U vra në Amsterdam, gazetarët holandezë: Është nga Elbasani

Një vajzë shqiptare e vrarë në Holandë në korrikun e vitit 1997, nuk është identifikuar ende. Ajo është varrosur pa emër, mes 300 personave të tjerë të paidentifikuar, në Amsterdam. Vajza u gjet e vrarë në një nga sheshet qendrore të Amsterdamit, Kolumbusplein. Ishte mbytur dhe kishte shenja dhune në qafë. Kur po bëhen 20 vjet nga kjo ngjarje, një grup gazetarësh të emisionit “Varr pa emër” të televizionit SBS 6, në Holandë është vënë në gjurmët e shqiptares. Ata kërkuan ndihmën e Televizionit Klan për ta publikuar foton e vajzës pasi u gjet e vrarë.

Kes Vanderspekm, gazetar SBS 6, Holandë, u shpreh se, “e vetmja gjë që dihet është se është nga Shqipëria dhe kjo doli nga hetimet, pasi një vajzë që e kishte parë edhe më parë viktimën, kishte dëgjuar se ajo fliste shqip”. “Sipas autopsisë, vajza rezulton së ka një ndërhyrje kirurgjikale në bark dhe ajo mund të ketë lindur 1 ose dy fëmijë”, u shpreh gazetari. Emisioni ka zbuluar se ajo kishte qëndruar më parë në Itali, ku kishte dhënë dy herë shenjat e gishtërinjve, me identitete të ndryshme.

Gazetari Kes Vanderspekm thotë se, “sipas Europolit rezulton se në vitin 1996, një vit përpara se të vritej në Amsterdam, vajza ishte arrestuar dy herë në Itali dhe atje ne besojmë se ka dhënë dy emra të rremë, nuk e dimë”. “Ajo është paraqitur me emrat Hilda Dhimitra, dhe njëherë me emrin e babait Astrit dhe një herë tjetër me emrin Ndriçim”, shton gazetari holandez. Të dhënat e kanë çuar grupin e xhirimit në Elbasan. “Kemi disa të dhëna se ajo mund të jetë nga Elbasani, pasi një tjetër vajzë që punonte në një bar në Amsterdam kishte folur tre ditë përpara se ajo të vritej dhe kishte thënë se ishte nga Elbasani”, shprehen gazetarët.

Dyshohet gjithashtu se ajo mund të jetë vajza e një familje nga Kamza. Të afërmve u janë marrë analizat për t’i krahasuar me AND–në e saj. Dy tatuazhe, njëri në krahun e majtë dhe tjetri në krahun e djathtë, janë dy prej shenjave dalluese të viktimës. Gjithashtu, pas pretendimit të gazetarëve holandezë se vajza është nga Elbasani, edhe në këtë rreth kanë nisur kërkimet për të gjetur identitetin e saj, kryesisht mes personave, të cilët rezultojnë të humbur apo prej shumë vitesh në emigracion.

Megjithatë raportimi i emrave të ndryshëm për shqiptarët, të cilët ndodhen në emigracion pa dokumentacionin e nevojshëm, është një rast shumë i përhapur. Kjo pritet ta bëjë edhe më të vështirë identifikimin, ndërsa fotot e viktimës, të sjella nga gazetarët holandezë mund të ndihmojnë në dhënien e një emri për vajzën e vrarë 19 vjet më parë.