Terror në Jeruzalem, sulmohet me sëpata dhe thika sinagoga

Një grup personash të armatosur me pistoleta, sëpata dhe thika sulmuan një sinagogë në Jeruzalemin Perëndimor duke lenë të paktën katër izraelitë të vrarë dhe duke plagosur disa të tjerë përpara se të qëlloheshin për vdekje nga forcat e sigurisë.

Sulmi ndodhi në sinagogën Har Nof. Katër persona kanë gjetur vdekjen e menjëherëshme, në vendin e ngjarjes dhe të paktën tetë të tjerë janë shoqëruar në spital, ku raportohet se pesë prej tyre në gjendje të rëndë.

Pas masakrës ka patur një shkëmbim të shkurtër zjarri mes sulmuesve dhe forcave të sigurisë, ku dy prej agresorëve mbeten të vrarë, ndërkohë që policia dhe ushtria janë vënë në ndjekje të një personi të tretë që besohet se ka marrë pjesë në sulm.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu fajësoi drejtpërdrejt presidentin palestinez, të cilin e akuzoi për nxitje të dhunës dhe sulmeve terroriste nëpërmjet fjalimeve të tij. Ai tha se Izraeli do t’i përgjigjet me dorë të hekurt sulmeve të tilla.

Pavarësisht akuzave të Netanyahu-t, përgjegjësinë e sulmit e ka marrë Hamas-i, krahu radikal i palestinezëve që udhëheq Rripin e Gazas.

Tensionet janë përshkallëzuar javët e fundit pas plagosjes së rëndë të një rabini në pjesën lindore të qytetit, ndërkohë që Maruan Barghouti, udhëheqësi i Tanzimit, krahut të armatosur të al-Fatah, partisë së Mahmud Abas dhe i dënuar me pesë burgime të përjetëshme nga Izraeli thërriti Intifadën e tretë, pas asaj të 1987 dhe të 2000.

Nëntë izraelitë dhe 12 palestinezë janë vrarë vetëm javët e fundit nga shpërthimi i valës së dhunës.

Leave a Reply