“Me Sokolin”, ceremoni përkujtimore për Olldashin, mungojnë Berisha e Basha

Në përkujtim të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të deputetit demokrat, Sokol Olldashi në një aksident automobilistik në rrugën Elbasan-Tiranë më 20 nëntor të vitit 2013, të afërm, miq e kolegë të të ndjerit kanë organizuar pasditen e sotme një ceremoni përkujtimore. Në ceremoninë që është quajtur thjesht ‘Me Sokolin’ kanë marrë pjesë të afërm të deputetit, gazetarë si dhe deputetë të PD dhe kolegë të tij si Majlinda Bregu, Mesila Dode, Oerd Bylykbashi, Astrit Patozi, Aldo Bumçi etj. I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe ambasadori amerikan në vendin tonë, Alexandër Arvizu, miqësia e të cilit me të ndjerin Sokol Olldashi ka qenë e njohur publikisht. Takim përkujtimor është drejtuar nga deputetja Majlinda Bregu e cila ka thënë se ikja e Sokolit ka lënë pas zbrazëti në PD.

Duke folur në këtë ceremoni, deputeti demokrat dhe mik i Olldashit, Astri Patozi u shpreh se ky takim është simbolik me praninë e njerëzve më të afërt të të ndjerit përndryshe sipas tij do të duhej të prenotonin një stadium.

“Sokol Olldashi i mungon Partisë Demokratike, edhe pse ajo e ka një kryetar. Ai i mungon edhe qeverisë edhe pse ajo e ka një kryeministër”, u shpreh Patozi.

Në këtë ceremoni mungonte lideri aktual i PD, Lulzim basha si edhe ish-kreu i kësaj partie Sali Berisha.

Leave a Reply