Tradhti te Lakers, Russell filmon në fshehtësi Young

tradhti
Kjo është një histori tradhtie, rrëfimesh të regjistruara në fshehtësi, videosh, që nuk duhej të publikoheshin, shokë skuadre tradhtarë dhe të tradhtuar, brenda një ekipi që është gati të shpërthejë. Është edhe historia e një këngëtareje të famshme e përfshirë në këtë çështje të sikletshme. Po flasim për atë që ka ndodhur, dhe që po ndodh, në Los Angeles, në shtëpinë e Lakers. Protagonistët kanë qenë D’Angelo Russell dhe shoku i tij i skuadrës Nick Young. I pari ka filmuar në fshehtësi të dytin, teksa ky i fundit po rrëfente tradhtinë e tij ndaj të fejuarës. Një video që ka bërë xhiron e internetit. Iggy Azalea, këngëtare e famshme australiane dhe e fejuara e Young, e ka zbuluar në këtë mënyrë tradhtinë e të fejuarit.

Lojtarët e Lakers e kanë izoluar menjëherë Russell, ndërsa “Swaggy P” (pseudonimi i Nick Young) nuk është grumbulluar me skuadrën. Tani, opinioni publik është i përçarë. D’Angelo Russell sapo ka mbushur 20 vjeç dhe qershorin e kaluar ka qenë zgjedhja e dytë në draftin 2015-të. Me fjalë të tjera: Lakers synonin të ndërtonin të ardhmen rreth tij. Megjithatë, shkurtin e kaluar trajneri i Lakers, Byron Soctt, ka deklaruar se: “D’Angelo është 19 vjeç, por disa herë duket sikur është vetëm 14”. Dhe në fakt gjesti i tij ka lënë në hije ditët e fundit të karrierës së Kobe Bryant. Gjithë vëmendja është te videoja, e cila nuk duhej të ekzistonte. Të ulur në dy krevate të ndarë në krah të njëri-tjetrit, Russel ka filluar të regjistrojë teksa fliste me Young, i cili nuk ishte në dijeni. “Domethënë ti je 30 vjeç dhe ajo ishte 19?”, ka pyetur Russell shokun e tij të skuadrës, duke folur për një vajzë që Young e kishte takuar në një lokal nate. “Po me Amber Rose?”, ka pyetur Russell. “Jo, ajo është shoqe e së fejuarës sime”, ka qenë përgjigja e Young. “Faleminderit që i the këto gjëra në videon time”, ka thënë në fund Russell, me Young që është kthyer menjëherë duke e parë me një shikim pyetës. Ky filmim ka bërë xhiron e internetit dhe Iggy Azalea, pasi e ka parë ka bërë këtë postim në twitter: “Kam parë se D’Angelo Russell është njeriu i momentit. Më ka pëlqyer videoja e tij. Faleminderit vëlla”. Një mesazh që jep një ide se si mund të shkojnë gjërat mes çiftit.

Leave a Reply