, Felek Kasemi, konfirmoi rastet si dhe veprimet e ndërmarra nga ana e tyre.

Komiteti i Luftës Kundër Trafikut të qenieve njerëzore, është krijuar që në vitin 2006, por vetëm muajt e fundit ka nisur të funksionojë, pas riorganizimit të kësaj të fundit. Shkodra është kthyer në burim për trafikun e qenieve njerëzore pasi është zonë kufitare me mundësi të shumta kalimi legal e ilegal drejt vendeve të Evropës Qendrore e Perëndimore. Ky shteg ka bërë që trafiku i femrave për prostitucion apo dhe i minorenëve për lypje të jetë i pranishëm, ndërsa kohët e fundit vihet re një shtim i rasteve të tentativës për të kaluar nga Shqipëria drejt Malit të Zi, e më tej i shtetasve të huaj që vijnë nga vende me konflikte të armatosura si Siria, Afganistani, Iraku, apo edhe nga Afrika. Ata hyjnë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme dhe transportohen drejt zonave kufitare veriore.

Mbetet problem trafikimi i të miturve

Gjithashtu përhapje ka njohur dhe trafikimi i të miturve në rrugë legale, ku duke përfituar nga liberalizimi i vizave ato shoqërohen nga të rritur drejt vendeve të BE dhe lihen atje, ku kërkojnë strehim dhe leje qëndrimi. Kjo kategori përbën dhe një kontigjent të mundshëm krimi për këto vende.Sipas koordinatores Felek Kasemi në javën e luftës antitrafik të zhvilluar është synuar bashkërendimi i luftës së përbashkët kundër trafikimit të qenieve njerëzore në të gjitha format e shfaqura duke koordinuar punën e institucioneve, shoqërisë civile dhe duke zhvilluar aktivitete konkrete me grupet e riskut që janë ato me problema ekonomike, të ardhurit nga zonat rurale që nuk kanë mundur të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme, komuniteti rom e egjiptian etj.

“Aktualisht nuk mund të flitet për parandalim të trafikimit të qenieve njerëzore në të gjitha format në të cilat ai shfaqet por për një minimizim të tij. Kjo më së shumti për trafikimin e femrave për prostitucion dhe të fëmijëve për lypje, ato që quhen skllavëri të kohëve moderne” tha koordinatorja Kasemi. “Organizimi i fushatave kundër lypjes nga të miturit që detyrohen nga të rriturit duke mundësuar largimin e tyre nga rruga, masa ndëshkuese për familjet që përfitojnë nga shteti dhe nxjerrin fëmijët në rrugë, përmirësimi dhe përfshirja në kurrikulën e shkollës së temave për trafikimin, pasojat e mënyrat e tij, mundësitë e punësimit të grupeve në nevojë etj, janë të domosdoshme dhe në qarkun e Shkodrës, ndërsa duhet parë dhe mundësia e ngritjes së një strehe në këtë qark, për viktimat e trafikimit”,shton Kasemi.

Leave a Reply