Veliaj: Azilantët vijnë nga zonat e PD-së

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, deklaroi ditën e sotme se pjesa më e madhe e azilkërkuesve vijnë nga zonat lokale dhe komunat që qeverisen nga Partia Demokratike. Sipas tij, qeverisjet e këqija vendore dhe korrupsioni kanë bërë që njerëzit të detyrohen të kërkojnë një jetë më të mirë nëpërmjet azilit jashtë vendit.

“Është më atraktive për të jetuar në vende të zhvilluara, kjo është e ditur. Nuk dua të bëj politikë tani, por më rezulton që po largohen më shumë njerëz nga ato komuna që drejtohen nga këta që bërtasin më shumë. Momenti për një reflektim. Veriu largime të mëdha, shkak keqmenaxhimi nga pushteti lokal që drejtohen nga PD”, tha Veliaj.

Menjëherë pas daljes për shtyp të ministrit Veliaj, ka reaguar Partia Demokratike, e cila i ka cilësuar si të turpshme deklaratat e ministrit, se azilantët vijnë nga zonat lokale që qeveris PD-ja.

Është e turpshme se si një anëtar i këtij kabineti, që u kujdes  dy vjet për mirëqenien personale e ndan Shqipërinë në tonën dhe të tyre. Njerëzit po ikin se qeveritarë dhe zotëria në fjalë kujdesen vetëm për mirëqenien e tyre.

Qytetarët i kanë zhytur në mjerim, papunësia është rritur, çmimet po ashtu. Këta kridhen nëpër ekrane me suksese imagjinare. Shqiptarët po marrin rrugët e botës ndërsa këta janë strukur në luksin e siguruar nga lekët e shqiptarëve”, shkruan deklarata e PD-së.